• e enjte, 26 dhjetor 2024

Besimi; SEFF 2023: Konvergjencë më e shpejtë në BE për prosporitet dhe standard më të lartë jetësor

Besimi; SEFF 2023: Konvergjencë më e shpejtë në BE për prosporitet dhe standard më të lartë jetësor

Shkup, 23 shtator 2023

Bashkimi Evropian nuk është destinacion, por është udhëtim. Shoqëria demokratike, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave, sundimi i ligjit, multietniciteti, multikulturalizmi, lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit dhe njerëzve, paqja, siguria, zhvillimi dhe prosperiteti janë vlerat e përbashkëta që bashkojnë 450 milionë qytetarë të 27 vendeve drejt një bashkimi, aleance pacifiste, tregu të përbashkët (të njësuar), superfuqi ekonomike. Kam shkruar shumë për BE-në, nga këndvështrimi i përfitimeve, investimeve, rritjes së tregtisë, përshpejtimit të rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të standardit të qytetarëve etj. Por, anëtarësimi në BE nuk duhet të konsiderohet si trofe në fund të garës, ose siç theksoi komisioneri i BE-së, Johannes Hahn në Forumin Ekonomik dhe Financiar të Shkupit - SEFF, “ne nuk duhet ta shohim BE-në si bankomat, por si një mënyrë të të menduarit dhe ndarjes së vlerave të përbashkëta”. Si rezultat i kësaj, kompoziti “ta sjellim Evropën në shtëpi, para se të bëhemi pjesë e BE-së”, kap shumë saktë thelbin e procesit të eurointegrimit, respektivisht të punojmë, të udhëhiqemi nga vlerat dhe qëllimet reale, në mënyrë që të jemi më mirë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është destinacioni ynë, por është aderimi drejt “udhëtimit të përbashkët” për ardhmëri më të mirë, prosperitet dhe standard jetësor më të lartë.

Rruga drejt BE-së është e vetmja rrugë përpara. Optimizmi apo pesimizmi se një ditë vendi ynë do të bëhet anëtar i plotë i BE-së ka variuar ndër vite, por tridhjetë viteve të fundit, sa i përket destinacionit që synojmë, nuk ka ndryshuar. Prandaj, temën e diskutimit në konferencën vjetore të SEFF-it nuk e parashtruam në formë pyetjeje - "Nëse po për Evropë" dhe "Kur për Evropë?", por në formë deklarative - "Evropa PO, Evropa TANI". Diskutimet kishin për qëllim përshpejtimin e proceseve eurointegruese, përkatësisht përmirësimin e performancës ekonomike, kushteve sociale dhe funksionimit të shtetit juridik, si dhe bashkëpunimin dhe lidhjen rajonale.

SEFF-i rezultoi si reagim ndaj krizës së Covid-it sa i përket nevojës për diskutim dhe koordinim të politikave në nivel rajonal, midis të gjithë palëve të tanguara. Periudha që vijoi, tre vjet krizë, me përkimin e disa krizave globale në të njëjtën kohë, nuk ishte më pak sfiduese për politikëbërësit, kompanitë dhe qytetarët. Orientimi drejt diskutimit transparent, të gjerë dhe qasjes holistike në krijimin e ideve të reja dhe indikacioneve për veprim është bërë i domosdoshëm, ndërkohë që SEFF-i u transformua në brend rajonal që nënkupton lidhjen dhe unifikimin e profileve të ndryshme të pjesëmarrësve shoqërorë në shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira për hapa dhe politika të mëtejshme.

Por, më lejoni t'i rikthehem temës së kësaj kolumne - rruga evropiane, rruga që do të sigurojë kushte më të mira jetësore për ne dhe një të nesërme më të mirë për fëmijët tanë.

Sinergji zhvillimore përmes integrimit evropian dhe lidhjes

 

Gjatë këtij viti, si temë e parë e diskutimit në SEFF ishte lidhja sa i përket këtij aspekti. Vetë koncepti i BE-së, si dhe i SEFF-it është sinergjia, respektivisht efekte më të mira përmes lidhjes. Edhe pse lexuesi tashmë është i informuar lidhur me angazhimin për lidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në drejtim të shfrytëzimit të përfitimeve të katër lirive në rajon, në tekstin e mëposhtëm do të përpiqem të shpjegoj në mënyrë sa më ilustrive që të jetë e mundur se pse ky fakt është domethënës në rrugën tonë evropiane, respektivisht në krijimin e jetesës më të mirë për qytetarët tanë.

Avantazhet ekonomike. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, tregtia ndërrajonale në Ballkanin Perëndimor vlerësohet në rreth 20% të tregtisë së përgjithshme në vitin 2019, duke theksuar hapësirën për rritje në tregtinë rajonale. Thjeshtimi i procedurave ndërkufitare rezulton në uljen e kostove tregtare. Banka Botërore vlerëson se kostot e tregtisë ndërkufitare në Ballkanin Perëndimor janë relativisht të larta, me ç’rast mesatarisht nevojiten rreth 17 orë për eksport. Siç bëri të ditur drejtoresha e Bankës Botërore për rajonin gjatë diskutimit në SEFF-it, duke shkurtuar kohën për 3 orë, normat doganore ulen me 2 pikë përqindje. Gjithashtu, tregu rajonal më i integruar mund të tërheqë më shumë investime të huaja. Shikoni shembullin e Evropës, domethënë tregu më i madh tërheq më shumë investitorë.

Zhvillimi i infrastrukturës. Lidhja rajonale është sistem qarkullues i zhvillimit të infrastrukturës. Lidhjet efikase transportuese, rrjetet energjetike dhe dixhitale në të gjithë rajonin mundësojnë fluks të pandërprerë të mallrave, shërbimeve dhe ideve. Korridoret rajonale janë ato që sjellin vlerë të shtuar për ekonomitë nacionale nëpërmjet investimeve, tregtisë, transportit, turizmit dhe përforcimit të pozitës gjeostrategjike të shteteve.

 

Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve. Lehtësimi i udhëtimit të qytetarëve në rajon kontribuon në stimulimin e turizmit dhe udhëtimeve në përgjithësi. Para pandemisë, Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) regjistroi 18 milionë ardhje turistësh në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëpërmjet lehtësimit të lëvizjes, rritet mundësia për vizita. Lehtësohen gjithashtu qëndrimet studimore dhe mundësia për shkëmbimin e përvojave, trajnime dhe edukim në rajon.

Rritja e rezistencës së ekonomive ndaj goditjeve të jashtme. Lidhja rajonale, zhvillimi i infrastrukturës, diversifikimi i partnerëve tregtarë dhe afrimi sa i përket zingjirit të ofertës (“nearshoring”), mund të kontribuojnë në përforcimin e rezistedncës së ekonomive të caktuara ndaj goditjeve të mundshme të mëtejshme globale. Gjithashtu, ka kontribut edhe për sigurinë energjetike

 

Stabiliteti rajonal. Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke pasur parasysh se nivelet më të larta të bashkëpunimit reduktojnë konfliktet për të mbrojtur aktivitetet ekonomike. Gjithashtu, bashkëpunimi rajonal është aspekt që BE-ja e inkurajon, sepse thelbi i BE-së është lidhja në këtë drejtim. Dy nga katër shtyllat e para të planit të ri për përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian i referohen lidhjes rajonale dhe lidhjes me BE-në. Siç njoftoi kryetarja e Komisionit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi që shumë më herët t'i ndjejnë beneficionet e tregut të përbashkët, me shumë gjasa përmes segmentit, me të cilin kryhet shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve përmes kanaleve dixhitale.

 

Politikanët duhet ta sodisin gjithmonë tablonë e madhe. Kështu, përfitimet e ndërtimit të urave në rajon për qytetarët, kompanitë dhe ekonomitë duhet të jenë primare të axhendës.

 

 

Reforma strukturore për përshpejtimin e konvergjencës në BE

 

Procesi i dytë, i cili do të kontribuojë në përforcimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe konvergjencën më të shpejtë me BE-në është zbatimi i reformave strukturore që do ta përshpejtojnë rritjen ekonomike, do ta përkrahin konkurrencën, krijimin e kompanive të reja dhe vendeve të reja të punës. Sundimi i ligjit, parandalimi i korrupsionit dhe qeverisja e mirë

janë pjesë e këtyre reformave, përmes zbatimit të masave për luftimin e korrupsionit, reformave në gjyqësor dhe administratë publike.

 

Po aq të rëndësishme janë edhe reformat në kapitalin njerëzor. Sipas të dhënave më të fundit për indeksin e kapitalit njerëzor, i cili llogaritet nga Banka Botërore, mesatarja në vitin 2021 për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte 0.57 (intervali është nga 0 deri në 1). Kjo do të thotë se fëmijët që janë lindur tani do ta shfrytëzojnë vetëm 57% të potencialit të tyre kur të arrijnë moshën madhore, gjë që është për shkak të sistemit arsimor, shëndetësor dhe kujdesit social që ofrohet në vendin e tyre. Republika e Maqedonisë së Veriut edhe pse ka rezultatin më të mirë në rajon (0,59), ka ende shumë hapësirë për përmirësim, duke pasur parasysh se në ekonomitë e zhvilluara vlera e këtij indeksi lëviz mbi 0.7.

 

Qeveria jonë përpiqet të ndikojë në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij indeksi përmes ndarjes së mjeteve buxhetore dukshëm më të mëdha, si dhe reformave cilësore. Krahas investimit në kapitalin njerëzor, rëndësi të madhe ka edhe adekuaditeti i shkathtësive të krijuara nga fuqia punëtore me nevojat e tregut të punës. Investimi në procesin arsimor, trajnimin e punëtorëve që do t’i plotësojnë nevojat e tregut, por në të njëjtën kohë, zbatimi i reformave që do ta balancojnë sigurinë e punës dhe fleksibilitetin e tregut, do të ofrojnë përkrahje të konsiderueshme për ekonominë dhe përshtatjen e biznesit ndaj ndryshimeve. Përcaktimi i mësimit të vazhdueshëm gjithashtu kontribuon në përmirësimin e cilësisë dhe rëndësisë së arsimit. Përkrahja e shkencës dhe kërkimeve, nga ana tjetër, duke inkurajuar sinergjinë ndërmjet shkencës dhe sektorit privat, kontribuon në forcimin e inovacionit dhe sipërmarrësisë në sektorin privat.

 

Rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës e përmenda më lart në tekst, por nuk mund të mos e përmend edhe në reformat strukturore. Zhvillimi i infrastrukturës transportuese dhe infrastrukturës energjetike do ta stimulojë procesin e investimeve, do ta përmirësojë lidhjen dhe tregtinë dhe në këtë mënyrë do ta stimulojë zhvillimin ekonomik.

 

Sektori privat konkurrues është krucial për rritjen ekonomike. Investimet dhe sipërmarrësia stimulohen nëpërmjet lehtësimit të vazhdueshëm të rregullativave për zhvillimin e biznesit, thjeshtësimit të tyre dhe reduktimit të burokracisë. Rëndësi të madhe ka edhe fakti që ndërmerren aktivitete për përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, nëpërmjet zhvillimit të tregjeve financiare dhe mekanizmave përkrahës. Qëndrueshmëria e mjedisit jetësor është gjithnjë e më e rëndësishme për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Reformat strukturore duhet të fokusohen në përforcimin e rregullativave ekologjike dhe qëndrueshmërisë në energjetikë, bujqësi dhe prodhimtari. Gjithashtu, nevojitet që të rriten investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, në mënyrë që të reduktohen emetimet e karbonit dhe të përmirësohet siguria energjetike.

 

Konteksti gjeopolitik: Momenti i duhur për Ballkanin Perëndimor

 

Në SEFF diskutuam edhe për kontekstin gjeopolitik, si pjesë e proceseve zhvillimore të rajonit. Konteksti aktual gjeopolitik sjell sfida dhe mundësi për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse fillimi i luftës në Ukrainë për ekonomitë e hapura dhe të varura energjetike të Ballkanit Perëndimor nënkuptonte inflacion të lartë dhe rritje të deficitit tregtar, nga ana tjetër, nevoja për vazhdimin e procesit eurointegrues dhe Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij, u bë kahje e qartë.

Momenti i duhur për zgjerimin e BE-së theksohet në analizat e të gjitha agjencive të njohura, think-tank-eve, por edhe zyrtarëve të BE-së. Në këtë drejtim është edhe plani i ri i Komisionit Evropian për përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Nevoja për konsolidimin e Evropës është evidente dhe Ballkani Perëndimor është pjesë e saj. Si rezultat i kësaj, proceset zhvillimore, por edhe ato politike, duhet ta shfrytëzojnë me mençuri kontekstin gjeopolitik, sepse është e pasigurt nëse kjo mundësi e tillë do të shfaqet sërish.

Biznesi, BE-ja dhe trendet globale

 

SEFF-i është platformë e gjerë për diskutim dhe rrjedhimisht sektori i biznesit është pjesëmarrës i rëndësishëm në diskutimet dhe formësimin e ideve dhe politikave të ardhshme. Në SEFF diskutuam edhe me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, përkatësisht me odat ekonomike për pikëpamjet e tyre lidhur me trendet globale dhe lidhur me faktin se çfarë mundësish ofrojnë ato për biznesin. Përshtypja e përgjithshme është se të gjithë përfaqësuesit e sektorit të biznesit, pa përjashtim, e njohin rrugën evropiane si rrugën e përparimit. Forcimi i konkurrencës, nëpërmjet shfrytëzimit të përfitimeve të dixhitalizimit, investimi në burime të qëndrueshme, të ripërtëritshme të energjisë, investimet në kapitalin njerëzor janë mundësi që janë projektuar nga komuniteti i biznesit për përshpejtimin e zhvillimit të ekonomisë. Ekonomia gri, e cila është e lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe migrimet dhe nevojat e tregut të punës, janë sfida me të cilat duhet të vazhdojmë të luftojmë.

 

Të gjitha këto diskutime janë relevante nga aspekti i evidentimit të nevojave për zhvillimin e ekonomive tona, për konvergjencën me ekonomitë e zhvilluara të BE-së dhe për ta "sjellë Evropën në shtëpi". Dëshiroj të theksoj se u jam jashtëzakonisht mirënjohës të gjithëve që kontribuan me praninë dhe diskutimet e tyre në konferencën e këtij viti, por edhe ekipit që punoi në organizimin e SEFF-it për angazhimin dhe profesionalizmin e tyre të jashtëzakonshëm, si dhe partnerëve tanë të AmCham-it për përkrahjen e tyre, përfaqësuesve nga i gjithë spektri politik (qeveria dhe opozita), komunitetit të biznesit, atij akademik dhe civil, si dhe përfaqësuesve nga institucionet ndërkombëtare dhe partnerët zhvillimorë.

 

Ky është viti i tretë i SEFF-it dhe siç thashë në konferencë - Një herë paraqet ngjarje, dy herë përsëritje dhe për herë të tretë tashmë traditë (“Once is an event, twice is a repetition and three times is a tradition”). Besoj se kjo traditë e mirë e diskutimit të hapur, e udhëhequr nga ekonomia dhe vizioni i zhvillimit do të vazhdojë

Колумна на министерот за финансии Фатмир Бесими

Kolumnë e Ministrit të Financave Fatmir Besimi

___________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në gjendje integrale dhe origjinale

Foto: Ministria e Financave

 

QËNDRONI TË LIDHUR