• e shtunë, 23 nëntor 2024

Bytyqi: Të rinjtë duhet të zhvillojnë aftësi novatore për të rritur punësimin në kushtet e digjitalizimit të ekonomisë

Bytyqi: Të rinjtë duhet të zhvillojnë aftësi novatore për të rritur punësimin në kushtet e digjitalizimit të ekonomisë

Shkup, 11 maj 2023 (MIA) - Derisa ekonomia moderne kalon në një theks më të madh në inovacionin mjedisor dhe digjital, të rinjtë do të duhet të zhvillojnë aftësi të reja për të avancuar në këtë peizazh të ndryshueshëm. Shkathtësi që mund të jenë veçanërisht të vlefshme në kuadrin e trajektoreve të reja zhvillimore që i vendosen ekonomive kombëtare në shekullin e 21-të, tha zëvendës kryeministri, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi para studentëve të Fakultetit Ekonomik - Shkup.

Bytyqi, me ftesë të dekanit prof. Dr. Predrag Tërpeski mbajti ligjëratë me temën “Si të arrihet punësim më i madh në kushtet e digjitalizimit të ekonomisë”.

Zëvendëskryeministri theksoi se zhvillimi i shkathtësive të arsimimit digjital, ndërgjegjësimi i fortë për mjedisin, kreativiteti dhe inovacioni i theksuar, fleksibiliteti dhe përshtatshmëria, komunikimi dhe bashkëpunimi, mënyra e të menduarit sipërmarrës dhe edukimi financiar po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për rritjen e punësimit të të rinjve dhe qasjen e tyre në tregun e punës në dekadën e tretë të shekullit të 21-të.

Битиќи одржа предавање на студентите на Економскиот факултет ФОТО/Влада

“Burimet ekonomike për zhvillimin e shtetit po humbasin bazën e tyre materiale, digjitalizimi si proces kryesor i Revolucionit të Katërt Industrial kërkon llogaritjen e faktorëve krejtësisht të rinj për krijimin dhe zbatimin e suksesshëm të politikave kombëtare të zhvillimit që do të synojnë krijimin e shanseve reale për sukses dhe vende më mirë të paguara pune për të rinjtë. Rëndësia e digjitalizimit po rritet në mënyrë progresive nga bujqësia në industri, nga industria në shërbime”, tha Bytyqi.

Në fjalimin e tij, ai vlerësoi se rritja e digjitalizimit rrit produktivitetin dhe produktivitetin e punës, gjë që sjell edhe rritjen e konsumit për shkak të të ardhurave reale më të larta, duke shtuar se tranzicioni i gjelbër i ekonomisë ndikon pozitivisht edhe në punësimin e të rinjve.

“Tranzicioni në një ekonomi të gjelbër mund të ndihmojë në krijimin e vendeve dinjitoze të punës, duke kontribuar gjithashtu në qëndrueshmërinë ekologjike të sistemit ekonomik. Të rinjtë që kanë një arsim modern, shkathtësi dhe talente të zhvilluara, janë në një pozicion të mirë, me kreativitetin dhe zgjuarsinë e tyre, për të përfituar nga kalimi në një ekonomi të gjelbër”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Studentëve iu drejtua edhe kryetarja e Organizatës së Punëdhënësve, Vlladanka Trajkovska, e cila theksoi nevojën që arsimi të përshtatet me nevojat e ekonomisë.

Битиќи одржа предавање на студентите на Економскиот факултет ФОТО/Влада

“Duhet përshtatje e shpejtë e kërkesës dhe ofertës së fuqisë punëtore, duhet të zhvillohen programe arsimore sipas nevojave të ekonomisë në vendin tonë”, tha kryetarja e Organizatës së Punëdhënësve, Vlladanka Trajkovska.

Trajkovska u tha studentëve se me më shumë praktikë në kompani, të rinjtë mund të ngritin njohuritë e tyre dhe në këtë mënyrë të rrisin punësimin e tyre në tregun e punës.

Dekani prof. dr. Predrag Tërpeski theksoi se digjitalizimi është ai që përcakton drejtimin e zhvillimit të ekonomisë, ndërsa tregu i punës po kalon ndryshime dhe procese thelbësore.

“Nga futja në rritje e proceseve që mbështeten në inteligjencën artificiale, një numër i madh profesionesh do të jenë nën kërcënimin e zhdukjes, të mos jenë më në tregun e punës. Ky është një realitet edhe për vendin tonë, ndaj duhet t’u përgjigjemi këtyre sfidave”, tha prof. dr. Tërpeski. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR