• e premte, 27 dhjetor 2024

Biznesi kundër ngrirjes së çmimeve, beson se rezervat shtetërore janë një mekanizëm më i mirë

Biznesi kundër ngrirjes së çmimeve, beson se rezervat shtetërore janë një mekanizëm më i mirë

Shkup, 29 mars 2023 (MIA) - Ngrirja e çmimeve nuk është masë e tregut dhe nëse qeveria dëshiron të ndërhyjë për të mbrojtur popullatën, duhet të aktivizojë rezervat e mallrave, të cilat gjithmonë janë mekanizëm më i mirë në këtë situatë, tha sot drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Antoni Peshev. 

Sipas Peshev, ekonomitë në botë kanë një qasje tjetër dhe nuk e zgjidhin problemin me ngrirjen e çmimeve. Është më mirë, tha ai, të subvencionohet ajo pjesë e popullatës që ka realisht nevojë, por edhe të ndihmohet duke ulur drejtpërdrejt taksat doganore, duke ndihmuar në importin e repromaterialeve, duke subvencionuar energjinë elektrike, me mekanizma që e bëjnë prodhimin vendas më konkurrues. 

"Qeveria e ka arritur këtë masë, duke dashur të ulë presionin mbi popullsinë që u gjend në probleme ekonomike, por mendoj dhe keni dëgjuar edhe ju, që të gjitha ekonomitë e botës i qasen problemit pak më ndryshe. Ne qëndrojmë pikërisht për atë parim - jo për të ngrirë çmimet, por për të subvencionuar popullsinë që ka vërtet nevojë. Ngrirja e çmimeve i vë në mënyrë të panevojshme kompanitë, produktet e të cilave janë të fiksuara në një pozitë të pafavorshme ekonomike dhe produktet u shiten atyre grupeve të popullsisë për të cilët diferenca e çmimeve nuk do të thotë asgjë. Prandaj, ne shumë më tepër respektojmë masat e Qeverisë që kanë të bëjnë me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në fushën e reduktimit doganor, ndihmën në importin e repromaterialeve, subvencionimin e energjisë elektrike dhe mekanizmat që e bëjnë prodhimin vendas më konkurrues, sesa ngrirja e drejtpërdrejtë e çmimeve", theksoi Peshev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para takimeve afariste të Maqedonisë dhe Austrisë", në Odë.

Ngrirja e çmimeve, thekson, është masë e cila nuk mund të zgjasë gjatë, ndërsa pas përfundimit të saj sërish do të ketë shtrenjtime.

Në pyetjen nëse e kanë komunikuar këtë me Qeverinë, ai është përgjigjur pozitivisht.

"Po, absolutisht. Ne kemi dalë me disa deklarata, por Qeveria ka të drejtë të fiksojë çmimet. Megjithatë, do të përmendim sërish, ka mekanizma që nuk përdoren sa duhet, përkatësisht rezervat shtetërore, të cilat gjithmonë rezultojnë mekanizëm më i mirë se ngrirja e çmimeve në këtë situatë. Qeveria, nëse dëshiron të ndërhyjë, duhet të forcojë ndikimin e saj në treg duke u futur nga "pellgu" i quajtur rezerva shtetërore", nënvizoi Peshev.

Në Austri nuk ka kufizim ose ngrirje të çmimeve. Është diskutuar vetëm për ngrirje të çmimeve te pasuritë e patundshme dhe qiratë me ç'rast është konfirmuar se më mirë është t'u jepen donacione qytetarëve me të cilat mund të ndihmohen për t'i paguar këto shpenzime.

Sipas Rihard Bandera, menaxher rajonal për Evropën Lindore dhe Juglindore dhe për Azinë Qendrore, tema e dytë kyçe në Austri janë shpenzimet energjetike.

"Ne vendosëm asistencën për amvisëritë për të mbuluar shpenzimet e energjisë. Janë disa qindra euro, që nuk janë shumë para, por gjithsesi ishte një hap përpara në mbështetje të qytetarëve. Ne u dhamë mbështetje edhe ndërmarrjeve që kanë konsum intensiv të energjisë. Kjo u anulua pak, por në periudhën prej disa muajsh ata morën mbështetje", tha Bandera.

Dje qëndrimin rreth fiksimit të çmimeve e shprehu edhe Lidhja e Odave Ekonomike (LOE) sipas së cilës, gjithashtu bëhet fjalë për masë jo të tregut.

"Çdo ngrirje çmimi ka pasoja pozitive dhe negative. Më 8 shtator të vitit 1991 qytetarët e këtij vendi votuan për pavarësi, për ekonomi të lirë, për treg të lirë. Tregu i lirë është veçori dhe përfitim i asaj pavarësie dhe ne përgjithësisht preferojmë një treg të lirë ekonomik, por Qeveria ka sferën e saj të veprimit dhe nëse mendon kështu, më së miri duhet të shpjegojë se cila është ideja e saj, çfarë dëshiron të arrijë, nëse është e përkohshme, sa do të zgjaste", tha kryetari i LOE-së, Trajan Angeloski. sa/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR