• e shtunë, 13 korrik 2024

Besimi: Një asnjë moment askush nuk ka thënë se pagat do të ulen

Besimi: Një asnjë moment askush nuk ka thënë se pagat do të ulen
Shkup, 17 tetor 2022 (MIA) – Në asnjë moment, as kryeministri, as ndonjë tjetër nuk ka thënë se do të ulen pagat, ndërsa kjo nuk qëndron as në Planin e kursimit, por ka disa sektorë të caktuar dhe marrëveshje kolektive zgjidhjet e së cilave duhet të rishikohen, tha sonte ministri i Financave, Fatmir Besimi. Sipas tij, në vitin 2023, për shkak të krizës, mund të ndalojnë ose të pakësohen punësimet në sektorin publik. Institucioneve u rekomandohet me mobilizim (transferime) t'i plotësojnë vendet e zbrazëta. Zvogëlimi i shpenzimeve në sektorin publik është shumë i rëndësishëm, përmendi Besimi, ndërsa presioni nga inflamacioni duhet të zvogëlohet. "Ekzistojnë disa sektorë të caktuar dhe marrëveshje kolektive të cilat janë kontraktuar në rrethana të caktuara, ndërsa dallojnë nga të tjerat. Duhet të shohim në mënyrë kritike lidhur me atë nëse zgjidhjet e tilla janë konsistente apo të qëndrueshme. Ka kompani që janë në humbje, ndërmarrje të sektorit publik me paga më të larta se ato të funksionarëve qeveritarë, presidentit të shtetit, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, që është një distorzion i sistemit. Ndërsa nuk bëhet fjalë për kompani të suksesshme, por për të tilla të cilat presin ndihmë nga Buxheti. Këto zgjidhje definitivisht do të jenë e shkuar dhe duhet të rishikohen, ndërsa Qeveria si themeluese e ndërmarrjeve të tilla me siguri do të qaset me masat më rigoroze", theksoi Besimi në pjesëmarrjen në 24 Analizë. Pyetjes nëse do të ketë ulje të pagave lidhur me masën 30 për qind e administratës sërish të punojë nga shtëpia që të kursehet, ministri tha se kjo do të varet nga vlerësimi i çdo institucioni në mënyrë vetanake "Ua lëmë institucioneve në mënyrë vetanake ta zgjidhin. Do të thotë, varet se si do të vlerësojë institucioni, varet nga obligimet dhe mundësitë ligjore", përmendi Besimi. Lidhur me masat e Qeverisë për kursim ndaj institucioneve, Besimi tha se pjesa më e madhe e ministrave vijnë me propozime të veta. "Të gjithë janë të vetëdijshëm për gjendjen, i mbetet çdo drejtuesi të institucioneve të vlerësojë se sa do të jenë mjetet e nevojshme për t'i realizuar aktivitetet vijuese. Jo të gjitha institucionet do të munden në mënyrë të barabartë t'i zbatojnë masat. Institucionet vetë do të tregojnë se cilat masa do t'i zbatojnë dhe me çfarë rezultate për periudhë prej tre muajve", tha Besimi, duke potencuar si shembull se dukshëm është zvogëluar numri i automjeteve, veçanërisht për ambasadat, edhe pse janë një prej mjeteve kryesore për punë dhe në segmente të tilla, si ky, është e mundur të ketë përjashtime. Kriza, potencoi Besimi, nuk do të kalojë shpejtë, ndërsa efektet do të ndjehen në vijim. Projeksionet për ekonominë e vendit janë prej 2,9 deri në 3,1 rritje vitin e ardhshëm. shk/

QËNDRONI TË LIDHUR