• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dënime të ashpra nga KB dhe BE për granatimin rus të Odesës, pas marrëveshjes së djeshme për eksport të grurit nga Ukraina

Dënime të ashpra nga KB dhe BE për granatimin rus të Odesës, pas marrëveshjes së djeshme për eksport të grurit nga Ukraina
Nju-Jork/Bruksel/Kiev, 23 korrik 2022 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh dhe shumë vende perëndimore sot shumë shpejtë e dënuan sulmin me raketa të Rusisë ndaj portit Odesa, vetëm një ditë pasi ishte nënshkruar marrëveshja për zhbllokimin e eksportit të grurit ukrainas përmes Detit të Zi. "Sekretari i përgjithshëm padyshim që i dënon sulmet e sotme me raketa ndaj portit ukrainas Odesa. Dje të gjitha palët ndërmorën detyrim të qartë që në skenën globale të sigurojnë lëvizje të sigurt të drithërave ukrainase dhe produkte të ngjashme në tregjet globale", njoftuan Kombet e Bashkuara. "Këto produkte janë shumë të nevojshme që të zgjidhet kriza globale ushqimore dhe të lehtësohet vuajtja e miliona njerëzve nëpër botë. Zbatimi rus, ukrainas dhe turk i marrëveshjes është imperartiv", shtohet në kumtesën e KB-së. Rusia, Ukraina, Turqia dhe KB-ja dje në Stamboll nënshkruan marrëveshje për zhbllokimin e eksportit të grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi. Ukraina është një nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë të grurit, ndërsa nga bllokada ishin goditur edhe vendet e varfra që varen nga gruri ukrainas. Ambasadorja e SHBA në Kiev, Brixhit Brink, deklaroi se Kremlini "vazhdon të përdorë ushqimin si armë dhe se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për këtë", ndërsa shefja e diplomacisë gjermane Analena Baerbok tha se ai është "sulm qyqar" dhe se "kjo tregon se nënshkrimi i Rusisë vlen pak”. Shefi i diplomacisë evropiane, Zhosep Borel, ashtu si Baerbok, tha se sulmi tregoi se Rusia "nuk respekton plotësisht ligjin dhe detyrimet ndërkombëtare". Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, tha se me sulmin me raketa në Odesa, Putini i “pështyu në fytyrë sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan”. Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Andrij Jermak, akuzoi Rusinë se "krijon sistematikisht një krizë ushqimore dhe bën gjithçka për t'i bërë njerëzit të vuajnë" dhe sugjeroi se mbrojtja më e mirë kundër kësaj janë sanksionet dhe më shumë armë për Ukrainën. Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës Jurij Ignat tha se rusët shënjestruan zonën ku ndodhej gruri. Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski, nga ana tjetër, pretendon se “sulmi vërteton vetëm një gjë: çfarëdo që Rusia të thotë dhe premtojë, do të gjejë një mënyrë për të mos e zbatuar atë (marrëveshjen për drithërat). Ministria ruse e Mbrojtjes sot nuk i komentoi akuzat për sulmin me raketa ndaj Odesës. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR