• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Besimi për vizitë pune në Bruksel në takimin përfundimtar të Dialogut ekonomik dhe financiar mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë

Besimi për vizitë pune në Bruksel në takimin përfundimtar të Dialogut ekonomik dhe financiar mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë

Shkup, 15 maj 2023 (MIA) - Ministri i Financave, Fatmir Besimi, nis vizitën dyditore të punës në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Dialogun e rregullt vjetor ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Siç kumtuan nga Ministria e Financave, Besimi në kuadër të dialogut, do të prezantojë reformat që janë realizuar dhe politikat që po ndërmerren. Do të miratohen edhe konkluzionet e përbashkëta, të cilat do të jenë udhërrëfyes të politikës për periudhën e ardhshme dhe do të jenë pjesë përbërëse e dokumenteve të miratuara nga Qeveria e RMV-së, si dhe këto konkluzione do të merren parasysh gjatë përgatitjes së Programit të ardhshëm të reformave ekonomike për periudhën 2024-2026.

Programi i reformave ekonomike është dokumenti më i rëndësishëm i këtij dialogu me KE-në. Kjo është kornizë e politikës makroekonomike dhe fiskale dhe pasqyrë e detajuar e reformave strukturore për rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës.

Në Dialogun ekonomik dhe financiar të sivjetëm në Bruksel marrin pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Në kuadër të dialogut në Bruksel, do të diskutohet për politikën fiskale, stabilitetin makroekonomik, nxitjen e rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës, reformat strukturore për rimëkëmbjen nga krizat dhe njëkohësisht, për përforcimin e fleksibilitetit të ekonomive dhe politikave sociale.

Në kuadër të vizitës, ministri i Financave në Bruksel do të mbajë fjalim para Qendrës Evropiane të Politikave me temë "Lufta dhe implikimet në Ballkan, perspektivat e Maqedonisë së Veriut". ab/

Foto: MIA arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR