• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bislimoski: Nuk do të ketë goditje të çmimeve të energjisë elektrike për amvisëritë

Bislimoski: Nuk do të ketë goditje të çmimeve të energjisë elektrike për amvisëritë

Shkup, 26 qershor 2024 (MIA) - Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, sonte deklaroi se nuk do të ketë goditje të çmimeve te energjia elektrike, gjegjësisht se çmimi mesatar për amvisëritë nuk do të rritet për më shumë se një për qind.

"Nuk do të ketë goditje çmimesh, gjithçka do të jetë brenda disa ndryshimeve minimale. Ne i kushtuam vëmendje të veçantë për të shmangur goditjet e çmimeve. Ajo që ishte shumë e rëndësishme për ne ishte 15 për qind që EVN Home duhej të furnizonte në tregun e lirë të energjisë elektrike, e kemi lënë mënjanë si shpenzim. EVN Home do të sigurojë energji edhe për bursën e Maqedonisë, ku në periudha të caktuara gjatë ditës ka çmime mjaft të favorshme, kështu që 15 për qind që po bënte presion serioz në çmimin e energjisë elektrike, tani nuk do të llogaritet si kosto", deklaroi Bislimoski për ditarin qendror të televizionit "Sitel".

Ai theksoi se në periudhën e kaluar një numër i madh i konsumatorëve të vegjël shkojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike ku, siç tha ai, ka kushte të favorshme dhe çmimet janë më të ulëta se ato të furnizuesit universal.

Javën e kaluar, EVN Home, si furnizues univerzal i energjisë elektrike, njoftoi se ka pranuar ofertën nga SHA EMV prej 60 euro për megavat orë për të mbuluar 85 për qind të nevojave, ndërsa për 15 për qind të mbetur, nuk janë pranuar ofertat e marra në tender për periudhën korrik-dhjetor për shkak të asaj që çmimet e ofruara ishin më të larta nga çmimet momentale të tregut. Për këto 15 për qind kanë ardhur oferta nga "Duferco", EMV Shitje dhe Sole24. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR