• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bytyqi dhe Shukova në Veles: Banesat sociale janë më shumë se një ndërtesë, janë shtëpi për ata që kanë më shumë nevojë

Bytyqi dhe Shukova në Veles: Banesat sociale janë më shumë se një ndërtesë, janë shtëpi për ata që kanë më shumë nevojë

Shkup, 18 nëntor 2023 (MIA)- Strehimi për shumë individë dhe familje mund të jetë i rëndë ose i vështirësuar, dhe kjo është arsyeja pse ne po ndërtojmë një mundësi reale për 29 familje të rrezikuara sociale nga Velesi, jetimë dhe persona me nevoja të veçanta që të kenë shtëpinë e tyre.

Kështu ka deklaruar Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, i cili së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, kanë vizituar Velesin ku kanë vizituar objektin social që ishte i ndërtuar në këtë qytet, dhe bënë një inspektim të rehabilitimit të rrugës rajonale Katllanovë-Veles.

Në deklaratën e tij për media, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se me këto banesa kategoritë e rrezikuara sociale të qytetarëve do të arrijnë pavarësinë, stabilitetin dhe do të ndërtojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj komunitetit.

“Prandaj sot jemi këtu në Veles, ku pamë këtë ndërtesë sociale pesëkatëshe, për të treguar se kujdesemi dhe krijojmë mundësi për ata që kanë më shumë nevojë. Po ndërtojmë një mundësi reale për 29 qytetarë të rrezikuar social, jetimë dhe persona me nevoja të veçanta, si dhe me paga të ulëta, që të kenë shtëpinë e tyre, një shtëpi për veten, familjet dhe fëmijët e tyre. Ndërtimi i 29 banesave ka përfunduar, pritet që së shpejti të bëhet dhe ndarja. Hapësira e banimit në këto banesa të reja sillet nga 30, 40 dhe 50 metra katrorë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi shtoi se nga viti 2017 deri më sot janë ndërtuar dhe janë në ndërtim e sipër 864 banesa sociale.

“Qeveria solidarizohet dhe krijon mundësi që të njëjtin numër të qytetarëve të rrezikuar social në të gjithë vendin të vijnë në shtëpitë e tyre. Askush nuk duhet të lihet jashtë, askujt nuk duhet t'i shkurtohet e drejta për shtëpi, as atyre që kanë nevojë në Makedonski Brod dhe as bashkëqytetarëve tanë në Butel”, tha Bytyqi.

Në deklaratën për media, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se Qeveria ka krijuar një rrjet solid të banesave sociale në mbarë vendin, në Strumicë, Probishtip, Vinicë, Sveti Nikollë, Gostivar dhe në shtator të këtij viti kemi shpërndarë një pjesë të çelësave të banesave sociale për bashkëqytetarët tanë në Demir Kapi, Gjevgjeli, ndërsa për Negotinë shpërndarja e banesave është në fazën përfundimtare dhe pritet lista përfundimtare, si dhe po ndërtohet në Koçan si dhe në Saraj dhe Dibër.

“Përmes ndërtimit të banesave sociale, Qeveria ofron një zgjidhje reale për pasigurinë e strehimit, një vendbanim të qëndrueshëm për të gjithë ata që janë në vështirësi ekonomike apo sociale. Me zhvillimin dhe zbatimin e këtij lloj projekti infrastrukturor, ne po ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse në të cilën çdo person, pavarësisht sfidave ekonomike dhe sociale, do të jetë në gjendje të përparojë dhe të kultivojë jetën e tij. Ne mbetemi të përkushtuar dhe të palodhur, çdo qytetar, pavarësisht statusit social-ekonomik, për të realizuar të drejtën e tij themelore njerëzore, të drejtën për strehim të sigurt dhe dinjitoz”, tha Bytyqi.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, në deklaratën e saj iu referua rehabilitimit të rrugës rajonale Katllanovë-Veles.

“Rehabilitimi i rrugës rajonale Katllanovë – Veles dhe lidhja e Velesit me Liqenin e Velesit do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik lokal, kushte më të mira të udhëtimit dhe numër më të madh të turistëve. Kjo nënkupton edhe lidhjen e dy segmenteve të rëndësishme - transport më të mirë dhe më të sigurt, por edhe kushte më të mira për menaxhimin e mbeturinave. Duke siguruar qarkullimin e mjeteve të transportit të mbeturinave, do të mundësohet funksionimi i sistemeve rajonale dhe menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave”, tha Shukova.

QËNDRONI TË LIDHUR