• e premte, 27 dhjetor 2024

Bytyqi: Ndihma financiare e qeverisë i zhvillon kompanitë vendore të cilat në këmbim hapin vende të reja pune për qytetarët tanë

Bytyqi: Ndihma financiare e qeverisë i zhvillon kompanitë vendore të cilat në këmbim hapin vende të reja pune për qytetarët tanë

Shkup, 25 korrik 2023 (MIA) - Vetëm në Rajonin e Shkupit Qeveria financiarisht ka përkrahur 181 kompani të cilat deri më tani kanë marrë rreth 1 miliard e 200 milionë denarë ndihmë financiare për ciklet e tyre investuese, tha sot zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për Çështje Ekonomike, Koordinim me Resorët Ekonomikë dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, pas vizitës në kompaninë familjare "Burdem Plastik". 

Gjatë vizitës në linjat prodhuese të kompanisë, Bytyqi siç deklaroi, ka parë investime intensive në modernizimin e pajisjeve.

"Jam i lumtur që shoh se ndihma financiare e Qeverisë për këtë kompani ka kontribuar në pasurimin e linjës së produkteve me shumë artikuj të rinj dhe me modele të fundit të produkteve plastike. Përmes marrëveshjes për mbështetje financiare për periudhën 2018-2022, për masat rritje e investimeve kapitale dhe rritje e konkurrencës në treg, kompanisë Burdem Plastik i janë paguar mbi 2 milionë e 400 mijë denarë për një investim prej mbi 15 milionë denarë”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se ky është edhe synimi i Planit të Rritjes Ekonomike të vendosur në vitin 2017, për të zhvilluar kompanitë vendore, për t'i bërë ato konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa ato do të përgjigjen duke hapur vende të reja pune për qytetarët tanë.

"Burdem Pllastik", është kompani familjare e themeluar në vitin 2002, e cila merret me prodhimin e produkteve shtëpiake nga plastika.

Sead Sulejmani, menaxher i kompanisë, në deklaratën e tij është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë, e cila ka njohur cilësinë e kompanisë së tyre.

“Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë dhe vlerësojmë përpjekjet e tyre për të mbështetur bizneset familjare si ky i yni dhe i inkurajojmë që të vazhdojnë edhe më shumë në këtë drejtim”, tha Sulejmani.

Vizita e sotme është në kuadër të vizitave të tij në kompanitë nga Rajoni i Shkupit që janë në portofolin e Ligjit për Ndihmë Financiare për Investime. fc/

Fotografia: Qeveria e RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR