• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bytyqi në takim me MASIT: Liberalizimi i tregut të punës është i nevojshëm edhe për industrinë në rritje të TIK-ut

Bytyqi në takim me MASIT: Liberalizimi i tregut të punës është i nevojshëm edhe për industrinë në rritje të TIK-ut

Shkup, 8 maj 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi , mbajti sot një takim pune me Odën Ekonomike për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit - MASIT.

Në takim u diskutua për çështjen e mungesës së fuqisë punëtore në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut, situatë kjo që nuk e anashkalon as segmentin e industrisë së TIK-ut, prandaj përfaqësuesit e MASIT-it theksuan nevojën për liberalizimin e tregut të punës.

“Po përballemi me ndryshime strukturore që kërkojnë përshtatjen e shkathtësive të qytetarëve me nevojat e tregut të punës, vetëm kështu mund të ndërtohet një ekonomi që do të ndjekë mundësitë digjitale që i vihen përpara dhe kështu të rritet. Zhvillimi i shkathtësive digjitale tek popullata ekonomikisht aktive paraqet një bazë të mirë për rritjen e mëtejshme të industrisë së TIK-ut, por potenciale shtesë zhvillimore do të fitohen edhe me liberalizimin e tregut të punës”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Në takim, zëvendëskryeministri Bytyqi u njoh me disa nisma dhe procese të arsimit joformal që zbatohen nga sektori i TIK-ut në vend, të cilat u vunë në funksion në një periudhë të shkurtër kohore për të kryer rikualifikimin e punëtorëve sipas nevojave të kësaj industrie në rritje.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se dialogu me përfaqësuesit e odave ekonomike është i rëndësishëm për hapjen e temave thelbësore për shoqërinë.

“Ne duhet të arrijmë bashkërisht një pozicion më të mirë të kompanive vendore në proceset e digjitalizimit, në kuadër të dialogut publik-privat”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Kryetari i Bordit Drejtues të MASIT, Ilija Gospodinov theksoi se me komunikimin e krijuar përmes Komisionit për Dialog Publiko-Privat, fitohet vlerë e lartë për të gjithë faktorët në këtë proces për tejkalimin e vështirësive dhe sfidave me të cilat ballafaqohen kompanitë nga industria e TIK-ut.

“Ne jemi në rrugë për të gjetur mënyrën e duhur që do të japë rezultate, përmes një niveli më të lartë të komunikimit formal dhe hapave operacionalë do të arrijmë një dialog dhe ndërveprim më të mirë mes odave dhe qeverisë”, tha Gospodinov, duke theksuar nevojën për lehtësimin e dhe avancimin e procedurave administrative në fushën e punësimit të fuqisë punëtore në industrinë e TIK. bsh/

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR