• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Daçiq: Nevojitet mençuri dhe vullnet politik për tejkalimin e sfidave me të cilat përballet OSBE-ja

Daçiq: Nevojitet mençuri dhe vullnet politik për tejkalimin e sfidave me të cilat përballet OSBE-ja

Shkup, 30 nëntor 2023 (MIA) - Nevojitet mençuri dhe vullnet politik për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet OSBE-ja, tha ministri i  Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq në fjalimin para Këshillit ministror të organizatës në Shkup.

Daçiq theksoi se lufta në Ukrainë ka çuar në degradimin e besimit, ndërsa OSBE-ja është ballafaquar me probleme më të mëdha deri më tani për shkak të pamundësisë për të arritur konsensus mbi çështjet kyçe për funksionimin e saj.

"Jam i bindur se do të bëjmë një hap përpara dhe do të dëshmojmë se jemi një nga organizatat e pakta të përziera e cila është në gjendje me sukses të përballet me të gjitha sfidat", tha Daçiqi.

Në fjalën e tij ai iu referua edhe Kosovës, duke thënë se pozita e serbëve atje nuk ka qenë kurrë më e vështirë. Shtoi se përballen me lloje të ndryshme të diskriminimit dhe pasigurisë, ndërsa si problem përmendi të drejtën e votës dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Daçiqi theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut për kontestin me Prishtinën i cili zhvillohet nën patronazhin e BE-së si dhe anëtarësimit në Union si prioritet kryesor i politikës së jashtme.

"Lidhur me pranimin e Kosovës në OSBE do t'ju lusja kur flisni për integritetin territorial të keni parasysh se ai është një parim universal i cili vlen për të gjithë", tha Daçiqi i cili shtoi se Jugosllavia ka qenë një shtet me gjashtë njësi federale, jo shtatë.

Foto: OSBE

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR