• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bytyqi: Raporti i Bankës Botërore me të dhëna alarmante dhe shkatërruese për gjendjen ekonomike në vend

Bytyqi: Raporti i Bankës Botërore me të dhëna alarmante dhe shkatërruese për gjendjen ekonomike në vend

Shkup, 19 tetor 2024 (MIA) - Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi sot në konferencë për shtyp deklaroi se Banka Botërore në raportin e saj më të fundit për Maqedoninë ka paraqitur të dhëna alarmante dhe shkatërruese për gjendjen ekonomike të vendit. Ky raport nuk është një dokument teknik, por një pasqyrë e përditshmërisë nga gjysma e dytë e vitit aktual – rritje e çmimeve, shkatërrim i standardit të jetesës, heqje dorë nga plani për rritjen e pagave.

Sipas Bytyqit, ekonomia jonë është në rënie të lirë dhe në vend të rritjes së pritur ekonomike prej 2,5 për qind, këtë vit, sipas Bankës Botërore, do ta përfundojmë me vetëm 1,8 për qind rritje të BPV – një sinjal i qartë që politikat ekonomike e VMRO-DPMNE janë plotësisht të pasuksesshme.

"Në raport qartë vihet re se arsyeja kryesore për këtë rënie është qasja “e ngrohtë-ftohtë” ndaj realizimit të projekteve kryesore infrastrukturore – Korridoret 8 dhe 10D, të cilat duhej të sillnin përfitime ekonomike, por VMRO-DPMNE i mban në letër. Në vend që të ecim përpara, qeveria ka lejuar që këto projekte të mbesin të bllokuara, gjë që ka pasoja katastrofale për BPV-në. Për më tepër, ndërsa dëgjojmë premtime të mëdha për investime në sektorin e energjisë, sipas Bankës Botërore këtu po grumbullohen probleme që përbëjnë një rrezik real për të përshpejtuar rënien e ekonomisë", tha Bytyqi.

Deputeti i LSDM-së thekson se në një situatë të tillë, drita në fund të tunelit, sipas Bankës Botërore, mund të jetë vetëm Plani për Rritje i Bashkimit Evropian, i cili së bashku me masat tashmë të vendosura për rritjen e pagave dhe mbështetjen e kompanive (vendase dhe të huaja) mund të sjellë një impuls pozitiv në ekonominë e Maqedonisë.

Kjo është rruga që duhet të ndjekim – rruga drejt Evropës, drejt stabilitetit dhe modernizimit. Por në vend të kësaj, Qeveria vazhdon të marrë borxhe në mënyrë të pakontrolluar me kredi që do ta sjellin vendin në një situatë të komprometuar jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në atë gjeopolitik", tha Bytyqi.

Në fund të vitit deficiti fiskal do të arrijë në 4,9 për qind, ndërsa borxhi publik do të rritet në një përqindje shqetësuese prej 63,5 për qind të BPV-së.

"Me huanë e re të shpallur prej 500 milionë euro nga Hungaria, mund të presim që borxhi publik të afrohet në 70% të BPV-së. Një rrugë që të çon në katastrofë ekonomike. Po krijohet një borxh që ekonomia nuk ka kapacitetin ta mbështesë përmes krijimit të vlerave të reja. Norma e interesit prej 3,25%, e lavdëruar aq shumë nga qeveria, është më e lartë se rritja e pritshme e BPV-së për 1,45 pikë përqindjeje.

Sipas tij, Qeveria nuk mund të kontrollojë situatën – njerëzit mezi po përballojn muajin. Nuk duhet të harrojmë që edhe masat e qeverisë për kufizimin e marzhit në një pjesë të vogël të produkteve ushqimore janë një dështim absolut.

"Ekonomia mund dhe duhet të rikuperohet, por për këtë nevojitet një qeveri që di si të menaxhojë me burimet e shtetit, që është transparente dhe që do të mbrojë interesat e të gjithë qytetarëve, e jo interesat e një pakice të privilegjuar", tha Bytyqi në konferencë për shtyp.

Deputeti i LSDM-së tha gjithashtu se kthimi i TVSH-së po bëhet problem serioz për ekonominë e Maqedonisë, aq më tepër që, siç thotë, kthimi TVSH-së ndikon drejtpërdrejt në likuiditetin e vetë kompanive.

"Sipas informacioneve të mia, diku rreth 1500 kompani presin më shumë se një muaj, e disa deri në tre muaj, dhe borxhi i përgjithshëm që kompanitë duhet të marrin nga DAP është nga 250 deri në 300 milionë denarë, diçka që nuk ka ka ndodhur në shtatë vitet e fundit. Po ashtu, këshilli që duhet të mblidhet për kthim të TVSH-së në kuadër të DAP-it nuk është mbledhur për katër muaj", tha Bytyqi.

Kjo, sipas tij. tregon se po i rikthehemi epokës së pagesës selektive të TVSH-së që ishte karakteristikë dhe praktikë deri në vitin 2016. ls/

Foto: LSDM

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR