Biljana Angelova u zgjodh rektore e re e USHCM-së
- Profesoresha e Institutit Ekonomik pranë Universitetit “Shën. Cirili e Metodi” - Shkup, dhe prorektore për financa, investime dhe zhvillim, prof. Dr. Biljana Angelova është zgjedhur sot rektore e re e USHCM-së, njoftoi Komisioni Universitar i Zgjedhjeve.
- Post By Sara Ademi
- 19:27, 30 maj, 2023
Shkup, 30 maj 2023 (MIA) - Profesoresha e Institutit Ekonomik pranë Universitetit “Shën. Cirili e Metodi” - Shkup, dhe prorektore për financa, investime dhe zhvillim, prof. Dr. Biljana Angelova është zgjedhur sot rektore e re e USHCM-së, njoftoi Komisioni Universitar i Zgjedhjeve.
Kryetarja e Komisionit Universitar të Zgjedhjeve (KUZ), prof. Rodna Zhivkovska paraprakisht tha për MIA-n se votimi për zgjedhjen e rektorit të Universitetit “Shën Cirili e Metodi" në 28 njësitë - 23 fakultete dhe pesë institute, e cila zgjati sot nga ora 12:00 deri në orën 14:00, shkoi mirë.
Kandidatja e përzgjedhur do të trashëgojë rektorin aktual, prof. Dr. Nikolla Jankulovski nga Fakulteti i Mjekësisë, i cili pozitën e mbajti për dy mandate.
Angelova është e punësuar në Institutin Ekonomik që nga viti 1992, ku në vazhdimësi ka marrë të gjitha titujt shkencorë dhe mësimor-shkencor. Në vitin 2007 për herë të parë u zgjodh në titullin më të lartë akademik këshilltar shkencor/profesor i rregullt në fushën e financave të biznesit dhe në vitin 2012 u zgjodh sërish në gradën profesoreshë e rregullt në fushën e menaxhimit financiar.
Në periudhën 2006-2008 ka qenë drejtuese e ciklit të dytë të studimeve në Menaxhment Ndërkombëtar, ndërsa nga viti 2008 e deri më sot është udhëheqëse e departamentit të Menaxhimit Financiar. Ajo ishte gjithashtu drejtuese e parë e studimeve të ciklit të tretë në shkencat organizative – menaxhim në Universitetin “Shën. Cirili e Metodi” në Shkup në periudhën 2012-2016. Nga nëntori 2009 deri në shtator 2016 ka qenë drejtoreshë e Institutit Ekonomik. Në qershor të vitit 2016 u zgjodh prorektore për financa, investime dhe zhvillim në Universitetin “Shën. Cirili e Metodi” në Shkup, në të cilën pozitë u zgjodh për herë të dytë në vitin 2020 për mandatin 2020-2023. Nga viti 2016 deri në vitin 2023 ka qenë kryetare e Komisionit për Financa dhe Komisionit për Veprimtari Botuese të USHCM-së. sa/
Foto: Arkivi i MIA