• e diel, 24 nëntor 2024

Bytyqi: Nga 1 korriku, sërish e mundur tarifa ditore e lirë e energjisë elektrike

Bytyqi: Nga 1 korriku, sërish e mundur tarifa ditore e lirë e energjisë elektrike

Shkup, 26 maj 2023 (MIA) - Nga 1 korriku i këtij viti, qytetarët me gjasë do të kenë mundësinë të përdorin sërish tarifën ditore të lirë të energjisë elektrike, bëri të ditur sot zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Ekonomike, Koordinimin e Resorëve Ekonomik dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi.

"“Po bëhen analizat përfundimtare nëse tarifa e lirë mund të kthehet dhe me shumë gjasa do të kthehet nga 1 korriku", tha Bytyqi në paraqitjen e ftuar në "Programin e mëngjesit" në televizionin Telma.

Ai theksoi se vlerën e çmimit të energjisë elektrike përmes parametrave adekuat e përcakton Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE), i cili pritet ta sjellë vendimin përfundimtar kah fundi i qershorit.

""Kemi një muaj e gjysmë përpara dhe nuk varemi vetëm nga prodhuesit vendor të energjisë elektrike", theksoi Bytyqi, duke shtuar se si të gjitha vendimet në një vit e gjysmë të fundit, edhe ky do të jetë në favor të qytetarëve.

Gjatë vizitës, zëvendëskryeministri njoftoi gjithashtu se shkalla e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë elektrike nga 10 për qind gradualisht do të kthehet në 18 për qind, për të cilën analizat janë drejt përfundimit.

Bytyqi thekson se për herë të parë që nga pavarësia e vendit, qeveria aktuale po punon për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, e cila duhet t'i hapë rrugën zhvillimit të ardhshëm të vendit.

"Në çdo fushë strategjike do të përcaktohet qartë se ku duam të arrijmë. Ky është vizioni dhe në periudhën e ardhshme do të punohet në planin e veprimit se si ta arrijmë atë", tha zëvendëskryeministri Bytyqi, duke shtuar se përmes kësaj Strategjie do të hartohen sfidat aktuale dhe ekzistuese të shoqërisë, me fokus në ndërtimin e kapaciteteve të duhura në mënyrë që shteti të jetë i gatshëm dhe të jetë në gjendje të përballojë me sukses sfidat e ardhshme.

Sipas tij, procesi i krijimit të kësaj Strategjie Kombëtare të Zhvillimit ka një rëndësi të madhe për të ardhmen dhe kërkon një qasje metodike dhe të kujdesshme, sepse do të jetë, siç tha ai, një dokument strategjik vizionar që do të përcaktojë rrugën e zhvillimit të vendit në 20 vitet e ardhshme, për shkak të kësaj janë kryer konsultime të gjera për të ndërtuar konsensus ndër brezash, ndëretnik, ndërpartiak dhe gjinor ndërmjet aktorëve kryesorë shoqërorë.

"Nëse shihni se kush është i përfshirë në krijimin e kësaj strategjie, ata janë ekspertë kombëtarë, njerëz nga shteti. Kur është bërë hartëzimi dhe analiza e 25 fushave, janë përfshirë 28 ekspertë kombëtarë dhe ka pasur mbi 30 punëtori vizionare me mbi 3000 bashkëqytetarë tanë", tha Bytyqi.

Ai theksoi se i gjithë procesi ka përfshirë biznesin dhe sektorin civil, të rinjtë, punonjësit e institucioneve, si dhe partitë politike nga pushteti dhe opozita dhe kjo qasje, sipas tij, është tregues se si shoqëri po fillojmë ngadalë për të gjetur një konsensus për çështje të rëndësishme për shtetin. sa/

Foto: Skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR