• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bytyqi: Mbështetja për të rinjtë është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie

Bytyqi: Mbështetja për të rinjtë është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie

Shkup, 26 maj 2023 (MIA)- Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi  foli në fillim të diskutimit me temën “Strehimi dhe rinia në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Organizata për banim dhe banues (ODS) dhe Fondacioni Fridrih Ebert (FES). Zëvendëskryeministri Bytyqi në fjalimin hyrës tha se çështja e banesave është në qendër të vëmendjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për brezat e rinj.

“Tregu i banesave për shumë të rinj dhe familje mund të jetë i vështirë për t'u gjetur ose në një numër të madh i papërballueshëm, gjë që në kulturën tonë nënkupton gjithashtu pengimin e aftësisë së tyre për të arritur pavarësinë, stabilitetin dhe ndjenjën e përkatësisë. Sot jemi këtu përmes një diskutimi gjithëpërfshirës, për të ndarë njohuritë, përvojat dhe idetë, në mënyrë që të kuptojmë më thellë sfidat me të cilat përballen të rinjtë në qasjen e banimit adekuat dhe të dalim me masa apo modele praktike që do t’i përgjigjen nevojave të tyre të veçanta” tha Bytyqi.

Bytyqi theksoi se banimi nuk i referohet vetëm ofrimit të qasjes në një ndërtesë, banesë, shtëpi, por është një kategori më e gjerë sociale që përfshin krijimin e një komuniteti, kultivimin e mirëqenies dhe ndjenjës së përkatësisë.

“Të rinjtë kanë nevojë për stabilitet dhe mbështetje në mënyrë që të përparojnë, të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë. Kam bindjen se sot do të kemi diskutime të hapura, konstruktive dhe novatore që, ndër të tjera, do të hulumtojnë qasje dhe modele të reja që synojnë rritjen e qasjes së të rinjve ndaj opsioneve cilësore të strehimit, në përputhje me nevojat e tyre gjithnjë në zhvillim”, tha Bytyqi.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët të institucioneve kompetente shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të organizatave rinore dhe studentore dhe aktorëve të tjerë që janë palë e prekur, ne mund të krijojmë një të ardhme në të cilën çdo i ri do të ketë mundësinë të përparojë dhe të gjejë një vend që do ta quajë shtëpi.

“Mbështetja për të rinjtë është një nga prioritetet kyçe të kësaj Qeverie, prandaj po bëhen më shumë përpjekje institucionale, në nivel të politikave publike, për të rritur stabilitetin financiar dhe pavarësinë e tyre, gjë që mund të jetë edhe një faktor pozitiv në përmirësimin e kushteve të banimit. Do të përmend Planin operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2023, i cili synon gjithashtu rritjen e punësimit të të rinjve nëpërmjet rikualifikimit apo praktikës me pagesë. Për të rinjtë deri në 23 vjeç, të cilët punojnë në prodhimtari, kemi futur shtesë në pagë prej 3.000 denarë. Me këtë të drejtë në vitin 2021 mbuloheshin gjithsej 2500 persona, ndërsa në vitin 2022 numri u rrit në 3500 persona, presim që ky trend pozitiv të vazhdojë edhe këtë vit”, tha Bytyqi dhe shtoi se për herë të parë si Qeveri ne u ofruam të rinjve një pasqyrë dhe vizion të qartë për të ardhmen e vendit përmes Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2022-2042, me të cilën ata marrin një nxitje të fortë institucionale për t’i drejtuar pritshmëritë dhe aspiratat e tyre profesionale drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të mund të arrijnë ndjenjën e stabilitetit dhe përkatësisë ndaj komunitetit.

“Të rinjtë marrin respekt institucional edhe përmes Strategjisë Kombëtare për Rininë 2023-2027, e cila është një dokument strategjik që përcakton synimet dhe prioritetet për zhvillimin e politikave rinore dhe avancimin e interesave të të rinjve. Qëllimi kryesor i strategjisë është përmirësimi i pozitës së të rinjve në shoqëri duke u mundësuar të rinjve të realizojnë të drejtat, nevojat dhe interesat e tyre. Avancimi i kushteve të banimit për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut katalizohet më tej nga angazhimi ynë për përshpejtimin e dinamikës të proceseve integruese evropiane dhe përcaktimit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Bytyqi.

Në fund të fjalimit të tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se kjo tryezë duhet të përdoret si një mundësi për të hedhur themelet për një të ardhme më të ndritur për të rinjtë, në të cilën banimi nuk do të jetë pengesë, por një mbështetje shtytëse për aspiratat e tyre.

Foto: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR