• e enjte, 26 dhjetor 2024

Boçvarski: Ndryshimet ligjore do të mundësojnë realizimin e përshpejtuar të ndërtimeve me interes strategjik

Boçvarski: Ndryshimet ligjore do të mundësojnë realizimin e përshpejtuar të ndërtimeve me interes strategjik

Shkup, 18 maj 2023 (MIA) - Diskutimi për planifikimin urbanistik është i qartë dhe parashikon një amendament që shton një nen që do të mundësojë realizimin e përshpejtuar të ndërtimeve me interes strategjik për ndërtimin e rrugëve shtetërore, hekurudhave, tubacioneve të gazsjellësit si dhe ndërtimeve të tjera me interes publik që realizohen si një projekt investues strategjik apo projekte me rëndësi strategjike kombëtare, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski në debatin për propozim-amandamentet e Ligjit për Planifikim Urbanistik me procedurë të shkurtuar, që është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10.

Ministri u bashkua në vazhdimin e pasdites së diskutimit kuvendor dhe u tha deputetëve se të gjithë duhet të qëndrojnë pas këtyre projekteve pasi siç theksoi ai janë të një rëndësie të veçantë për ekonominë e vendit”.

"Ndryshimi i këtij neni në Ligjin për planifikim urbanistik nuk i referohet vetëm një projekti, ky ndryshim nënkupton që të gjitha rrugët shtetërore, hekurudhat, gazsjellësit që do të regjistrohen nga vendi në periudhën e ardhshme do të mund të realizohen sipas kësaj procedure e cila do të jetë e përshpejtuar, sepse bëhet fjalë për projekte me interes publik dhe strategjik. Vetëm pak ditë më parë firmosa marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me të cilën kërkesa jonë e kahmotshme për Korridorin 8 hyri në hartën e korridoreve kryesore evropiane, ishte edhe kërkesë e qeverive të mëparshme dhe sot ajo kërkesë është realizuar, gjë që konfirmon angazhimin e shtetit përveç Korridorit 10 tashmë edhe  Korridori 8  të hyjë në hartën e korridoreve kryesore, me të cilat vendi ynë fitoi një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike në rajonin e Gadishullit Ballkanik. Dua të theksoj se këto janë procedura të përshpejtuara në të cilat të gjitha institucionet duhet të veprojnë sipas këtyre procedurave, nëse këto procedura i përfundojmë më herët do të kemi një zhvillim më të shpejtë të ekonomisë, hapje të vendeve të punës", tha ministri.

Mirëpo, opozita mbeti e mendimit se ka mospërputhje të mëdha në procedura dhe se marrëveshja e nënshkruar, përveçse dëmton buxhetin, do të rrezikojë edhe sigurinë e qytetarëve.

Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Veljanoski, tha se nga emërimi i Boçvarskit në pozitën e ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, asnjë projekt nuk është përfunduar në tërësi.

Mirçe Axhioski nga VMRO-DPMNE kritikoi zgjedhjen e mbikëqyrjes, duke theksuar se nëse ndërtohen ato autostrada, dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi për sigurinë e njerëzve, sepse siç tha ai, “janë thyer të gjitha normat e ndërtimit dhe projektimit”.

"Ju keni parashikuar në ligj që projektet urbane mund të zhvillohen nga kompani me licencë projektimi me një planifikues të punësuar. Si do të projektojnë kompani të tilla 110 kilometra autostradë, ju e dini se një planifikues nuk mund t'i kalojë ato kilometra, e lëre më t'i projektojë ato", tha Axhioski.

Duke replikuar, ministri theksoi se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të respektohen në tërësi.

"Autostrada Kërçovë-Ohër ka pasur një projekt urbanistik, një projekt bazë, një leje ndërtimi, por nuk ka pasur kryqëzime, pjerrësitë kanë qenë të këqija dhe në fund kemi ardhur në një situatë që 25 për qind e trasesë së autostradës është riprojektuar, që do të thotë se më e rëndësishmja është të kemi një projekt të mirë, rishikim dhe të gjitha procedurat që duhen respektuar. Terreni dhe shembujt tregojnë se me projekte të vjetra nuk është e mundur të ndërtohet autostradë në një kohë që është përcaktuar si interes strategjik për nevojat e qytetarëve", theksoi Boçvarski.

Kjo deklaratë e ministrit ka hasur në reagim të furishëm të opozitës, gjatë së cilës nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, është dashur ta ndërpresë ministrin për t'i bërë thirrje opozitës që të presin kundër replikë.

Opozita sërish akuzoi se Qeveria ka treguar paaftësinë e saj për të realizuar projekte kapitale.

Për dallim nga deputetët e opozitës, deputeti i BDI-së, Bajram Kadrija, mirëpriti ndryshimet në Ligjin për Planifikim Urbanistik dhe sugjeroi që Qeveria të shqyrtojë një ligj të veçantë për Qendrën Klinike, hekurudhat dhe deponitë rajonale.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë një lloj të ri të projektit urban për ndërtimet me interes strategjik dhe rregullojnë përgatitjen, procedurën dhe zbatimin e këtij projekti urbanistik. Projekti urbanistik për ndërtime me interes strategjik rregullon fushëveprimin e projektit për ndërtimin e rrugëve shtetërore dhe tubacioneve kryesore të gazit, si dhe për përmbajtjen shoqëruese të tyre (instalimin e lokacioneve të përkohshme, ndërtimet për kryerjen e punëve përgatitore me të cilat organizohet kantieri për ndërtim nga interesi strategjik, gropat, vendzbulimet dhe zonat e mbeturinave duke marrë parasysh projektin në dispozicion, informacionet gjeoteknike, arkeologjike, informacionet për mjedisin jetësor, informacionet sociale dhe komunale dhe standardet e projektimit), si dhe qëllimi i projektit për ndërtimin e rrugëve shtetërore është gjithashtu një korridor rrugor me kufij fillestar të vlerësuar për shpronësim në të cilin do të kryhet ndërtimi i rrugëve shtetërore me përmbajtje përcjellëse.

Në procesin e krijimit të këtij projekti urbanistik për ndërtimet me interes strategjik për shtrirjen e përcaktuar të projektit, krijohet një bazë e përditësuar gjeodezike, sigurohen kushtet për planifikim hapësinor dhe sigurohen të dhënat dhe informacionet për infrastrukturën ekzistuese ose të planifikuar nga institucionet kompetente me kompetenca publike, pas së cilës nga përpunuesi i dorëzohet Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e cila përcakton nëse projekti është i përfunduar dhe nëse nuk është i përfunduar, i dërgon njoftim përpunuesit të projektit për përfundimin e tij, më së voni brenda 30 ditëve. 

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve projektin e plotë urbanistik për ndërtimet me interes strategjik ia dorëzon Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila merr vendim me të cilin e miraton ose nuk e miraton projektin urbanistik, varësisht nga të dhënat dhe informacionet e marra dhe nga mendimi i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive në lidhje me krahasimin e të dhënave nga projekti urbanistik për ndërtimet me interes strategjik me të dhënat nga plani kadastral.

Siç njoftoi nënkryetari i Kuvendit Misovski, debati për propozim amandamentet e Ligjit duhet të vazhdojë nesër në ora 15:00. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR