Borrell: BE-ja është ende duke diskutuar për embargo ndaj naftës dhe gazit rus
- Post By Besir Saiti
- 16:56, 11 prill, 2022
Luksemburg, 11 prill 2022 (MIA) - BE-ja ende nuk ka marrë asnjë vendim për embargon e naftës dhe gazit kundër Rusisë, mundësia ende po diskutohet, deklaroi në konferencë për shtyp përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Zhosep Borrell, pas takimit të sotëm të Këshillit të BE-së në Luksemburg.
“Tërheqja e mundshme e BE-së nga nafta dhe gazi nga Rusia nuk do ta ndalojë ushtrinë ruse në Ukrainë”, tha Borrell, transmeton “BGNES”.
“Le të mos ketë iluzione: nëse ndaloni importin e gazit dhe naftës sot, kjo nuk do ta ndalojë ushtrinë ruse në javët e ardhshme”, tha Borrell.
Ai gjithashtu theksoi se BE-ja është e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën, përveç 1,5 miliardë eurove tashmë të ndara për këtë qëllim. bs/