• e shtunë, 23 nëntor 2024

Byroja e Zhvillimit Rajonal filloi procesin e transformimit në agjenci

Byroja e Zhvillimit Rajonal filloi procesin e transformimit në agjenci

Shkup, 7 shtator 2023 (MIA) - Byroja e Zhvillimit Rajonal filloi procesin e transformimit në agjenci me qëllim që shteti të ketë institucion të akredituar i cili do të tërheqë më shumë mjete nga Bashkimi Evropian për zhvillim rajonal, paralajmëroi sot drejtori i Byrosë, Ramiz Rexhepi.

Siç theksoi në takimin e sotëm me gazetarët, për këtë tashmë ka vendim të Qeverisë, ndërsa është formuar edhe grup i punës nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, financiarisht e mbështetur nga USAID-i. Është përgatitur studim fizibiliteti me tre propozime për transfomimin, që është i nevojshëm që të përmbushen kushtet për shfrytëzimin e mjeteve nga BE-ja zhvillim rajonal. 

"Pritet që propozimi të shkojë në Qeveri javën e ardhshme dhe të hartohet një ligj transformues, pas së cilës do të fillojë procedura për akreditimin e agjencisë së sapoformuar në mënyrë që ne si shtet të mund të tërheqim fonde nga Bashkimi Evropian për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët në vendin tonë", tha Rexhepi dhe theksoi se edhe deri më tani Byroja ka pasur mundësi të marrë donacione nga BE-ja, UNDP-ja dhe SIDA.

Ai theksoi se komunat e dinë se gjithsesi marrin mjete për zhvillim rajonal të barabartë për çka deri më tani dorëzuan projekte më të vjetra, jo azhurne dhe jo cilësore në Byro dhe në rajonet planore.

Me qëllim që komunat në të ardhmen të përgatisin projekte më cilësore, siç tha, është marrë donacion prej 1,6 milionë dollarë nga Agjencia suedeze SIDA, ndërsa 400 mijë euro janë ndarë edhe nga Buxheti i shtetit. 

Për zhvillim të barabartë rajonal, shteti duhet të ndajë 1 për qind të PBB-së për të mbështetur projektet rajonale që do të ndihmojnë komunat të zhvillohen dhe të kenë kushte më të mira për qytetarët. Në vend janë tetë rajone planore, nga të cilat më i zhvilluari është rajoni planor i Shkupit, edhe pse ka edhe komuna më të vogla të cilat nuk janë mjaftueshëm të zhvilluara, dhe më pak i zhvilluar është rajoni planor verilindor. Byroja financon katër segmente – projekte për zhvillimin e rajoneve planore, zonave urbane, zhvillimit të fshatrave dhe zhvillimit të zonave me nevoja specifike zhvillimore. Në të njëjtën kohë, 55 për qind e mbështetjes shkon për rajonet planore dhe 15 për qind për tre segmentet e mbetura.

Byroja sot e prezantoi edhe projektin për transformim digjital në sektorin publik dhe privat „Go Green-fuqia kompjuterike bëhet e gjelbër", i cili është projekti i parë të cilin e realizon me para të BE-së dhe i cili merret me nevojën dhe sfidat gjatë uljes së konsumit dhe humbjeve të energjisë në procesin e digjitalizimit të shoqërisë. 

Siç tha udhëheqësja e sektorit për zbatimin e projekteve për zhvillim rajonal, Lidia Markov, transformimim digjital në sektorin publik dhe privat u bë prioritet evropian për rritjen e konkurencës dhe në mënyrë adekuate ai është edhe prioritet i ynë. 

E ardhmja në këtë segment, sipas profesorit Risto Ivanov, i cili është njohës i kësaj çështjeje, është nevoja për gjetjen e një zgjidhjeje sepse me përparimin e digjitalizimit, ndodh edhe një fenomen - infrastruktura dhe të dhënat digjitale konsumojnë energji dhe çojnë në shfaqje dhe humbje të energjisë.

Në këto sektorë, siç tha, janë paraparë investime të mëdha në digjitalizimin dhe çdo sektor duhet të ndërmarrë detyrim për aspektin e gjelbër. 

Igor Mishevski, konsulent i projektit e sqaroi Barometrin, gjegjësisht modelin për vlerësim të gatishmërisë së institucioneve në çfarë mase mund të digjitalizohen, si një nga aktivitetet e projektit. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR