• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bislimovski: Fillimi i sezonit të ngrohjes ka mund të ishte më i mirë, vitin e ardhshëm pres lidhje të tre rrjeteve në një

Bislimovski: Fillimi i sezonit të ngrohjes ka mund të ishte më i mirë, vitin e ardhshëm pres lidhje të tre rrjeteve në një

Shkup, 31 tetor 2023 (MIA) - Kryetari i Komisionit Rregullator Energjetik (KRRE) Marko Bislimovski vlerëson se fillimi i sezonit për ngrohje mund të ishte më i mirë. Megjithatë, ai beson, siç tha sot, se po ndërmarrin gjitha aktivitetet për të përmirësuar cilësinë e shpërndarjes së energjisë termike për ngrohje.

KRRE, shtoi Bislimovski, është në dispozicion për të gjithë konsumatorët që nuk janë të kënaqur me ofrimin e energjisë termike për ngrohje.

Bislimovski ka bërë të ditur se nxehja do të shtrenjtohet për 4,51 për qind, mirëpo KRRE, siç ka theksuar, për pesë milionë euro i ka ulur shpenzimet e kërkuara nga kompanitë.

Kryetari i KRRE-së apelon që të ndërmerren të gjitha aktivitetet e nevojshme për kyçjen e tre rrjeteve, në Veri të Shkupit dhe në Hekuranë me rrjetin më të madh të qytetit, sepse, sipas tij e ardhmja e sistemit të energjisë termike në Shkup është të ketë një rrjet dhe me ketë një çmim për të gjithë konsumatorët. Bislimoski është optimist se kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm. Vetëm kjo, përsëriti ai, është e vetmja mënyrë korrekte për funksionimin sa më ekonomik dhe optimal të sistemit të energjisë termike në qytet.

"Fakt është se janë rritur kostot e kompanive për blerjen e materialeve të ndryshme, se EMV ka rritur kostot në pjesën e rrjetit në Autokomandë, si dhe është në proces furnizimi të stacioneve të reja matëse, por tani në këtë kohë, kur ende i ndjejmë pasojat e krizës, kompanitë duhet të rrisin efikasitetin dhe produktivitetin e tyre. Për pesë milionë euro kemi ulur shpenzimet e kërkuara nga kompanitë, por 80 për qind e shpenzimeve janë për blerjen e gazit natyror dhe energjisë termike nga TE-TO", theksoi Bislimoski në konferencë për media.

Sipas tij, për momentin me legjislacionin ekzistues nuk është e mundur të barazohet çmimi i ngrohjes në Shkup, gjegjësisht të ketë çmim të njëjtë për të gjithë konsumatorët, në vend të tre të tanishëm.

"Duhet të bëhen disa ndryshime ligjore dhe këtë po propozojmë, besoj se do të bëhet. E ardhmja e sistemit të energjisë termike në Shkup është të kyçet rrjeti, të ketë një rrjet dhe një çmim për të gjithë konsumatorët. Apeloj këtu dhe tani që të ndërmerren të gjitha aktivitetet e nevojshme që rrjeti në veri të Shkupit dhe në Hekuranë të kyçet në rrjetin më të madh në Shkup dhe në këtë mënyrë të gjithë konsumatorët të marrin të njëjtin çmim për energjinë termike për ngrohje. Për këto dy sisteme të vogla, në Hekuranë dhe në veri të Shkupit, njëri me diku rreth 1900 konsumatorë dhe tjetri me 400, përcaktimi i çmimit është jashtëzakonisht i vështirë dhe paraqet problem serioz. Besoj se vitin e ardhshëm të gjitha rrjetet do të lidhen në një, sepse kjo është e vetmja mënyrë korrekte për funksionimin sa më ekonomik dhe optimal të sistemit të energjisë termike në Shkup", tha Bislimoski.

Në pyetjet e gazetarëve nëse taksa e gazit nga Bullgaria do të bëjë ndonjë ndryshim në çmimin e ngrohjes, Bislimoski është decid se nuk do të ketë korrigjim të çmimit.

"Besoj se në periudhën e ardhshme do të merren të gjitha masat, sepse Maqedonia nuk duhet të preket në asnjë mënyrë nga vendosja e kësaj takse sepse kjo taksë vlen ekskluzivisht për gazin rus dhe është e qartë se vendi nuk ka qenë targeti, por vende të tjera që nuk e di se për çfarë arsye sillen kështu. Por kjo nuk është punë e KRRE-së. Një nga opsionet është rritja e kapacitetit të gazsjellësit interkonektues me Bullgarinë në mënyrë që gazi natyror të vijë nga vende të tjera, përveç Rusisë. Megjithatë, mendoj se Maqedonia në asnjë mënyrë nuk ka ndikuar që çmimi i gazit natyror në vend të rritet", tha kryetari i KRRE. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

  

QËNDRONI TË LIDHUR