• e enjte, 26 dhjetor 2024

Boçvarski: Aplikimi i Eurokodeve në ndërtimtari do të rrisë konkurrencën e kompanive vendase në Evropë

Boçvarski: Aplikimi i Eurokodeve në ndërtimtari do të rrisë konkurrencën e kompanive vendase në Evropë

Shkup, 23 shtator 2023 (MIA) - Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski sot ka mbajtur fjalim në konferencën kushtuar Eurokodeve - standarde të reja për projektimin dhe ndërtimin e të gjitha llojeve të strukturave ndërtimore. Në fjalimin e tij, siç informojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Boçvarski theksoi se futja e eurokodeve është një hap përpara në ngritjen e cilësisë së projektimit dhe ndërtimit dhe obligim që Republika Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thekson se në vitin 2020 e ka miratuar Rregulloren për Standarde dhe Norma në të cilën janë futur Eurokodet si standarde të reja gjatë projektimit, me aplikim të vonuar deri në vitin 2024.

Ky aplikim i vonuar, theksohet në kumtesën, është sjellë me qëllim që të bëhet edukimi adekuat i të gjitha palëve të interesuara në industrinë e ndërtimit për zbatimin konsekuent të tyre në ndërtimtari. Zbatimi i Eurokodeve është një proces përputhshmërie me rregulloren evropiane, që do të lehtësojë rritjen dhe konkurrencën e kompanive vendase të ndërtimtarisë në tregun evropian.

"E kemi nisur bashkërisht reformën për të përmirësuar profesionin dhe klimën dhe për të punuar në kushte më të mira. Me kërkesë të Odës, të profesorëve, ne e shtymë aplikimin dhe i dhamë vetes detyrë të qartë që të vazhdojmë me trajnimet për të zbatuar plotësisht Eurokodet. Dua të dërgoj një mesazh të qartë se aplikimi i tyre hyn në fuqi në shtator 2024 dhe nuk ka vonesa. Në vend po vijnë projekte të mëdha që kërkojnë projektim sipas këtyre procedurave të reja dhe ne duhet të jemi gati t'i mirëpresim. Është një proces ku të gjitha vendet e rajonit po lëvizin në atë drejtim dhe Maqedonia e Veriut duhet të jetë e gatshme t'i zbatojë ato. Gjithashtu dua të përmend se jemi duke hartuar një ligj të ri për ndërtim dhe besoj se po bëjmë një kompromis mes të gjithëve për të gjetur një zgjidhje ligjore gjithëpërfshirëse që do ta ngrejë sërish ndërtimin në një nivel më të lartë dhe do të krijojë kushte më të mira pune për të gjithë ju”, deklaroi Boçvarski.

Kristinka Çulak, kryetare e Odës së së arkitektëve dhe inxhinierëve të certifikuar, theksoi se ndërtimtaria është një profesion kompleks dhe prandaj duhet të përmirësohet.

"Përmes takimeve të tilla, të cilat në periudhën e ardhshme do t'i bëjmë më të shpeshta do t'i hapim të gjitha sfidat në punën tonë. Eurokodet janë pjesë e profesionit tonë dhe për këtë arsye përmes trajnimeve he prezantimeve që tashmë kanë filluar ne do të përpiqemi t'i zbatojmë ato në punën tonë. Gjithashtu, do të dëshiroja të veçoj edhe Çmimoren dhe Tarifën e planit urbanistik përmes të cilëve për herë të parë vlerësohet profesioni dhe për të cilët kemi mbështetje të madhe nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve", deklaroi Çulak në konferencën e organizuar nga Oda e arkitektëve dhe inxhinierëve të certifikuar. ls/

Foto: Ministria e Transportit dhe lidhjeve

 

QËNDRONI TË LIDHUR