• e shtunë, 17 gusht 2024

Bisedime në Doha: Izraeli insiston në lirimin e pengjeve si hap i parë

Bisedime në Doha: Izraeli insiston në lirimin e pengjeve si hap i parë

Doha, 15 gusht 2024 (MIA) - Në fillim të bisedimeve për armëpushim në Rripin e Gazës, të cilat mbahen në kryeqytetin e Katarit, Doha, Izraeli kërkoi të lirohen 33 pengje të gjalla, të cilët i mban grupi islamik palestinez Hamas, transmetoi DPA duke iu referuar përfaqësuesve izraelitë në bisedimet, të cituar nga gazeta izraelite "Jediot ahronot".

Negociatorët izraelitë kanë dorëzuar një listë me emrat e personave që duhet të lirohen, si kusht për arritjen e një marrëveshjeje, shkruan botimi izraelit. "Izraeli nuk dëshiron të gjendet në një situatë ku Hamasi do të dorëzojë kryesisht trupa", thanë përfaqësuesit izraelitë në negociata.

Shumica e 33 pengjeve në listë janë gra, fëmijë, persona të moshuar dhe njerëz të sëmurë, si dhe gra ushtare. 

Sipas të dhënave izraelite, Hamasi ende mban 115 pengje, prej të cilëve 41 janë shpallur të vdekur. Fati i pengjeve të tjera është i panjohur, por supozohet se edhe ata janë të vdekur. 

Para tre muajve, Hamasi i informoi negociatorët se në mesin e 33 pengjeve të cilët mund të lirohen si hap i parë, ka edhe të vdekur, sipas publikimeve në mediat amerikane. 

Hamasi, nga ana e tij, qysh para disa ditëve njoftoi se nuk do të negociojë për kushte të reja për armëpushim ose lirim të pengjeve. 

Grupi insiston që bisedimet, të cilat sot filluan në Katar, të përqendrohen vetëm në planin e prezantuar më parë nga presidenti amerikan Xho Bajden. 

Në ndërkohë, ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi sot se numri i palestinezëve të vrarë nga fillimi i operacionit në Rripin e Gazës tashmë ka tejkaluar 40 mijë.

Në ofensivën izraelite, 92.401 njerëz u plagosën dhe 85 për qind e popullsisë u zhvendos nga shtëpitë e tyre, sipas kumtesës së ministrisë, e cila nuk specifikoi se sa nga viktimat dhe të plagosurit ishin luftëtarë të Hamasit dhe sa ishin civilë. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR