• e premte, 08 nëntor 2024

Besimi : Prospekti për ankandin e parë të fletobligacioneve të qytetarëve do të publikohet në fund të muajit qershor

Besimi : Prospekti për ankandin e parë të fletobligacioneve të qytetarëve do të publikohet në fund të muajit qershor

Shkup, 17 qershor 2023 (MIA) - Prospekti për ankandin e parë të qytetarëve do të publikohet në fund të këtij muaji, me ç’rast ky instrument financiar do ta vihet në dispozicion për qytetarët. Procedura për blerjen e fletobligacioneve do të jetë e thjeshtë dhe do të bëhet përmes filialeve të bankave ku do të parashtrohen kërkesat për këtë fletobligacion, paralajmëroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Që nga njoftimi lidhur me emetimin e fletobligacioneve të qytetarëve ka interesim të madh nga qytetarët.

“Qëllimi i fletobligacionit të qytetarëve nuk është që shteti të mbledhë para – ankande për letra shtetërore me vlerë në tregun vendas, shteti tashmë mban dy dekada dhe duhet të theksoj se në vitet e kaluara gjithmonë ka pasur interes të madh nga investitorët institucionalë (banka dhe fonde). Qëllimi është që të ofrohen mundësi të reja për investim në tregun financiar për qytetarët, mundësi që janë të zakonshme në shumicën e ekonomive në botë. Jam i kënaqur se që nga njoftimi për emetimin e fletobligacioneve të qytetarëve, deri më tani, ekziston interes i madh nga ana e qytetarëve. Besoj se me ofrimin e mundësive të reja për investim, së bashku me përforcimin e edukimit financiar të popullatës, do të ngrihet vetëdija e përgjithshme sa i përket mirëmenaxhimit të kursimeve dhe mundësive për përfitim prej tyre”, thekson ministri Besimi në këtë intervistë.

Ministri shtoi se qytetarët që do t’i investojnë mjetet e tyre në këto fletobligacione, do të përfitojnë kompensim, përkatësisht interes atraktiv, që do të përcaktohet pas publikimit të Prospektit të ankandit.

“Qytetarët përfitojnë edhe siguri, sepse fletobligacionet shtetërore në mbarë botën konsiderohen si investim pa rrisk (instrumenti emetohet nga ana e shtetit), ndërsa njëkohësisht i ruajnë mjetet e tyre nga efektet e inflacionit. Fletobligacionet kanë interes kuponi, që do të thotë se çdo vit, për vlerën e investuar do të paguhet interes i dakorduar, ndërsa pas përfundimit të afatit, principali i investuar kthehet, përkatësisht kthehet vlera që qytetarët do ta paguajnë. Fletobligacioni i qytetarëve do të jetë me maturim prej dy viteve”, thekson ministri Besimi.

Gjatë intervistës, ministri potencoi se, fletobligacionet janë instrumente financiare të cilat ekzistojnë pothuajse në të gjitha ekonomitë dhe ato nuk janë zëvendësim i depozitave të kursimeve dhe as të investimeve në letra të tjera me vlerë, p.sh. aksionet dhe pjesëmarrjet në fondet investuese.

Fletobligacioni i qytetarëve nuk ka për qëllim zëvendësimin e portofolit, por plotësimin e tij relativisht të thjeshtë të investimeve në vendin tonë. Leksioni i parë për investitorët është: “mos i vendosni të gjitha vezët në një shportë - ndërto portofol”. Ne, po e plotësojmë portofolin me mundësi për investime pa rrisk”, thotë ministri Besimi. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR