Bislimoski: Nga 1 janari për 0,92 për qind do të rritet çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë
- Çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëri nga 1 janari do të rritet për 0,92 për qind. Në bllokun e parë rritja është 0,68 për qind, në të dytin për 0,9 për qind, në të tretin për 1,93 për qind, në të katërtin për 2,24 për qind, ndërsa tarifa e lirë rritet për 0,9 për qind, vendosi sot Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE).
- Post By Fami Bajrami
- 14:46, 18 dhjetor, 2024
Shkup, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëri nga 1 janari do të rritet për 0,92 për qind. Në bllokun e parë rritja është 0,68 për qind, në të dytin për 0,9 për qind, në të tretin për 1,93 për qind, në të katërtin për 2,24 për qind, ndërsa tarifa e lirë rritet për 0,9 për qind, vendosi sot Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE).
Në përputhje me kërkesën e EVN houm, siç tha kryetari i KRRE-së Marko Bislimoski në konferencën e sotme për shtyp, çmimi i energjisë elektrike për amvisëri është dashur të rritet për 4,4 për qind.
"Ky është vendimi ynë i parë në të cilin kemi përdorur mekanizmin kontrollues në lidhje me përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike për amvisëri dhe konsumatorë të vegjël. EVN Houm si furnizues universal, më 5 dhjetor të këtij viti ka dorëzuar vendim në KRRE për kontroll dhe shqyrtim. Sipas kërkesës së tyre, çmimi për amvisëri duhej të ishte rritur për 4,4 për qind. Në pjesën më të madhe nuk kemi pasur dallime, ndërsa i vetmi dallim që ekziston midis asaj që ne kemi miratuar tani dhe asaj që ka paraqitur EVN është në lidhje me faktorin korrigjues dhe për të siguruar stabilitetin e çmimeve dhe çmime, të cilët do të kenë një ndikim minimal në kostot e energjisë elektrike të qytetarëve. Siç premtuam, çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjet po rritet për 0,92 për qind", tha Bislimoski.
Kjo, siç potencoi, do të thotë se një amvisëri mesatare në vend, e cila ka faturë prej 2.300 denarë, do të ketë shpenzim të shtuar prej 21 denarëve.
"Çmimi i energjisë elektrike për amvisëri përbëhet nga dy pjesë, një pjesë është energjia, pjesa tjetër është tarifa e rrjetit. Tarifa e rrjetit për të gjitha blloqet është e njëjtë dhe tani është 2,14 denarë. Për bllokun e parë çmimi i energjisë është 4,44 denarë, ndërsa bashkë me tarifën e rrjetit 6,58 denarë për kilovat orë, ndërsa më parë ishte 6,53 denarë. Çmimi i përgjithshëm për bllokun e dytë është 7,71 denarë, ndërsa më parë ishte 7,64 denarë. Çmimi në bllokun e tretë është 9,57, ndërsa më parë ishte 9,39 denarë. Në bllokun e katërt është 20,4 denarë, ndërsa më parë ishte 20 denarë. Çmimi i tarifës së lirë është 4,12 denarë, ndërsa më parë ishte 4,08 denarë", sqaroi Bislimoski.
Përkujtoi se me vendimin e mëparshëm, KRRE ka ulur çmimin e tarifës së rrjetit para së gjithash në pjesën e shpërndarjes.
"Kjo na lejoi të kishim një pozicion më të rehatshëm kur merrnim këtë vendim në lidhje me furnizuesin universal. Edhe përkundër faktit se EMV-ja e rriti nga 60 në 62 euro për megavat orë çmimin me të cilin ia shet rrymën EVN Houm, ulja e çmimit të tarifës së rrjetit na lejoi ta marrim këtë vendim", potencoi Bislimoski.
Me vendimin e ri, siç thuhet, furnizuesit universal, ndaj të cilit borxhi është rreth 870 milionë denarë, do t'i kthehen 65 milionë denarë nga borxhi dhe nga të hyrat shtesë do t'i kthehen edhe 132 milionë denarë.
"Borxhi do të kthehet siç është parashikuar me faktorin korrigjues dhe me sistemin tonë tarifor, por do ta bëjmë hap pas hapi që të mos ketë ndikim tek konsumatorët e fundit, në radhë të parë tek amvisëritë. Çdo vit do të analizojmë se kur do të bëjnë kërkesë për çmim dhe varësisht se sa të ardhura do të realizojnë, ne do të kthejmë një pjesë të borxhit. Pres që në një maksimum prej 6-7 vitesh të shlyejmë borxhin tek furnizuesi universal", tha Bislimoski. rq/
Foto: MIA