• e diel, 24 nëntor 2024

Bisedë telefonike Putin- Erdogan për eksportin e grurit nga Ukraina, së shpejti planifikojnë edhe takim

Bisedë telefonike Putin- Erdogan për eksportin e grurit nga Ukraina, së shpejti planifikojnë edhe takim
Moskë, 11 korrik 2022 (MIA)- Presidenti rus Vlladimir Putin dhe kolegu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan pas bisedës telefonike mbi mundësinë e eksportit të grurit nga Ukraina, planifikojnë të takohen në të ardhmen e afërt, njoftoi sot Kremlini. Nga 24 shkurti, kur Rusia dërgoi forcat e saja të armatosura në Ukrainë, Turqia është ndërmjetës mes Moskës dhe Kievit. Bisedimet e fundit mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës janë mbajtur në Stamboll në fund të muajit maj. “Ka vazhduar shkëmbimi i mendimeve për gjendjen rreth Ukrainës, veçmas në kontekst të përpjekjeve që të sigurohet lëvizje e sigurt në Detin e Zi dhe eksportin e grurit në tregjet botërore”, thuhet në kumtesën e Kremlinit. Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadollu, madje njoftoi se Erdogani i ka thënë sot Putinit se është koha të veprohet konform planit të Kombeve të Bashkuara për një korridor detar përmes Detit të Zi për eksport të grurit ukrainas. Ukraina e cila është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, që nga fillimi i konfliktit nuk mund të përdorë portet detare që janë kyçe për eksportin me çka eksporton tre herë më pak drithë se më parë. Për shkak të mungesës së drithit ukrainas, çmimi i ushqimit në botë është rritur, gjë që tek shumica ka krijuar frikë për sigurinë e furnizimit me ushqim. Turqia, anëtare e NATO-s që ka marrëdhënie të mira me Moskën dhe Kievin, ka kritikuar operacionin ushtarak rus. Megjithatë, ajo ka hedhur poshtë sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Rusisë. Kremlini shtoi se Putini dhe Erdogani kanë diskutuar edhe për Sirinë, ku të dy vendet kanë dislokuar forca të armatosura. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e takimeve trepalëshe për bisedimet paqësore në Astana ku do të marrë pjesë edhe Irani i cili gjithashtu është i angazhuar ushtarakisht në Siri.    

QËNDRONI TË LIDHUR