Dëshmi e një punonjësi në “Safe city” për vrasjen e dyfishtë të Vanjës dhe Pançes, gjykimi vazhdon më 16 dhjetor
- Në gjykimin e sotëm për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit dëshmoi Mirçe Mirçevski, punonjës i MPB-së në sektorin “Qyteti i sigurt” (Safe city). Ai deklaroi se më 27 nëntor, ditën e zhdukjes së Vanjës kanë kontrolluar zonën e Qytetit të Shkupit.
- Post By Fami Bajrami
- 14:20, 25 nëntor, 2024
Shkup, 25 nëntor 2024 (MIA) - Në gjykimin e sotëm për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit dëshmoi Mirçe Mirçevski, punonjës i MPB-së në sektorin “Qyteti i sigurt” (Safe city). Ai deklaroi se më 27 nëntor, ditën e zhdukjes së Vanjës kanë kontrolluar zonën e Qytetit të Shkupit.
"Kemi kontrolluar një zonë të Qytetit të Shkupit, pastaj kemi kontrolluar sipas paralajmërimeve, derisa hetimet e mëtutjeshme e kanë lidhur veturën Citroen të djegur në Brazdë, personin e zhdukur nga Velesi me vajzën", tha Mirçevski.
Mirçevski tha se kanë ndjekur lëvizjen e makinës Citroen më 24 nëntor nga lagja Maxhari deri në vendin ku ka jetuar vajza.
"Nga 'Maxhari' shkon në vendin ku jetonte vajza dhe më pas largohet dhe i njëjti pas një kërkimi më 27 nëntor e gjejmë duke ardhur nga Buteli dhe prej andej shkon në vendin ku ka ndodhur rrëmbimi i vajzës, pastaj e gjejmë në rrugën 'Partizanska' kthehet kah 'Ruzveltova', pastaj 'Orce Nikollov' dhe del te Fakulteti i makinerisë dhe kthen te MIDA, pastaj nga 'Aleksandar pallas' humbet", sqaroi ai.
Dëshmitari ka thënë se gjithë hetimin e ka drejtuar kryeshefi Dejan Dimovski me kolegët e tij, ndërsa, siç tha, “kemi dhënë sugjerime dhe kemi kontrolluar informacionet nga terreni”.
Në gjykimin për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski sot madje dëshmuan persona zyrtarë të cilët ishin të angazhuar që ta dërgojnë të akuzuarin Velibor Manev deri në vendin ku ishte varrosur trupi i Zhezhovskit.
Dëshmitari Igor Janushev, person zyrtar i angazhuar për ngjarjen deklaroi se sipas dëshmive të Velibor Manevit, ata kishin lëvizur drejt Velesit, ku Velibori kishte deklaruar: “Këtu është vendi, këtu ka njeri të varrosur”.
“Rruga deri në atë vend ishte e pakalueshme dhe me gropa, prandaj veturat i lamë më poshtë. Pas mbërritjes në vendin e quajtur Kulla, Velibori na tregoi edhe një vend të mbuluar me degë, pas çka e kthyem prapa në stacionin e policisë Kisella Vodë”, tha dëshmitari.
Zoran Abaz, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dëshmoi se më 3.12.2023 ishte angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve zyrtare për ta dërguar një person nga një vend në vend tjetër.
“Pas marrjes së detyrës konkrete, e morëm personin dhe e dërguam deri në pikëpagesën Veles, ku e pritën kolegët. Velibori i jepte udhëzimet deri në vendin ku duhej të gërmohej gropa që të gjendet trupi. Kur filluan të punonin ishim këtu, pas kësaj duhej të ktheheshim në stacion, e morëm personin dhe u kthyem në stacion”, tha ai.
Deri më tani, në seancat e kaluara gjyqësore dëshmuan nëna e Vanjës, vajza e Zhezhoskit dhe bashkëshorti i saj, si dhe shumë persona të përfshirë në hetimin për dy vrasjet, në mesin e të cilëve inspektorë dhe anëtarë të partisë politike “E djathta”.
Ishte marrë në pyetje familja e babait të Vanjës, si dhe shumë të njohur të të akuzuarit Pallço. Në seancën e parë gjyqësore të mbajtur të akuzuarit Lupço Palevski, Boro Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë. Sipas akuzës, ata bashkë planifikuan grabitjen e vajzës 14-vjeçare me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj më të ngushtë të japë të holla si shpërblim. Përderisa grabitja e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles ishte bërë me qëllim që ta detyrojnë që tua japë veturën “Citroen” që ta shfrytëzojnë për grabitje të fëmijës në Shkup.
E mitura Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët ishin raportuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ishin gjetur të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023. Lidhur me këtë rast është i dyshuar edhe një person për ndihmë pas kryerjes së veprës penale kundër të cilit procedura do të zhvillohet veçmas.Gjykimin e udhëheq gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Zhaklina Kërstevska.
Gjykimi vazhdon më 16 dhjetor.