• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bytyqi: Maqedonia është më e fortë atëherë kur i dëgjon të gjithë qytetarët e vet - në të gjitha gjuhët

Bytyqi: Maqedonia është më e fortë atëherë kur i dëgjon të gjithë qytetarët e vet - në të gjitha gjuhët

Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Maqedonia është më e fortë atëherë kur i dëgjon të gjithë qytetarët e vet - në të gjitha gjuhët, theksoi Fatmir Bytyqi - deputet në Kuvend nga radhët e LSDM-së dhe ish zëvendëskryeministër i Çështjeve Ekonomike në njoftimin në Fejsbuk në lidhje me seancën e Gjykatës Kushtetuese në të cilën njëra nga pikët e debatit është nisma për Ligjin e përdorimit të gjuhëve. 

"Në këtë moment, në orën 9:30, në sallën e Gjykatës Kushtetuese fillon një bisedë e pazakontë e shoqërisë sonë me vetveten, me dallimet, e cila mund të jetë dialog si proces gjithëpërfshirës ose monolog si akt përjashtues. Ky është një çast kur diskutohet për kohezionin e shoqërisë, për themelet e saj të përbashkëta. Në këto momente, kur salla e gjykatës bëhet arenë e përplasjes mes historisë dhe vizionit për të ardhmen, jemi të vetëdijshëm se nuk bëhet fjalë vetëm për ligjin apo Kushtetutën, por edhe për atë se çfarë shteti dëshirojmë të jemi", theksoi Bytyqi. 

Siç tha ai, Maqedonia është atdhe për të gjithë ne, nuk është vetëm territor – ajo është histori e jetës së përbashkët, e sfidave të përbashkëta, në të mirën dhe të keqen. Dhe në këtë histori të përbashkët, gjuha është simbol i shpirtit tonë, dinjitetit tonë dhe lirisë sonë.

"Me respekt për gjuhën maqedonase, unë, si shqiptar, e pranoj kuptimin dhe vlerën e saj për popullin maqedonas. E pranoj edhe mençurinë e Krste Misirkovit, i cili ka thënë: “Të heqësh dorë nga gjuha jote kombëtare do të thotë të heqësh dorë nga shpirti kombëtar dhe nga vetvetja”. Këto fjalë më frymëzojnë të shtoj se e njëjta e vërtetë vlen për të gjitha gjuhët në këtë shtet, pa marrë parasysh se cilën gjuhë flasim – maqedonase, shqipe apo ndonjë tjetër", theksoi Bytyqi.

Në këto momente, kur, siç theksoi, vetë mundësia për përdorimin e gjuhës shqipe vihet në pikëpyetje, jam i vetëdijshëm se ndoshta nesër dikush mund të përpiqet të më heshtë zërin. Por, gjuha është më shumë se fjalë – ajo është identiteti ynë, e drejta jonë për të qenë ata që jemi dhe besimi ynë në barazi. Të flasësh në gjuhën shqipe në këtë shtet do të thotë të besosh në një atdhe të përbashkët ku dallimet vlerësohen si pasuri. Maqedonia është më e fortë kur dëgjon të gjithë qytetarët e saj – në të gjitha gjuhët. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR