Bytyqi: Shëndetësi publike pa participim dhe paga më të larta për personelin mjekësor
- Post By Arta Bunjaku
- 13:23, 21 prill, 2024
Shkup, 21 prill 2024
“Te shëndeti i qytetarëve tanë janë zemra dhe shpirti i vendit, kurse qeveria socialdemokrate e ka për detyrë të sigurojë që këtë ta ruajë dhe mbrojë. Për t’u bërë kjo, nevojitet një sistem shëndetësor cilësor tek i cili do të kenë qasje të gjithë, ku investimet në pajisje dhe spitale moderne mjekësore, personeli mjekësor i trajnuar mirë dhe pagat konkurruese nuk paraqesin luks! Këtë e kuptojmë si shprehje të përkushtimit dhe shqetësimit për dinjitetin e secilit qytetarit tonë”, tha në konferencën e sotme për shtyp, Fatmir Bytyqi, bashkëbartësi i listës së kandidatëve për deputetë nga Njësia Zgjedhore Nr. 2, nga “Koalicioni për Ardhmëri Evropiane”, në Shuto Orizare, Shkup.
Ai në deklaratë përkujton se LSDM-ja ka bërë rritje rekorde të pagave të personelit mjekësor, gjegjësisht pagat e infermierëve janë rritur për mbi 20%, tek mjekët e përgjithshëm kjo rritje është 25%, specialistët fitojnë 40% më shumë.
"Rritëm për 15 për qind koeficientët për kujdestari dhe për herë të parë siguruam pagesën e pagave për specializantët privatë në masën e pagës mesatare që kanë mjekët e përgjithshëm", tha Bytyqi.
Duke folur për programin parazgjedhor të LSDM-së “Programin për Ardhmërinë Evropiane”, ai bëri të ditur se edhe në katër vitet e ardhshme do të vazhdojë rritja e pagave për personelin mjekësor në shëndetësinë publike.
"Mjekët specialistë do të kenë paga nga 140.000 deri në 180.000 denarë, mjekët e përgjithshëm do të kenë pagë mujore deri në 120.000 denarë, ndërsa infermierët nga 60.000 deri në 90.000 denarë. Kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve nuk ka improvizime dhe kompromise, prandaj ata që kujdesen për ta do të shpërblehen me dinjitet.”, tha Bytyqi duke porositur se “do t’i kthejmë mjekët nga jashtë".
Nënkryetari i LSDM-së dhe bashkëbartësi i listës së kandidatëve për deputetë nga Njësia Zgjedhore Nr. 2, paralajmëroi investim në gjeneratat e ardhshme të mjekëve.
"Do t’i dyfishojmë kuotat e fakulteteve të mjekësisë, stomatologjisë dhe farmacisë në vend. Do ta rrisim për 100% prodhimin vjetor të personelit mjekësor. Të gjithë studentët do të lirohen nga shpenzimet, me ç’rast në vend të prindërve ato do të mbulohen nga Qeveria. Statusin e specializantëve do ta barazojmë mes praktikantëve 'shtetëror dhe privat' dhe secili prej tyre do të marrë kompensim fillestar mujor prej 60.000 denarë. Për çdo specializant do të hapet një vend pune në rrjetin shëndetësor, duke vërë fokusin tek fushat dhe qytetet mjekësore prioritare në vend dhe deri në vitin 2028 do të kemi 1000 specializantë të rinj", tha Bytyqi.
Ai paralajmëroi investime edhe në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore.
"Do të punojmë në modernizimin dhe rajonalizimin e qendrave onkologjike në vend (Shkup, Manastir, Shtip, Tetovë, Kumanovë) në mënyrë që pacientët me sëmundje malinje terapinë moderne më lehtë ta marrin sa më afër shtëpive të tyre", tha Bytyqi.
Nënkryetari i partisë njoftoi se në mandatin e ardhshëm të Qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja do të hiqet participimi në shëndetin publik.
"Shëndetësia publike do të jetë falas për të gjithë të siguruarit, nuk do të ketë më participim! Por shëndetësia publike falas nuk do të shkaktojë shpenzime shtesë, e as nuk do të rriten kontributet e sigurimeve shëndetësore - ato do të mbeten më të ulëtat në rajon, në nivelin 7.2%", tha Bytyqi.
Ai theksoi se ndryshimet janë të nevojshme, por do të bëhen me debat publik, përmes të cilit do të ofrohet një sistem për të përcaktuar një paketë shërbimesh shëndetësore, me një nivel të përshtatshëm cilësor dhe periudhë kohore, për të cilën do të përshtaten kontributet në lidhje me paketat e mbrojtjes shëndetësore.
"Ne e dimë se nuk ka zgjidhje të shpejta, por së bashku me shumicën e qytetarëve, kemi besim se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet e vetmja rrugë për ndryshime pozitive thelbësore dhe të qëndrueshme në shëndetësi. Prandaj, LSDM-ja nuk heq dorë nga e ardhmja", tha Bytyqi nga Shuto Orizare.
LSDM NJZ 2
Foto: LSDM NJZ 2
_______________________________________________________________________________
МIА këto tekste i publikon në formë integrale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre.