• e enjte, 26 dhjetor 2024

Blloku opozitar i partive shqiptare: Zgjedhje të ndershme dhe demokratike, është krejtësisht irracionale të bësh shpenzime të dyfishta

Blloku opozitar i partive shqiptare: Zgjedhje të ndershme dhe demokratike, është krejtësisht irracionale të bësh shpenzime të dyfishta

Shkup, 27 tetor 2023 (MIA) - Kryetarët e Alternativës, Besës dhe Lëvizjes Demokratike, Afrim Gashi, Bilal Kasami dhe Izet Mexhiti, në konferencën e përbashkët të shtypit u angazhuan për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, duke thënë në të njëjtën kohë se zgjedhjet duhet të mbahen në të njëjtën kohë, në mënyrë që të mos shkaktohet një kosto e dyfishtë irracionale.

“Sa i përket asaj nëse zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare duhet të mbahen në të njëjtën kohë apo veçmas, mendojmë se është krejtësisht irracionale të bëhen shpenzime të dyfishta, por duam të dëgjojmë cilat janë argumentet e BDI-së dhe LSDM-së, para qytetarëve për  këtë pozicion irracional. Megjithatë, ne jemi të përgatitur për të dy skenarët. Koalicioni qeveritar për çështjen e zgjedhjeve sillet si një fëmijë i llastuar që mendon se nëse topi është përkohësisht në dorën e tyre  mund të kushtëzojnë. Qeveria është e delegjitimuar, qytetarët mezi presin zgjedhjet dhe ta shkarkojnë atë zyrtarisht nga detyra.

Sa më shpejt të kthjellohen, aq më mirë për vendin. Çdo kundërshtim i mëtejshëm do të krijojë potencialin për një krizë kushtetuese që do të ketë pasoja shumë të dëmshme në afat të mesëm. Ata do t'i humbin zgjedhjet në një mënyrë ose në një tjetër. Pyetja qëndron aty se se sa do t'i mundojnë qytetarët para se të përballen me humbjen dhe realitetin, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, në konferencën e përbashkët të shtypit me Mexhitin dhe Gashin.

Për ne, siç theksoi ai, prioriteti numër një është krijimi i parakushteve për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike.

“Kemi marrë informacione se Bujar Osmani po tenton të keqpërdorë kryesimin e OSBE-së për të ndikuar në vendimin për numrin e vëzhguesve të procesit zgjedhor. Ne jemi duke zhvilluar një strategji serioze për t'u përballur me çdo abuzim të mundshëm. Opozita e bashkuar shqiptare ka legjitimitetin të kërkojë përfaqësim adekuat në organet zgjedhore. Duke pasur parasysh se deputetët Fadil Zendeli dhe Safije Sadiki Shaini kanë paraqitur një iniciativë konkrete për plotësimin e pozitës sonë si anëtarë të KSHZ-së, kërkojmë që deputetët e BDI-së dhe LSDM-së të mos kërkojnë arsye për ta vonuar atë apo për të shmangur përmbushjen e obligimit ligjor me një interpretim irracional”, tha Kasami.

Gashi, nga ana tjetër, ka bërë të ditur se ata si opozitë e bashkuar shqiptare kanë vendosur tre kushte për zgjedhjet e ardhshme.

“Së pari, duam t'ju themi se jemi plotësisht të bindur se nuk do të bëjmë asnjë kompromis me rrugën e vendit drejt BE-së. Pra, ne i shohim ndryshimet kushtetuese në këtë drejtim. Ky vend nuk ka alternativë tjetër më të mirë. Prandaj, opozita e bashkuar shqiptare do të formojë një qeveri me ato parti politike që duan të vazhdojnë rrugën e vendit drejt BE-së. Kushti ynë i dytë ka të bëjë me ndryshimin kushtetues për mos vjetërrimin e lëndëve të korrupsionit politik. Pra, e dini, me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, qeveria i uli ato. Synimi ynë është t'i japim fund abuzimit të zyrtarëve, të zgjedhurve dhe të emëruarve që pasurohen me paratë e popullit. Ne do të luftojmë që ai të jetë një amendament kushtetues dhe që ato akte të mos u kalojë afati kurrë”, tha ai.

Gashi bën të ditur se kushti i tretë i tyre ka të bëjë me fshirjen e formulimit “gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve” dhe zëvendësimin e këtij formulimi me gjuhën shqipe.

