• e enjte, 26 dhjetor 2024

Besimi për raportin e BB-së: Vazhdojmë me konsolidimin fiskal dhe mbështetje të rritjes

Besimi për raportin e BB-së: Vazhdojmë me konsolidimin fiskal dhe mbështetje të rritjes

Shkup, 6 tetor 2023 (MIA) - Ministri i Financave Fatmir Besimi thotë se me kujdes ndiqen raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare për gjendjen në ekonominë tonë dhe bëhen projeksione të buxhetit për vitin e ardhshëm me vazhdimin e konsolidimit financiar dhe mbështetje të rritjes.

Duke e komentuar Raportin e publikuar dje të Bankës Botërore në të cilin parashikohet se rritje ekonomike e vendit këtë vit do të jetë 1,8 për qind, ndërsa inflacioni 9,1 për qind, Besimi në brifing me gazetarët tha se në raport si një nga sfidat kryesore për dinamikën e ngadalësuar të rritjes është cituar procesi i ngadalshëm i miratimit të ligjeve reformuese në Kuvend.

Pozitive, siç tha, është se japin perspektivë optimiste për vendin dhe i theksojnë investimet në infrastrukturë, integrimin evropian dhe përforcimin e kapitalit njerëzor.

"Nëse shikojmë strukturën, dinamikën sipas komponentëve të BPV-së, do të shohim se ajo që shkruan pasqyrohet në shifra, reflektimi më i madh është tregtia e jashtme, dinamika e importit dhe eksportit, për faktin se ulet konsumi në Gjermani, si partneri ynë më i madh tregtar dhe për shkak të recesionit në dy tremujorë. Investimet e huaja direkte (IHD) kompensojnë rënien e tregtisë së jashtme. Kemi një rritje të Investimeve të Huaja Direkte në krahasim me vitet e kaluara. Prodhimi industrial, nga ana tjetër, është rritur për herë të parë që nga pandemia këtë vit. Ka edhe aspekte të tjera, perspektiva është pozitive dhe ne do të punojmë në sfidat", thotë Besimi.

Ai tregon se projeksionet për rritje të publikuara nga FMN, BE, BERZH... janë mbi 2 për qind, pra 2.4 për qind, 2.5 për qind. "Prandaj ne i monitorojmë me kujdes këto çështje, bëjmë projeksione të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe të BPV-së dhe vazhdojmë me konsolidimin fiskal dhe mbështetjen e rritjes", theksoi ministri i Financave.

Duke theksuar se të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë tregojnë rënie të vazhdueshme të inflacionit, ai ka treguar se duhet të merret parasysh ndikimi i rritjes së normës së interesit nga Banka Popullore.

"Kemi një rritje të katërfishtë të normës së interesit të BP-së dhe natyrisht kjo ndikon në aktivitetin ekonomik. Prandaj ne "luajmë" me masa të tjera, nëpërmjet Bankës Zhvillimore me kredi e përfitime të reja, një skemë garancie... Nuk ka drekë falas. Nëse doni të ulni inflacionin, Banka Popullore do të rrisë normën e interesit, e cila do të ndikojë në rritjen, do të ulet kërkesa, të ardhurat... Këto janë cikle,  nuk mund të luftojmë me maksimat e teorisë ekonomike, por përpiqemi ta ulim atë goditje sidomos tek kategoritë më të cenueshme", tha Besimi.

Ai përsëriti se është duke u përgatitur një paketë masash kundër krizës për të cilat tashmë janë siguruar financat me Vendimin për rialokimin e mjeteve nga Buxheti, si dhe paralajmëroi shpalljen e një obligacioni të ri civil në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit tjetër. sa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR