• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bytyqi: Në politikë hyra për të bë ndryshimin dhe deri sa ajo të ndodh nuk heq dorë

Bytyqi: Në politikë hyra për të bë ndryshimin dhe deri sa ajo të ndodh nuk heq dorë

Shkup, 15 maj 2024 (MIA) - Fatmir Bytyqi, njëri nga nënkryetarët e Lidhjes Socialdemokrat, i cili dha dorëheqje nga posti partiak menjëherë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, sot në një postim në Fejsbuk shkruan se ka hyrë në politikë për të bërë një ndryshim dhe se nuk dorëzohet.

"Në politikë hyra për të bë ndryshimin dhe deri sa ajo të ndodh nuk heq dorë", ka shkruar Bytyqi në postimin, pa zbuluar më shumë detaje.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 8 maj, Bytyqi përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale ka dhënë dorëheqje nga posti partiak.

"Si nënkryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, i përkushtuar për vlerat etike dhe demokratike, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të partisë. Dorëheqja ime do të jetë plotësisht efektive kur të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe pjesa tjetër e shokëve të mi që përbëjnë kryesinë e partisë – nga i pari deri tek i fundit. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam kërkuar përgjegjësi personale nga të gjithë faktorët - dhe ky akt është pikërisht ai. Dhe dorëheqja e udhëheqësisë është një hap i domosdoshëm drejt rikthimit të besimit të qytetarëve dhe hapjes së rrugës drejt suksesit të ardhshëm politik", deklaroi Bytyqi.

Pas humbjes në zgjedhje, lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në deklaratë për media paralajmëroi zgjedhje të brendshme për të gjitha organet partiake si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

Nga LSDM-ja paralajmërojnë se javën e ardhshme organet më të larta partiake do të mbajnë mbledhje ku do të bëhen përgatitjet për thirrjen e Kongresit llogaridhënës, konform statusit të partisë.

"Janë duke u përgatitur për proceset që do të zhvillohen në parti, sipas procedurave statutore dhe asaj që është bërë e ditur publikisht deri më tani, pas zgjedhjeve. Javën e ardhshme janë planifikuar takime të kryesisë së LSDM-së dhe Këshillit ekzekutiv për të filluar procedurën për mbajtjen e Kongresit llogaridhënës, konform Statutit të partisë", njoftojnë nga partia. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR