• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bozhinovska: Me mbështetjen e BERZH-it, Maqedonia po hedh themelet për një rrjet të mençur energjetik

Bozhinovska: Me mbështetjen e BERZH-it, Maqedonia po hedh themelet për një rrjet të mençur energjetik

Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Lançimi i projektit për zhvillimin e rrjeteve inteligjente të energjisë elektrike, i cili synon të përmirësojë mundësitë për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në vend, është bazë për investimet e ardhshme dhe për trajtimin e sfidave në rrjetin elektrik, informon Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale.

Ky bashkëpunim i rëndësishëm, nën kujdesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe ministres së Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale Sanja Bozhinovska, u realizua midis MEPSO-s shtetërore dhe kompanisë Kolenko.

Në ngjarjen në Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale morën pjesë përfaqësuesi i BERZH-it në vendin tonë, Fatih Turkmenogllu, Ambasadori i Austrisë, Martin Pamer, Drejtori i MEPSO, Burim Latifi, Drejtori i Kolenko në vend, Nikola Bitrak dhe drejtori i Kolenko nga Gjermania, Hubert Hosp. Formalizimi i marrëveshjes u monitorua gjithashtu në internet nga Anja Shnajder e Bllumberg. 

"Ky projekt për zhvillimin e rrjeteve inteligjente të energjisë elektrike nuk është thjesht një strategji planifikimi, por janë hapa konkretë për të ardhmen e strukturës sonë energjetike. Si Ministri, ne jemi të përkushtuar për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme për transformimin tonë energjetik. Detyrimi ynë është të modernizojmë rrjetet tona energjetike. Ne kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë, burimeve tona dhe mjedisit tonë. Ne kemi mundësinë të ndërtojmë një rrjet që jo vetëm do të miratohet sot, por gjithashtu do të jetë themel i fortë për zhvillimin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse, së bashku me partnerët tanë, riafirmojmë angazhimin tonë për të krijuar rrjet inteligjent që u përgjigjet sfidave të kohës në të cilën jetojmë. Ky rrjet është e ardhmja dhe trashëgimia jonë", tha ministrja Bozhinovska. 

 

BERZH, siç u tha, është partner me Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, MEPSO dhe EVN Shpërndarja, duke siguruar burime ekspertësh për përgatitjen e Studimit.

"Dekarbonizimi i sektorit energjetik të Maqedonisë mbështetet vazhdimisht në mënyrë strategjike nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ne e mbështesim aktivisht MEPSO-n në përpjekjet e saj për të modernizuar dhe forcuar rrjetin energjetik dhe për ta zbatuar këtë plan në realitet. Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë vendin me tranzicionin energjetik", tha përfaqësuesi i BERZH në vendin tonë, Fatih Turkmenogllu.

"Maqedonia është në rrugën e duhur për të realizuar agjendën e saj energjetike, e cila përfshin integrimin e 1.7 GW të energjisë së ripërtërishme deri në vitin 2030. Për realizimin e qëllimeve, kyç është përpilimi i Studimit të hollësishëm për zhvillimin e rrjetit, që do të adresojë qartë sfidat për integrimin e BRE-ve. Hulumtimet studimore duhet të shërbejnë për të përditësuar planin 10-vjeçar të zhvillimit të rrjetit (TYNDP) dhe për të përgatitur plan të fuqishëm investimi për të mundësuar tranzicion të qetë të rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes", thuhet në kumtesën. 

 

"Qëllimi ynë është i qartë, të krijojmë një sistem energjetik që është i sigurt, i besueshëm dhe i gatshëm për të ardhmen. Për këtë qëllim, MEPSO angazhohet për modernizimin e infrastrukturës, zhvillimin e stacioneve të reja të transformatorëve, përmirësimin e kapaciteteve të transmetimit dhe instalimin e sistemeve të monitorimit dhe mbrojtjes. Suksesi i këtij projekti varet nga aftësia jonë për të bashkëpunuar. Jam i bindur se përmes këtij partneriteti me BERZH, Ministrinë e Energjetikës, EMV, MEPSO, MEMO, EVN, numrin e madh të prodhuesve të energjisë së gjelbër dhe të gjithë aktorët e interesuar, ne do të jemi në gjendje të arrijmë qëllimet ambicioze që i kemi vendosur", tha drejtori i MEPSO, Burim Latifi.

 Studimi do të aplikojë zgjidhje moderne për "rrjetet e mençura", duke përdorur përvoja nga praktika ndërkombëtare, duke përfshirë ato nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera në fazat më të avancuara të tranzicionit dhe planifikimit energjetik.  

Foto: Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale

 

QËNDRONI TË LIDHUR