• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bytyqi në Jabollçishtë të Epërme: Nga viti i ardhshëm shkollor 600 nxënës të SHF “Liria” do të ndjekin edukimin fizik në sallë moderne sportive

Bytyqi në Jabollçishtë të Epërme: Nga viti i ardhshëm shkollor 600 nxënës të SHF “Liria” do të ndjekin edukimin fizik në sallë moderne sportive

Shkup, 18 prill 2023 (MIA)- Më shumë se 600 nxënës të Shkollës Fillore “Liria” në komunën e Çashkës, nga viti i ardhshëm shkollor lëndën e edukimit fizik do ta mbajnë në sallën e re sportive që po ndërtohet, për të cilën janë ndarë mbi 317 mijë euro nga programi TAV, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës së sotme në fshatin Jabollçishtë të Epërme të Komunës së Çashkës. Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se përmes këtij projekti po përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve, por njëkohësisht po i japim fund mungesës së sallës sportive në shkollën fillore “Liria”.

“Sot jam në komunën e Çashkës, më saktësisht në fshatin Jabollçishtë të Epërme, ku po ndërtohet një sallë e re sportive në vlerë prej mbi 317 mijë euro, duke i dhënë fund problemit të mungesës së sallës sportive në shkollën fillore “Liria”.“Këtë sallë do ta shfrytëzojnë mbi 600 nxënës të cilët vijojnë mësimet në shkollën qendrore “Liria", por në të njëjtën kohë është një dëshirë e kamotshme e të rinjve në Jabollçishtë të Epërme”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi u shpreh i kënaqur me dinamikën e realizimit të projektit, i cili premton një sallë moderne gjatë vitit të ardhshëm shkollor.
 
“Përmes këtyre projekteve ne fuqizojmë infrastrukturën lokale në procesin arsimor dhe jam i kënaqur që shoh dinamikën e realizimit të kësaj salle sportive. Ecuria e ndërtimit do të thotë që gjatë vitit të ardhshëm shkollor nxënësit e kësaj shkolle të ndjekin lëndën e edukimit fizik në një sallë moderne me kushte bashkëkohore”, tha Bytyqi dhe shtoi se qëllimi i projekteve të TAV është pikërisht ky, të ndikojnë në cilësinë e jetës përmes ndërtimit të projekteve infrastrukturore që do të mundësojnë një jetë më të mirë për qytetarët në mbarë vendin.
 
Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se deri më sot kemi 70 për qind realizim të projekteve të filluara nga programi TAV, më saktë janë përfunduar 56 projekte në 56 komuna në mbarë vendin dhe aktualisht po punohet në 25 projekte.

Goran Stojanovski, kryetar i Komunës së Çashkës, falënderoi Qeverinë e RMV-së, e cila ia plotësoi kërkesën e tyre për ndërtimin e sallës sportive në Jabollçishtë të Epërme, sepse me këtë, dëshira e qytetarëve dhe të rinjve nga fshati Jabollçishtë të Epërme bëhet realitet.“Komuna e Çashkës, në periudhën e kaluar, me mbështetjen e Qeverisë, ka ndërtuar dy salla sportive, kjo është e treta, dhe është nder i veçantë për mua që mbi 600 nxënës të shkollës fillore dhe po aq të rinj së shpejti do të mund ta shfrytëzojnë këtë sallë sportive, e cila është dëshirë për të gjithë të rinjtë e këtij vendbanimi”, tha kryetari i Komunës së Çashkës, Goran Stojanovski.
 
Foto: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut
 
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR