• e enjte, 26 dhjetor 2024

Borel për MIA-n: Është përgjegjësi e të gjithë liderëve politikë që të punojnë për anëtarësimin e vendit në BE

Borel për MIA-n: Është përgjegjësi e të gjithë liderëve politikë që të punojnë për anëtarësimin e vendit në BE

Shkup, 16 mars 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut është shembull i mirë i një shoqërie multietnike dhe me ndryshimin e Kushtetutës do të përmirësohen edhe më tej të drejtat themelore në vend dhe nuk kam dyshim se me këtë do ta ruani identitetin maqedonas dhe në të njëjtën kohë do të përparoni në procesin e aderimit në BE, siç keni bërë deri më tani, shprehet përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe sigursëi të BE-së, Zhosep Borel, në intervistën për MIA-n.

“Anëtarësimi në BE nuk mund të jetë projekt i një partie politike, por duhet të jetë aspiratë për të gjithë vendin. Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët kanë shprehur aspiratën e tyre për anëtarësim në BE, pasi duan t'i përkasin një bashkësie vlerash dhe të kenë levërdi nga kufijtë e hapur, udhëtimi i lehtësuar, tregu i brendshëm dhe standardet e BE-së në tërësi. Me pak fjalë, qytetarët duan paqe, prosperitet dhe një jetë më të mirë në BE, për veten dhe fëmijët e tyre. Kjo është arsyeja pse është përgjegjësi e të gjithë liderëve tuaj politikë që të punojnë dhe ta realizojnë këtë qëllim", shprehet Boreli.

Ai thekson se negociatat për anëtarësim në BE janë një proces i bazuar në merita dhe se është vlerësuar progresi i arritur në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara dhe zbatimin e standardeve të BE-së dhe reformave.

"Edhe këto reforma do t'i ndihmojnë Maqedonisë së Veriut që të avancojë dhe përmirësojë gjendjen dhe ta afrojë vendin me Bashkimin Evropian dhe standardet e BE-së, para së gjithash në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ne do të jemi pranë jush dhe do ta shoqërojmë procesin deri në fund, derisa Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së. Kjo është ajo që duam dhe synimi drejt të cilit po punojmë të gjithë së bashku, shton përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Boreli, në intervistë, pranon se vendi ka pritur shumë gjatë për fillimin e bisedimeve për arsye të ndryshme, por thekson se në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut nuk ka një partner më të mirë dhe më të përkushtuar se BE-ja, e cila është donatori, investitori dhe partneri më i madh tregtar.

"Kudo që të shikoni në Maqedoninë e Veriut, tashmë do ta gjeni BE-në atje, ajo mbështet, ndihmon, kontribuon, financon, këshillon. Anëtarësimi në BE do të thotë stabilitet, siguri dhe prosperitet. Investimet e BE-së janë të qëndrueshme dhe afatgjata, duke krijuar vende të reja pune dhe mundësi. Nuk ka dyshim se BE-ja mbetet partneri më i besueshëm i Maqedonisë së Veriut", shprehet Boreli.

Фото: Европска унија

Ai, në intervistën për MIA-n, flet edhe për mbështetjen e BE-së për forcimin e proceseve të sigurisë dhe demokratike, përballjen me sulmet hibride, për mbështetjen e Armatës, për luftën në Ukrainë, si dhe për bisedimet e ardhshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Ohër.

Në vazhdim vijon intervista integrale e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Borel, për MIA-n.

Z. Borel, Ju faleminderit që pranuat intervistë me MIA-n. Po vini për vizitë në Maqedoninë e Veriut në një kohë kur vendi është në fazën e procesit të skriningut, por për të vazhduar bisedimet për anëtarësim nevojiten ndryshime kushtetuese për përfshirjen e bashkësisë bullgare në Kushtetutë. Tani për tani, duket se në Kuvend nuk ka mazhorancë të mjaftueshme për ndryshime të tilla, për shkak të kundërshtimit të disa prej partive opozitare. Çfarë porosish do t'u transmetoni liderëve politikë maqedonas lidhur me rrugën evropiane?  

Anëtarësimi në BE nuk mund të jetë projekt i një partie politike, por duhet të jetë aspiratë për të gjithë vendin. Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët kanë shprehur aspiratën e tyre për anëtarësim në BE, pasi duan t'i përkasin një komuniteti vlerash dhe të përfitojnë nga kufijtë e hapur, udhëtimi më i lehtë, tregu i brendshëm dhe standardet e BE-së në tërësi. Me pak fjalë, qytetarët duan paqe, prosperitet dhe një jetë më të mirë në BE, për veten dhe fëmijët e tyre. Prandaj është përgjegjësi e të gjithë liderëve tuaj politikë që të punojnë dhe ta realizojnë këtë qëllim.

Maqedonia e Veriut ka marrë përsipër ndryshimin e Kushtetutës, për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e kombeve të tjera, siç janë bullgarët.

Vendi juaj jep shembull të mirë të një shoqërie multietnike. Prandaj, me ndryshimin e Kushtetutës, do të avancohen në mënyrë plotësuese të drejtat themelore.

Nuk kam dyshim se do ta ruani identitetin maqedonas dhe në të njëjtën kohë do të avanconi në procesin e anëtarësimit në BE, siç keni bërë deri tani.

Фото: Европска унија

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut e përmendin vitin 2030 si vit për anëtarësim të plotë. Sa është real ky qëllim?  

Liderët politikë mund të arrijnë qëllime shumë ambicioze nëse vendosin të investojnë energjinë e tyre në reformat e nevojshme. Ka ende shumë punë për të bërë dhe nuk ka rrugë të shkurtra. Procesi i aderimit është shumë teknik dhe shumë i mundimshëm.

Qeveria dhe Kuvendi duhet të realizojnë pjesën më të madhe të punës. Prandaj është e rëndësishme të forcohen kapacitetet administrative dhe të përmirësohen metodat e punës së Kuvendit.

Por, më lejoni të përsëris, bisedimet e anëtarësimit janë proces i bazuar në merita, kjo do të thotë se ajo që vlerësohet është progresi i bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara dhe zbatimin e standardeve të BE-së dhe reformave të lidhura me to. Edhe këto reforma do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut që të avancojë dhe përmirësojë gjendjen dhe ta afrojë vendin me Bashkimin Evropian dhe standardet e BE-së, para së gjithash në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ne do të jemi pranë jush dhe do ta shoqërojmë procesin deri në fund, derisa Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së. Kjo është ajo që duam dhe qëllimi drejt të cilit punojmë të gjithë së bashku.

Për 18 vjet, Maqedonia e Veriut ka pritur "dritën jeshile" për të filluar bisedimet. Ai fillim u vonua për shkak të bllokadave të ndryshme, fillimisht nga Greqia, pastaj Franca, pastaj Bullgaria... E gjithë kjo uli euroentuziazmin e qytetarëve, por la hapësirë edhe për ndikime nga palët e treta. Javën e kaluar, BE-ja i dha Maqedonisë së Veriut një grant prej 80 milionë eurosh për ta mbështetur atë në përballjen me krizën energjetike, por çfarë mund të bëjë më shumë për të përmirësuar imazhin e saj dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësimin e vendit tek qytetarët e saj?  

E pranoj se Maqedonia e Veriut priti shumë gjatë për arsye të ndryshme, por ne nuk mund ta kthejmë kohën pas. Në të njëjtën kohë, nuk ka partner më të mirë dhe më të përkushtuar për Ju sesa BE-ja. Ne jemi donatori më i madh, investitori më i madh, partneri më i madh tregtar. Kudo që të shikoni në Maqedoninë e Veriut, tashmë do ta gjeni BE-në atje, ajo mbështet, ndihmon, kontribuon, financon, këshillon. Anëtarësimi në BE do të thotë stabilitet, siguri dhe prosperitet.

Фото: Европска унија

Ne kujdesemi për njerëzit dhe investojmë në ta, përmes programeve për lëvizshmërinë e të rinjve, si Erasmus, udhëtimi pa viza, mbështetje për shoqërinë civile, mbështetje për kulturën dhe trashëgiminë kulturore, deri në mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për qytetarët për të paguar faturat e energjisë elektrike, në krizën aktuale.

Duke filluar nga viti 2007, me grante prej 1.4 miliardë euro dhe 852 milionë euro kredi për vendin me kushte preferenciale, BE-ja është deri tani ofruesi bindshëm më i madh i ndihmës financiare për Maqedoninë e Veriut.

Investimet e BE-së janë të qëndrueshme dhe afatgjata, duke krijuar vende të reja pune dhe mundësi. Ne investojmë në infrastrukturën tuaj dhe ju ndihmojmë ta ndërtoni atë. Ne ju përfshijmë në të gjitha politikat tona për të zbutur pasojat negative të luftës në Ukrainë, në mënyrë të njëjtë me të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së. Së bashku planifikojmë një kalim drejt teknologjive të gjelbra dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe pavarësisë energjetike. Dhe mund të vazhdoj...

Nuk ka dyshim se BE-ja mbetet partneri më i besueshëm i Maqedonisë së Veriut.

Agresioni rus ndaj Ukrainës nënvizon rëndësinë gjeopolitike të zgjerimit të BE-së. Ajo na afroi edhe më shumë. Në një Bashkim të fortë që shtrihet në kontinentin tonë, ne mund t'i mbrojmë vlerat tona dhe t'i mbrojmë qytetarët tanë. Dua ta bëj të qartë, ne nuk e marrim si të mirëqenë faktin që ju jeni me ne në këto kohë sfiduese.

Në muajt e fundit, Maqedonia e Veriut ka qenë objektiv i një lufte hibride, përmes lajmërimeve të rreme për bomba të vendosura në disa objekte, kryesisht shkolla dhe sulmeve të hakerëve ndaj institucioneve shtetërore. Si e trajton BE-ja luftën hibride në territorin e saj dhe sa mund ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në zbulimin e burimeve të kërcënimeve hibride?  

 

Фото: Европска унија

Unë vërtet përshëndes Maqedoninë e Veriut për pajtueshmërinë e saj të plotë dhe harmonizimin e përpiktë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë edhe masat restriktive. Kjoj është shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike të Maqedonisë së Veriut për një vend në bashkësi vlerash.

BE-ja është e përkushtuar të punojë me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor për të luftuar kërcënimet hibride që vazhdojnë të minojnë sigurinë tonë kolektive dhe proceset demokratike dhe mbështet sigurinë e tyre, si dhe mbrojtjen e tyre.
Kam kënaqësinë të njoftoj se po ndajmë 9 milionë euro nga Fondi paqësor evropian i për të mbështetur Armatën e Maqedonisë së Veriut, për të përmirësuar dhe sendërtuar pajisjet e Grupit të saj të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë.

BE-ja gjithashtu mbështet Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të rritë rezistencën e saj ndaj sulmeve kibernetike. Si pjesë e pakps prej 4.9 milionë eurosh për rajonin për mbështetjen emergjente për sigurinë kibernetike dhe informatike, BE-ja po ndihmon Maqedoninë e Veriut të përmirësojë aftësinë e saj për t'u përballur me incidentet kibernetike dhe për të forcuar udhëheqjen  e sigurisë kibernetike.

Maqedonia e Veriut, po ashtu do të përfitojë edhe nga një projekt rajonal prej 5 milionë eurosh për ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike, që do të fillojë të realitzohet këtë vit. Në praktikë, BE-ja, së bashku me agjencitë e specializuara të shteteve të saj anëtare, ndihmon Maqedoninë e Veriut në zbulimin, hetimin dhe reagimin ndaj sulmeve kibernetike, si dhe në trajtimin e problemeve të shkaktuara nga sulmet kibernetike. Vazhdojmë të ndjekim nga afër situatën dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, nëse është e nevojshme, për të mbështetur Maqedoninë e Veriut.

Lufta hibride është aktualizuar me agresionin rus kundër Ukrainës. Cilat janë zgjidhjet e mundshme për krizën ukrainase dhe a ekziston rreziku i edhe një "konflikti të ngrirë" në Evropë?  

Фото: Европска унија

Ukraina është viktimë e agresionit të paprovokuar dhe të paligjshëm. Ukraina u sulmua për arsyen e thjeshtë se donte të vendoste vetë për të ardhmen e saj. Qëllimi i paralajmëruar i Putinit është shkatërrimi i Ukrainës dhe i kombit ukrainas. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me gjithë atë në çka ne - kombet moderne demokratike të shekullit 21 - besojmë, e këto janë sovraniteti dhe pavarësia e vendeve, Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.

Prandaj, shumica e vendeve në botë e dënuan këtë agresion dhe i kërkuan Rusisë ta ndalojë atë. Të gjithë i shohim rreziqet nëse një sjellje e tillë tolerohet dhe mbizotëron. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian dhe një numër i partnerëve të tij të mendimit të njëjtë e mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e saj legjitime. Meqë Ukraina po lufton për respektimin dhe mbështetjen e rregullave ndërkombëtare.

Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë - për hir të sistemit global të bazuar në rregulla dhe për stabilitetin e Evropës dhe më gjerë. Ne nuk duam të imagjinojmë një tjetër konflikt të ngrirë. Dhe ne nuk mund ta përballojmë këtë, sepse nëse Rusia shpëton nga veprimet e saj të paligjshme, askush nuk mund të ndihet i sigurt.

Duke folur për “konfliktin e ngrirë”, një nga arsyet e qëndrimit tuaj në vend është takimi në Ohër të shtunën mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nikoqir i të cilit do të kryeministri Dimitar Kovacevski. Çfarë mesazhi po dërgohet nga Maqedonia e Veriut dhe Ohri duke u zgjedhur si vend i këtij takimi dhe çfarë mund të presim nga bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?  

Çështja mes Serbisë dhe Kosovës nuk është konflikt i ngrirë. Këtu bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy partnerëve që ndajnë një të kaluar të trazuar dhe ende nuk kanë mundur të kapërcejnë plotësisht trashëgiminë negative të së shkuarës. Por, të dyja janë të “ankoruara” në procesin e anëtarësimit në BE dhe besoj se janë gati të gjejnë një zgjidhje në tryezën e bisedimeve. Në fund të fundit, ata duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, ndërsa marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parimet themelore të Bashkimit tonë. Prandaj ndihmojmë Beogradit dhe Prishtinës me dialogun e mbështetur nga BE-ja për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Фото: Европска унија

Fakti që takimi i ardhshëm i dialogut të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq po mbahet në Ohër është rezultat i faktorëve të ndryshëm që u përputhën në këtë periudhë konkrete. Dy javë më parë patëm një takim të mirë dhe produktiv me të dyja palët për të mbështetur Marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ne donim të përfitonim nga momenti i mirë dhe pasi gjetëm një konsensus për propozimin e BE-së, ramë dakord që të takoheshim së shpejti për të filluar diskutimin e Udhërrëfyesit për implementimin e kësaj Marrëveshjeje.

Në të njëjtën kohë është edhe takimi mujor i ministrave të jashtëm të BE-së, i caktuar për të hënën, më 20 mars, dhe takimi i liderëve të BE-së është planifikuar të enjten dhe të premten - më 23 dhe 24 mars. Përveç kësaj, ne kishim planifikuar takim të Këshillit të Stabilizim-Asociimit me Maqedoninë e Veriut për të premten më 17 mars, dhe Qeveria maqedonase me bujari ofroi mundësinë për të qenë nikoqire e dialogut. Duke marrë parasysh të gjitha këto dhe faktin se dialogu është një nga komponentët kyç të angazhimit tonë në Ballkanin Perëndimor, vendosa që takimin ta thërras për këtë të shtunë në Ohër.

Çfarë nëse autoritetet në Beograd dhe Prishtinë nuk tregojnë gatishmëri për marrëveshje? A mund të bëhet Ballkani sërish skenë e konflikteve të reja, çështja e Kosovës nuk është e vetmja çështje e hapur në rajon - ne kemi Bosnjën e Hercegovinën me funksionalitetin e saj problematik si shtet, trazirat e brendshme në Mal të Zi, si dhe zhvillimet politike në Shqipëria, e në skenë janë edhe ndikimet dhe interesat e jashtme, në radhë të parë ato ruse? A mendon BE-ja për ndonjë zgjidhje gjithëpërfshirëse për Ballkanin Perëndimor?  

Ne nuk spekulojmë për skenarët "çfarë nëse". Roli im është të lehtësoj dialogun dhe jam përfshirë plotësisht në të me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak, i cili merret me shatël-diplomaci intensive ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe kryeqyteteve evropiane. Duam të bëjmë çmos për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë mënyrë për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve të tyre. Sepse pa të ata nuk do të jenë në gjendje të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së. Është në interesin e tyre dhe në interesin e popullit të tyre që të gjejnë guximin e nevojshëm politik në mënyrë që dialogu të arrijë sukses. Ne do të vazhdojmë t'u ndihmojmë për aq sa mundemi, por në fund të fundit u takon atyre të marrin vendimet. Nënkuptohet se një rezultat i suksesshëm i këtij dialogu do të ketë një ndikim shumë pozitiv në të gjithë rajonin.

Sashko Panajotov

Foto: Bashkimi Evropian

QËNDRONI TË LIDHUR