• e enjte, 26 dhjetor 2024

Boçvarski në takim me Macolan kërkoi mbështetje evropiane për projektet infrastrukturore në hekurudhë

Boçvarski në takim me  Macolan kërkoi mbështetje evropiane  për projektet infrastrukturore në hekurudhë

Shkup, 8 shkurt 2023 (MIA) - Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski sot në takim me Alberto Macola, drejtor ekzekutiv i Komunitetit të Hekurudhave Evropiane, theksoi projektet për ndërtimin e pjesës lindore të Korridorit hekurudhor 8 dhe kërkoi mbështetje nga partnerët evropianë  për përfundimin e hekurudhës në pjesën perëndimore të këtij korridori dhe lidhjen me Shqipërinë.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe drejtori i NP HRMV Infrastruktura, Hari Lokvenec, u diskutua për politikën investuese të Maqedonisë së Veriut në infrastrukturën hekurudhore dhe lidhjen rajonale.

"Takimi ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme në drejtim të mbështetjes për zhvillimin e sistemit hekurudhor në vend. Lidhja rajonale është e një rëndësie strategjike për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për këtë kërkuam nga miqtë tanë nga Evropa që të na mbështesin në përfundimin e Korridorit 8. Ne mbetemi seriozisht të përkushtuar për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë. Sfida mbetet në këtë kohë të krizës ekonomike që të realizohen të gjitha planet investuese në sektorin hekurudhor", theksoi ministri Boçvarski.

Siç njofton Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, në takim u theksua se Qeveria është duke punuar në zhvillimin e sistemit hekurudhor në vend, duke filluar procesin e harmonizimit të legjislacionit vendor me legjislacionin evropian.

Në anën lindore të Korridorit  hekurudhor 8 në fund të tetorit të vitit të kaluar, pas një pushimi prej më shumë se dy vitesh, sërish janë aktivitetet për dy nga tre pjesët e para të planifikuara të hekurudhës drejt Bullgarisë. Tri seksionet e parashikuara në anën lindore të Korridorit 8 kanë një gjatësi totale prej 89 kilometrash (nga Kumanova në Belakovce 31 kilometra, nga Belakovce në Kriva Pallankë 34 kilometra dhe nga Kriva Pallanka në kufirin me Bullgarinë 24 kilometra). Hekurudha e parashikuar në krahun perëndimor të shtrirjes nga Kërçova deri në kufirin me Shqipërinë është 63 kilometra. Dokumentacioni i projektit për ndërtimin e kësaj hekurudhe është përgatitur në vitin 2017, ndërsa vlera totale llogaritet rreth 500 milionë euro. Plani i institucioneve vendase është që deri në vitin 2027 të përfundojë krahu hekurudhor lindor i Korridorit 8, ndërsa ai perëndimor deri në vitin 2030. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR