• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Besimi: Qëndrueshmëria fiskale dhe financat publike janë kyçe për rritjen ekonomike në kushte krize

Besimi: Qëndrueshmëria fiskale dhe financat publike janë kyçe për rritjen ekonomike në kushte krize

Shkup, 30 maj 2023 (MIA)- Stabiliteti fiskal dhe financat publike prudente në kushte të krizës, me të cilën përballemi aktualisht, janë kushte kyçe për rritjen ekonomike dhe sigurinë e një të ardhmeje me prosperitet për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme. Në këtë drejtim, kruciale është zbatimi i politikave koherente, të integruara dhe të qëndrueshme.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Fatmir Besimi në Samitin e guvernatorëve, ministrave të Financave dhe drejtorëve të drejtorive tatimore në rajon në Beçiqi të Malit të Zi. “Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit, në kohë pasigurie të krizës së prolonguar gjeopolitike dhe ekonomike”.

“Kriza na ka vënë përballë një pasigurie të madhe, duke luftuar në disa fronte. Bllafaqimi me sfidat dhe njëkohësisht ruajtja e axhendës reformuese, do të na kthejë në shtigjet e rritjes ekonomike para pandemisë. Në kushte të tilla, ekonomia vendase tregoi rezistencë të madhe ndaj goditjeve të njëpasnjëshme të shkaktuara nga faktorët globalë.

Reagimi në kohë i politikës fiskale, nëpërmjet reagimit të shpejtë, gama e gjerë e masave antikrizë dhe stimuli i dukshëm fiskal, kanë kufizuar në masë të madhe ndikimin e këtyre goditjeve në vazhdimësi. Që nga fillimi i krizës, si vazhdimësi e masave mbështetëse dhe rimëkëmbëse në periudhën e pandemisë dhe pas saj, qeveria reagoi në kohë, për ta ngadalësuar efektin e transferimit të inflacionit të importuar, për të siguruar furnizim të plotë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, si dhe për t’i shmangur goditjet e çmimeve. Masat u targetuan për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve dhe për kompanitë, të përfshira nga kriza, ndërsa si qëllime kryesore ishin mbrojtja e standardit të jetesës dhe ruajtja e likuiditetit të kompanieve, si dhe përkrahja e investimeve në fushën e efikasitetit energjetik dhe në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, me qëllim që të sigurohet stabiliteti energjetik afatgjatë dhe baza e normave të qëndrueshme, sa i përket rritjes ekonomike në periudhë afatmesme”, theksoi ministri Besimi.

Ministri Besimi shtoi se e gjithë kjo do të arrihet me stabilizimin e inflacionit, përshpejtimin e realizimit të projekteve kapitale dhe me implementimin e reformave strukturore.

“Si nxitje pozitive e rritjes ekonomike do të jenë investimet kapitale publike të planifikuara, që këtë vit janë në nivelin historikisht më të lartë prej 800 milionë eurove. Kanë filluar disa projekte kyçe në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, energjetikën, infrastrukturën komunale etj. Pavarësisht hapësirës së ngushtë fiskale, vijon më tej konsolidimi fiskal me uljen e deficitit buxhetor, optimizimi i kostove të burimeve të caktuara të financimit të tij dhe orientimi i tij i plotë në financimin e projekteve investuese”, theksoi ministri.

Ministri në panel diskutimin theksoi se vendi ynë, por edhe vendet e rajonit, gjatë gjithë kësaj periudhe krize, nuk tërhiqen nga rruga e përbashkët e të gjithëve – të bëhemi pjesë e BE-së.

“Rruga e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe vendeve të rajonit është drejt BE-së. Nuk ka alternativë tjetër dhe ne këtë e tregojmë dhe e dëshmojmë në çdo mënyrë të mundshme. Qëllimi ynë është të krijojmë një të ardhme me prosperitet për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme, veçanërisht për të rinjtë e vendit tonë. Si rrjedhojë, cilësia e jetesës duhet vazhdimisht të përmirësohet dhe ajo do të jetë indikatori kryesor për konvergjencën reale (ekonomike) drejt BE-së. Në këtë aspekt, procesi i anëtarësimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zgjerimin e kapaciteteve institucionale dhe transponimin e legjislacionit bashkëkohor evropian mbinacional.

Vetëm duke zbatuar politika koherente, të integruara dhe të qëndrueshme që inkurajojnë zhvillimin e qëndrueshëm do të jemi në gjendje ta sjellim Evropën në shtëpi. Republika e Maqedonisë së Veriut i ka filluar negociatat vitin e kaluar dhe kjo i jep dinamikë të përshpejtuar proceseve dhe reformave dhe arritje më të shpejtë të rezultateve”, tha ministri i Financave Fatmir Besimi. Ministri foli në panel diskutimin me temë “Financa publike të qëndrueshme – kushti kyç për rritjen ekonomike dhe krijimin e një tregu modern ekonomik në kushtet e pasigurisë së prolonguar gjeopolitike”, ku morën pjesë ministrat e Financave nga rajoni.

QËNDRONI TË LIDHUR