• e martë, 24 dhjetor 2024

BP: Normat e interesit të bonove të thesarit dhe depozitat në dispozicion janë ulur me 0.25 pikë përqindje

BP: Normat e interesit të bonove të thesarit dhe depozitat në dispozicion janë ulur me 0.25 pikë përqindje

Shkup, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Bordi Ekzekutiv për politikë monetare në seancën e djeshme të rregullt vlerësoi se kushtet e fundit në ekonomi mundësojnë vazhdimin e normalizimit gradual të politikës monetare dhe për këtë u vendos që të ulet norma e interesit për bonot e thesarit me 0,25 pikë përqindjeje, në nivelin prej 5,55%, njoftoi Banka Popullore.

Në mbledhje u mor vendimi për uljen e normave të interesit për depozitat në dispozicion, gjithashtu me 0.25 pikë përqindjeje, në mënyrë që interesat e depozitave njëditore dhe 7-ditore të jenë përkatësisht 3.95% dhe 4%. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt është e pandryshuar dhe arrin në 10 miliardë denarë.

Me një ndryshim të tillë të normave të interesit, ruhet qasja e kujdesshme në drejtimin e politikës monetare, e cila kushtëzohet nga prania e vazhdueshme e rreziqeve që lidhen me mjedisin e jashtëm, por edhe me faktorë të brendshëm që ndikojnë në kërkesën agregate. Ende pritet që niveli i normave të interesit, së bashku me ndryshimet e mëparshme në rezervën e detyrueshme dhe masat makroprudenciale të marra, do të kontribuojnë në stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm dhe në stabilitetin e kursit të denarit në raport me euro", theksojnë nga BP.

Vendimi për politikën monetare bazohet në vlerësimet e inflacionit, i cili lëviz brenda pritshmërive, si dhe në lëvizjet e vazhdueshme favorizuese të tregut valutor. Norma vjetore e inflacionit pritej të përshpejtohet në muajin nëntor dhe arriti në 4.3% (3.5% në tetor), për shkak të çmimeve të ushqimeve. Kjo shpjegohet kryesisht me bazën më të ulët krahasuese nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, për shkak të masave të marra në atë kohë për të kufizuar përkohësisht rritjen e çmimeve. Në të njëjtën kohë, inflacioni bazë po ngadalësohet me bazë vjetore dhe ka rënie të mëtejshme të çmimeve të komponentit të energjisë. Efektet e bazës krahasuese për çmimet e ushqimeve do të kenë një ndikim të zgjatur, pra deri në fund të vitit norma vjetore e inflacionit pritet të qëndrojë pranë nivelit të muajit të kaluar. Pavarësisht lëvizjeve të tilla, mesatarisht për të gjithë vitin 2024, pritet që inflacioni të jetë 3.5%, pra brenda normës së parashikuar, sipas ciklit të projeksioneve të tetorit. Në sondazhet e KE-së për pritjet e konsumatorëve ende mbizotërojnë pritshmëritë për ulje çmimesh në periudhën e ardhshme. Për sa i përket çmimeve në bursë të produkteve parësore, sipas parashikimeve të fundit ato janë rishikuar në rënie, në përputhje me uljen e kërkesës globale.

Gjendja në tregun valutor është e qëndrueshme dhe lëvizjet janë të favorshme. Niveli i rezervave valutore në fund të muajit nëntor është 4,920 milionë euro, i cili është i mjaftueshëm për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të valutës vendase. Në përputhje me lëvizjet e favorshme të tregut valutor, Banka Popullore ndërhyri që nga fillimi i vitit me blerje neto të devizave, gjë që kontribuoi në arritje më të mira të rezervave valutore sesa pritej. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm, deficiti tregtar në tetor të vitit 2024 është aktualisht më i ulët krahasuar me pritjet për tremujorin e katërt të ciklit të projeksionit të tetorit. Realizimet në tregun valutor në fund të muajit nëntor janë në përputhje me flukset neto të parashikuara nga transfertat private. Suficiti i realizuar në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave në tremujorin e tretë të vitit 2024 është pothuajse në nivelin e projeksionit të tetorit, me dalje financiare neto të realizuara në përputhje me pritjet.

Lidhur me politikën e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), si një faktor që e merr parasysh edhe Banka Popullore, në seancën e fundit të dhjetorit, për herë të katërt këtë vit, është marrë vendim për uljen e normave të interesit me 0.25 pikë përqindjeje.

Rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2024 u përshpejtua mesatarisht dhe arriti në 3%, që është afër parashikimeve të Bankës Popullore. Rritja e arritur në tre tremujorët e parë të vitit është 2.6% dhe është pak më e lartë se sa pritej, me rishikime në rritje të të dhënave për gjysmën e parë të vitit. Sa i përket rreziqeve për rritje në periudhën e ardhshme, ato ende ekzistojnë dhe lidhen para së gjithash me zhvillimet në mjedisin e jashtëm, por edhe me intensitetin dhe dinamikën e realizimit të projekteve të infrastrukturës vendase.

Në sektorin monetar, depozitat dhe kreditë shënojnë norma solide të rritjes dhe lëvizjet për momentin janë përmirësuar nga pritjet për kuartalin e fundit të vitit. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR