• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Bisedimet për shumicën e re qeveritare në fazën përfundimtare

Bisedimet për shumicën e re qeveritare në fazën përfundimtare

Shkup, 8 shkurt 2023 (MIA) - Para publikimit të marrëveshjes përfundimtare rreth zgjerimit të shumicës qeveritare, lideri i LSDM-së dhe kryeministër Dimitar Kovaçevski do të mbajë takim me përfaqësuesit e partnerëve të tanishëm të koalicionit në të cilin do t'i informojë se për çka janë marrë vesh për hyrje të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, mëson MIA nga burime të partisë.

Kryeministri Kovaçevski në takimin me liderin e Alternativës, Afrim Gashi pritet ta informojë për rrjedhën e bisedimeve me Aleancën për Shqiptarët për hyrje në Qeveri, si dhe për ofertën për qëndrimin e partisë në shumicën qeveritare. 

Ministri i Shëndetësisë dhe nënkryetar i Alternativës, Bekim Sali, sot deklaroi se partia ende nuk ka "propozim konkret në tavolinë" për pozicionet e saj në qeverinë e ardhshme, duke shtuar se nuk kanë informacion për atë se çka do të merrte Aleanca për Shqiptarët nëse bëhet pjesë e shumicës parlamentare, prandaj edhe nuk mund të komentojë se cilat janë pozicionet e Alternativës. 

Pas takimit me partnerët aktual të koalicionit, kryeministri Kovaçevski duhet të ketë takim edhe me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, me qëllim që përfundimisht të precizohen dikasteret me të cilat do të udhëheqë partia si partner i ri qeveritar. 

Sipas burimeve të Aleancës për Shqiptarët marrëveshja përfundimtare për tu bërë pjesë partia në shumicën parlamentare do të duhej të finalizohej më së voni deri nesër, sepse prej të premten Taravari shkon në një udhëtim zyrtar. 

Kryeministri Kovaçevski dje deklaroi se gjatë ditëve të kaluara është arritur "progres i mirë" në bisedimet me Aleancën për Shqiptarët në pjesën e përcaktimeve programore dhe kadrovike.

"Bisedimet janë zhvilluar në frymë vërtet të mirë dhe në një atmosferë të arritjes së një marrëveshjeje në mënyrë që shteti të ketë shumicë në Parlament që ka një qëndrim unik për integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në të gjitha normat ndërkombëtare për të cilat tashmë jemi shembull në rajon", theksoi Kovaçevski, duke theksuar se qëllimi i bisedimeve është zgjerimi i kapacitetit evropian të koalicionit qeveritar.

Sipas tj, në përgjithësi në bisedimet me Aleancën për Shqiptarët nuk ka pasur problem rreth shpërndarjes së vendeve udhëheqëse në institucione, por bisedohet për marrje të përgjegjësisë në kuadër të potencialit kadrovik të çdo partneri të koalicionit dhe në pjesën e pjesëmarrjes në shumicën qeveritare. 

Në lidhje me bashkëpunimin e koalicionit me Alternativën, Kovaçevski theksoi se kjo parti është partner i rëndësishëm i Qeverisë për të cilin kam mendim shumë të lartë, si dhe për të gjithë partnerët qeveritarë.

"Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme do të kemi bisedime me Alternativën. Shpresoj se do të mund të arrihet rezultat pozitiv nga ato bisedime, në mënyrë që të gjithë të vazhdojmë të ndërtojmë një koalicion që angazhoet për Maqedoninë evropiane dhe do të sigurojë hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030", porositi Kovaçevski.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Taravari dje deklaroi se bisedimet për hyrje të partisë së re në koalicionin qeveritar janë kah fundi dhe sipas gjitha gjasave do të përfundojnë sot, duke theksuar se shumica e çështjeve janë mbyllur dhe se janë marrë vesh për "pjesën më të madhe të çështjeve". 

Sa i përket shpërndarjes së dikastereve ministrore dhe vendeve të drejtorëve, Taravari tha se për këtë ende është duke u diskutuar dhe për këtë arsye nuk do të ishte korrekte të flitej për këtë çështje derisa ende janë duke u zhvilluar konsultimet ndërpartiake të partnerëve të koalicionit qeveritar.

Në fillim të shkurtit burime të Aleancës për Shqiptarët (ASH) për MIA-n informuan se Ministria e Drejtësisë bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë mbesin ndër dikasteret të cilat synojnë t'i udhëheqin. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR