• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Bytyqi-Pajat: Partneriteti strategjik i SHBA-së me Maqedoninë e Veriut nxit bashkëpunim edhe më të thellë ekonomik

Bytyqi-Pajat: Partneriteti strategjik i SHBA-së me Maqedoninë e Veriut nxit bashkëpunim edhe më të thellë ekonomik

Shkup, 26 shtator 2023 (MIA)- Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, në Departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington, pati takim me Xhefri Pajat, ndihmës sekretar shtetëror për resurse energjetike.

Në takim, zëvendëskryeministri Bytyqi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen ekonomike që Maqedonia e Veriut në vazhdimësi e merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa e informoi ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për aktivitetet e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e terminalit të gazit Aleksandropuli, i cili në afat të mesëm do të garantojë diversifikimin e burimeve për furnizimin me gaz.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se Maqedonia e Veriut është një nga vendet e pakta në botë që deri një vit më parë ishte 100% e varur nga gazi nga Rusia. Në fund të vitit 2022 u hapet rruga furnizuesve të tjerë duke rritur kapacitetin e interkonektorit me Bullgarinë dhe është projekti për interkonektorin me Greqinë dhe lidhja e gazit me Aleksandropulin që do ta bëjë vendin të pavarur nga energjia ruse.

Zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi se përveç krizës energjetike që preku vendin tonë, por edhe mbarë botën, Qeveria ka mbetur e përkushtuar për të investuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe sigurimin e një tranzicioni të qëndrueshëm energjetik, i cili gjithashtu do të zvogëlojë emetimet e gazeve serrë.

Nga ana e tij, Pajat rikonfirmoi partneritetin strategjik të SHBA-së me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa tha se marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve inkurajojnë bashkëpunimin edhe më të thellë ekonomik.

Në takim u diskutua edhe për nevojën e zëvendësimit të thëngjillit me burime të rinovueshme, ku konkluzioni i përbashkët ishte se Maqedonia e Veriut duhet të ndjek shembullin e SHBA-së, ku energjia elektrike e prodhuar nga burimet e rinovueshme në vitin 2022 tejkaloi prodhimin e energjisë elektrike nga thëngjilli.

Zëvendëskryeministri Bytyqi me këtë rast vuri në dukje harmonizimin e politikave energjetike të Qeverisë, e cila përmes teknologjive moderne energjetike dhe mobilizimit të financave, i hap rrugën një të ardhmeje të qëndrueshme dhe prosperuese energjetike që zbut ndryshimet klimatike, përmirëson sigurinë energjetike dhe inkurajon rritjen ekonomike.

Ai shtoi se ndërtimi i burimit më të madh të kapaciteteve hidrike për projektin “Çebren”, me një vlerë investimi të vlerësuar prej një miliardë euro, parashikon një kapacitet bazë të prodhimit të energjisë prej 300-330 MW.

Foto: Qeveria e RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR