• e enjte, 26 mars 2026

Bozhinovska në takim me përfaqësues të FMN-së – konfirmohet angazhimi për siguri energjetike dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik

Bozhinovska në takim me përfaqësues të FMN-së – konfirmohet angazhimi për siguri energjetike dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik

Shkup, 25 mars 2026 (MIA)- Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot realizoi një takim pune me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga shefi i misionit në vend, Nik Gigineishvili.

Në takim u diskutua për gjendjen aktuale ekonomike dhe planet e ardhshme të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale në lidhje me integrimin në tregun evropian të energjisë.

Ministrja Bozhinovska informoi përfaqësuesit e FMN-së për aktivitetet aktuale të Ministrisë në drejtim të përafrimit me standardet evropiane. Ajo theksoi se po punohet për përmbushjen e detyrimeve për efikasitet energjetik të ndërtesave publike, sipas të cilave çdo vit parashikohet të rinovohen të paktën 3% e sipërfaqes së përgjithshme të shfrytëzueshme të ndërtesave publike, gjë që përbën një hap të madh drejt uljes së konsumit të energjisë dhe përmbushjes së nevojave të qytetarëve.

Sa i përket gjendjes aktuale të çmimeve të karburanteve, ministrja prezantoi masat që po ndërmerr Qeveria për të parandaluar goditjet e çmimeve, duke shtuar se vendi aktualisht ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon. Ajo gjithashtu theksoi se do të vazhdohet me masa për mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve.

Në këtë drejtim, ministrja përmendi edhe programet për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike dhe subvencionet për kondicionerë, të cilat janë të orientuara drejt mbrojtjes së kategorive të cenueshme të qytetarëve.

Përfaqësuesit e FMN-së konfirmuan angazhimin e fortë të Qeverisë dhe të Ministrisë për përshpejtimin e hapave të ndërmarrë në përputhje me Agjendën e Reformave, me qëllim sigurimin e një sistemi të sigurt dhe modern elektroenergjetik.

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë me zbatimin e politikave të orientuara drejt arritjes së pavarësisë energjetike, zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit energjetik dhe tranzicionit të gjelbër.

Foto: Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale

QËNDRONI TË LIDHUR