“Ne e konsiderojmë këtë formulim poshtërues dhe kur të hapet Kushtetuta duhet të ndryshohet dhe të thuhet qartë gjuha shqipe dhe jo ndonjë përqindje tjetër. Ne mendojmë se nuk i bën nder as shqiptarëve, as maqedonasve, as të gjithë qytetarëve të tjerë dhe jemi të bindur se është në drejtim të avancimit të shtetit në kuadër të BE-së dhe anëtarësimit sa më të shpejtë të shtetit tonë në BE” , tha ai.

Mexhiti, nga ana e tij, ka theksuar se “BDI-ja ka kohë që ka hequr dorë   nga amendamentet kushtetuese dhe se arsyeja e vetme për kthimin e Nikolla Gruevskit është që të bëjë marrëveshje me menaxhmentin e VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese”.

“Burimet tona thonë se BDI-ja ka kohë që ka hequr dorë nga amendamentet kushtetuese dhe se e vetmja arsye për kthimin e Gruevskit është që të bëhet një marrëveshje me kryesinë e VMRO-DPMNE-së. Ata shpresojnë se Gruevski do t'u sigurojë një pozitë edhe nëse i humbin zgjedhjet, që të formojnë një qeveri të përqendrimit në të cilën do të bëjnë pazare me deputetët e LSDM-së. Është koha që BDI të dëgjojë mesazhet e ministrave të Aleancës së Shqiptarëve dhe se opozita është për njerëzit. Shqiptarët do t'I dorëzojnë faturën BDI-së në zgjedhje. Nuk falet flirtimi me Gruevskin, politikani që jo vetëm i shkaktoi dëm popullit shqiptar, por si kryeministër, me antikrizën, e distancoi vendin nga BE-ja. Është hipokrizia e fundit që BDI-ja të manipulojë se Gruevski do të na sjellë vlera evropiane nga Budapesti”, tha ai.

I pyetur nëse do të kenë përfaqësues të tyre në grupin e punës që duhet të mblidhen në Kuvend për të përcaktuar datën e zgjedhjeve, Mexhiti theksoi se është duke u përgatitur dhe do të marrin pjesë në një grup të tillë pune.

“Kërkojmë që të kemi një anëtar edhe në KSHZ-së, sepse kjo do të jetë shenjë se jemi të gatshëm të punojmë për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Ne jemi të gatshëm dhe do të marrim pjesë në një grup të tillë pune”, tha ai.

Mexhiti theksoi se gjatë javës së ardhshme si opozitë e bashkuar shqiptare do të dalin me informacione për platformën me të cilën do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme dhe emrin e kandidatit të përbashkët të opozitës shqiptare për president të shtetit. I pyetur nëse ka mundësi që Mexhiti të jetë kandidat për president nga opozita shqiptare, ai tha se ende nuk kanë biseduar për emrin e kandidatit.

“Besoj se në ditët në vijim të tre subjektet politike do të mbajnë mbledhje në organet tona dhe mendoj se javën e ardhshme do të japim një mesazh të qartë për platformën, për kandidatin e përbashkët për president dhe për të gjitha çështjet e tjera. Nuk kemi folur as për emrin, pra nëse do të jetë brenda subjekteve tona politike, por që tani them  se sigurisht që  ai do të jetë një presidenti që do të bashkojë akoma edhe më shumë dhe do të jetë një alternativë serioze në garrë dhe faktor kyç në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, tha Mexhiti.

I pyetur se cilat janë mundësitë për një koalicion të mundshëm me Aleancën për Shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, Mexhiti theksoi se duhet të vendosin se në cilën anë duan të jenë dhe se mbeten të hapur ndaj sektorit joqeveritar dhe intelektualëve të pavarur.

“ Sa i përket Aleancës, është vendimi i tyre. Ne shohim se ka mendime të ndryshme atje. Ka ardhur koha të jemi të prerë. Qëndrimi ynë është se jemi të hapur ndaj sektorit joqeveritar dhe intelektualëve të pavarur, si dhe ndaj Aleancës për Shqiptarët, por ata duhet të marrin një vendim dhe të dinë nëse duan të jenë në këtë qeveri apo nëse duan të jenë pjesë e opozita dhe pjesë e fitores së re dhe ndryshimeve të reja që do të vijnë”, tha ai. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR