• e shtunë, 09 nëntor 2024

Bytyqi në Nju-Xhersi: Mbështetja e shtetit për investime është mbështetje për suksesin në treg të kompanive të Maqedonisë në SHBA

Bytyqi në Nju-Xhersi: Mbështetja e shtetit për investime është mbështetje për suksesin në treg të kompanive të Maqedonisë në SHBA

Shkup, 22 shtator 2023 (MIA) - Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, së bashku me presidentin Stevo Pendarovski, në suaza të vizitës së punës në SHBA, me rastin e pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vizitoi kompaninë “Fast Pak Trejding”, në pronësi të Ivanço Ivanovskit, e themeluar para 30 vitesh, e cila distribuon mbi 1000 produkte të ndryshme të Maqedonisë në të gjitha shtetet e SHBA-së.

Gjatë vizitës në qendrën e shpërndarjes së kompanisë në Nju Xhersi, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi përkushtimin e Qeverisë për të kontribuar dhe zhvilluar kontaktet me diasporën, veçanërisht në drejtim të avancimit të lidhjeve ekonomike dhe krijimit të kushteve stimuluese që do të motivonin Maqedoninë e Veriut të njihet si mundësi reale për të zhvilluar biznesin e tyre.

Zëvendëskryeministri Bytyqi shprehu kënaqësinë që kompania “Fast Pak Trejding” është shembull se si një biznesmen nga diaspora jonë mund të kontribuojë në zhvillimin dhe avancimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet SHBA dhe Maqedonisë së Veriut, veçanërisht nga fakti se të gjithë furnizuesit të kompanisë “Fast Pak Trejding” janë nga Maqedonia e Veriut.

“Është kënaqësi të shoh se si sukseset e arritura në tregun amerikan prej mbi 300 milionë konsumatorë bazohen tërësisht në potencialin e ekonomisë në Maqedoninë e Veriut. Edhe më shumë më gëzon fakti se suksesi i tregut ndahet me kompani nga Maqedonia e Veriut, produktet e të cilave, falë aftësive sipërmarrëse të zotit Ivanovski, përfundojnë në tregun e SHBA. Kjo tregon se në ekonominë tonë kemi kompani konkurruese të afta për të ofruar produkte konkurruese edhe në ekonominë më të fortë në botë. Sukseset e “Fast Pak Trejding” janë konfirmim i politikave efektive të Qeverisë për mbështetjen e investimeve, sepse disa nga furnizuesit në Maqedoninë e Veriut janë të mbështetur financiarisht përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi pas një vizite në një nga qendrat e shpërndarjes së kompanisë.

Duke përgëzuar suksesin e kompanisë, zëvendëskryeministri Bytyqi mes tjerash i tha pronarit Ivanovski që njohuritë e tij sipërmarrëse t'i bartë në Maqedoninë e Veriut dhe në këtë mënyrë të përfshihet edhe më thellë në ndërtimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, për çka nga Qeveria mund të presin mbështetje të fortë partneriteti. bsh/

foto: Qeveria e RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR