• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Besimi: Vitin e kaluar realizim më i lartë i investimeve kapitale (plt)

Besimi: Vitin e kaluar realizim më i lartë i investimeve kapitale (plt)

Shkup, 4 janar 2024 (MIA) - Realizim më i lartë i investimeve kapitale lidhur me planifikimet në Buxhet është rbërë vitin e kaluar. Realizimi është në nivel prej 97 për qind në rpaort me planifikimet, përkatësisht 707 milionë euro, kumtoi sot ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtoreshën e Drejtorisë për të ardhura publike dhe Drejtorisë së Doganave, ministri Besimi theksoi se para së gjithash bëhet fjalë për projekte infrastrukturore, por edhe për investime të tjera të bëra nga ana e shfrytëzuesve buxhetorë.

Ajo që gjithashtu është me rëndësi, sipas tij, është edhe ajo që për herë të parë vitin e kaluar është realizuar Buxhet pa ribalanc në kushte të viteve të krizës dhe paparashikueshmërisë lidhur me rrjedhat ekonomike.

Të ardhurat e përgjithshme vitin e kaluar ishin në nivel prej 98,3 për qind, ndërsa shpenzimet në nivel prej 98,1 për qind.

"Këto janë gjëra të rëndësishme për realizim të Buxhetit për vitin 2023 që paraqet bazë për periudhën e ardhshme", tha Besimi.

Theksoi se vazhdon edhe konsolidimi fiskal, përkatësisht trendi i uljes së deficitit buxhetor prej 8 për qind në vitin 2020 në 4,67 për qind në vitin 2023. Lidhur me borxhin publik tha se ka ulje përkatësisht se në fund të tremujorit të tretë të vitit të kaluar ishte 55 për qind të BPV-së që është ulje prej 3,8 për qind në raport me vitin 2022.

"Ajo që është me rëndësi dhe e realizuar është Buxheti të jetë në suaza të planit dhe realizimet të baraspeshohen në nivel të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe financimi të jetë me shpenzim më të ulët, ndërsa me atë rast shpenzimet kapitale të jenë më të larta nga deficiti. Ato janë gjëra që i paralajmëruam në fillim të vitit dhe që tani i kumtojmë me numra konkret", theksoi Besimi. 

Theksoi se janë ndarë më shumë mjete financiare edhe për mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve, përkatësisht 5,2 miliardë denarë për kompanitë, 8,8 miliardë denarë subvencione në bujqësi, 1,97 miliardë denarë subvencione në arsim, 874 milionë denarë subvencione në kulturë dhe 185 milionë denarë subvencione në sport. Janë transferuar më shumë mjete edhe në njësitet e vetëqeverisjes lokale në vlerë prej 27,7 miliardë denarëve, ndërsa mbështetja që është realizuar për përballimin e krizës është në vlerë prej 5,5 miliardë denarëve.

Vitin e kaluar, siç informoi drejtoresha e Drejtorisë së të ardhurave publike, Sanja Llukarevska, janë realizuar të hyra të përgjithshme tatimore prej 114 miliardë e 243 milionë e 141 mijë denarëve, me çka kjo shumë është më e lartë për 9,44 për qind në krahasim me vitin 2022, ndërsa më e ulët për 4,56 për qind në lidhje me të ardhurat e planifikuara. Krahasuar me pagesën në vitin 2022, ka një shumë më të lartë arkëtimi për tatimin mbi fitimin për 7,35 për qind, tatimin mbi të ardhurat personale për 14,28 për qind dhe tatimin mbi vlerën e shtuar për 8,16 për qind.

Në pjesën e Drejtorisë doganore, siç theksoi drejtori Stefan Bogoev, të hyrat nga tatimi i automjeteve motorike kanë shënuar rritje prej 46,7 përqindëve në krahasim me vitin paraprak, të hyrat nga doganat për 10,3 për qind, ndërsa rritje prej pesë përqindëve ka edhe tek të hyrat nga akcizat, të cilat në vitin 2023 arrijnë në 32,4 miliardë denarë. Për gati 30 për qind është rritur numri i rasteve të konfiskimeve nga Drejtoria doganore, ndërsa për 60 për qind është rritur edhe numri i kallëzimeve penale. mb/

Foto: MIA, Ministria e Financave, Drejtoria doganore

 

QËNDRONI TË LIDHUR