• e mërkurë, 17 korrik 2024

Besimi: Konsensus shoqëror për një të ardhme me prosperitet

Besimi: Konsensus shoqëror për një të ardhme me prosperitet

Kolumnë e ministrit të Financave Fatmir Besimi

23 dhjetor 2023

Gjatë vitit të kaluar, rregullisht i jam drejtuar publikut, lexuesve, përmes kolumnave të mia. Edhe pse, e pranoj, shkruaj shumë gjerësisht dhe në detaje, si ekonomist i qëndroj faktit që për të krijuar mendim për një temë të caktuar, duhet t’i posedosh të gjitha informacionet, ose siç them shpesh “të kesh pasqyrë të përgjithshme”. Kështu, duke shkruar për buxhetin, politikën tatimore, reformat e financave publike, reformat sistemore në sektorin publik, strategjitë e rimëkëmbjes nga disa kriza globale që kanë goditur ekonominë, si dhe planet për përshpejtimin e rritjes dhe të ardhmen evropiane, përmes fakteve dhe shifrave të bazuara në teorinë ekonomike, dëshiroja të kontribuoj në transparencën dhe llogaridhënien, si dhe në aspektin e perceptimit të gjendjes, proceseve dhe qëllimeve për ekonominë tonë.

Teksa jemi në prag të vitit të ri, momenti më i përshtatshëm është të mendojmë për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret. Në aspektin ekonomik, vitin e ardhshëm kemi shumë punë përpara, prandaj të shohim se ku jemi tani, çfarë do të ndodhë më pas dhe cilat janë pikësynimet tona. Qëllimi përfundimtar është sigurisht një e ardhme evropiane më e mirë dhe me prosperitet për qytetarët tanë nëpërmjet rritjes ekonomike, përmirësimit të shërbimeve publike, përforcimit të konkurrencës, investimeve në kapitalin njerëzor dhe në projekte kapitale strategjike.

Nëpërmjet kësaj kolumne, duke elaboruar treguesit makroekonomikë dhe strategjitë zhvillimorë, më lejoni të jap një pasqyrë të përgjithshme rreth arritjeve të këtij viti dhe pritshmërive për vitin e ardhshëm dhe periudhën afatmesme.

1. PBB-JA: VIT I VËSHTIRË, EKONOMI REZISTENTE

Në vitin që po kalon, ekonomia globale vazhdoi të rimëkëmbet nga goditjet që lidhen me pandeminë, invazionin rus ndaj Ukrainës dhe inflacionin dyshifror. Megjithatë, nuk mund të thuhet se ekonomia botërore ka lundruar në ujëra të qeta, duke marrë parasysh rigorozitetin e kushteve financiare, si dhe zvogëlimin e hapësirës për përkrahje fiskale për shkak të niveleve më të larta të borxhit publik, fragmentimin e mëtejshëm gjeopolitik dhe gjeoekonomik, si dhe rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike. Ekonomia globale tregoi rezistencë të lartë pavarësisht çrregullimeve në tregjet e energjisë dhe produkteve ushqimore dhe vazhdoi të shënojë rezultate pozitive ekonomike, me ç’rast rritja ekonomike globale u ngadalësua, por nuk u ndalua. Sipas projeksioneve të vjeshtës së FMN-së, rritja e ekonomisë globale pritet të ngadalësohet nga 3.5% në vitin 2022, në 3% këtë vit dhe 2.9% në vitin 2024. Aktiviteti ekonomik në BE në vitin 2023 pritet të mbetet në nivel të ulët dhe të shënojë rritje prej 0.7%, ndërsa në vitin 2024 rritja projektohet në 1.5%. Republika Federale e Gjermanisë, vendi ku orientohet pjesa më e madhe e eksportit të kompanive vendase, pritet të rikuperohet dhe të shënojë rritje prej 0.9% në vitin 2024, pas rënies së projektuar prej 0.5% në vitin 2023.

Vitin e ardhshëm – Përshpejtim i rritjes së ekonomisë së brendshme 

Në kushtet e krizës së vazhdueshme dhe pasigurisë së shkaktuar nga faktorë të jashtëm të pafavorshëm, ekonomia jonë e brendshme rezultoi të jetë rezistente dhe qëndroi në rrugën e rritjes, ndonëse, ashtu si ekonomia globale, vërehet ngadalësim i aktivitetit ekonomik. Për vitin e ardhshëm pritet përshpejtim i aktivitetit ekonomik, i ndihmuar nga rritja më e lartë midis partnerëve tanë më të mëdhenj tregtarë dhe kështu edhe rritja e kërkesës së huaj, si dhe përmirësimi i ciklit më të madh të investimeve, me ç’rast vendi ynë involvohet përmes projekteve të mëdha infrastrukturore. Rritja ekonomike në vitin 2024 pritet të arrijë në 3.4%, në kushtet e rritjes së investimeve, rritjes së konsumit në nivel solid dhe rimëkëmbjes së kërkesës së jashtme. Investimet bruto pritet të japin kontributin më të madh në rritje, në radhë të parë si rezultat i intensifikimit të zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti, përkatësisht korridoreve 8 dhe 10, përkrahjes shtetërore për përmirësimin e sektorit privat, si dhe përforcimit të konkurrencës, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik të ndërmarrjeve nëpërmjet burimeve dhe instrumenteve alternative të financimit dhe investimeve të paralajmëruara për zgjerimin dhe krijimin e kapaciteteve të reja në zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale për rritjen e investimeve private. Gjithashtu pritet që fillimi i procesit të anëtarësimit në BE t’i përforcojë proceset reformuese në vend dhe të sigurojë përkrahje më të madhe për investimet, fakt ky që do ta përmirësojë më tej besimin e investitorëve. Kushtet e favorshme në vend si dhe rritja e interesit dhe përkrahjes së investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë do ta përkrahin më tej aktivitetin investues.

Norma mesatare vjetore mbi 5% me Planin e përshpejtimit të rritjes

Pritshmëritë afatmesme janë që rritja ekonomike të përshpejtohet, me zbatimin e aktiviteteve dhe masave të planeve zhvillimore, për arritjen e normave të nevojshme për konvergjencë më të shpejtë, prej rreth 5%. Si rezultat i kësaj rezulton supozimi se nuk do të përballemi me goditje të mëdha, siç ishte rasti i viteve të kaluara.

Këtu do t'i referohem shkurtimisht strategjisë dhe politikave që do të zbatohen në periudhë afatmesme për përshpejtimin e rritjes ekonomike, respektivisht Planit të rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe Planit të investimeve publike, me përkrahje të politikave për stabilitet makroekonomik dhe qëndrueshmëri fiskale. Plani i rritjes së përshpejtuar ekonomike 2022-2026 paraqet kornizë të përgjithshme që merr parasysh të gjithë elementët që mund të kontribuojnë në përforcimin e potencialit të rritjes në periudhë afatmesme dhe është vazhdim i Strategjisë së rimëkëmbjes ekonomike dhe rritjes së përshpejtuar (“SmartER Growth”). Me anë të këtij plani propozohen mënyra inovative për financimin e investimeve publike dhe atyre private, nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha mjeteve të ofruara në dispozicion nga kreditorët zyrtarë dhe shfrytëzimit të të gjitha mundësive për mobilizimin e kapitalit privat. Krahas mjeteve buxhetore parashihet edhe financimi nëpërmjet granteve, aksioneve, koncesioneve, llojeve të reja të fletobligacioneve, partneriteteve publike dhe private etj. Në kuadër të Planit të rritjes së përshpejtuar ekonomike, Ministria e Financave ka realizuar tashmë me sukses emetimet e para të fletobligacioneve të qytetarëve dhe të gjelbra, ndërsa në periudhën vijuese planifikohet vendosja e fletobligacioneve projektuese dhe zhvillimore, mjete që janë të destinuara për projekte zhvillimore dhe të gjelbra.

Plani i investimeve publike përcakton projekte kapitale shumëvjeçare, me rëndësi strategjike, të tilla si projektet infrastrukturore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe atë social, në bujqësi dhe mbrojtje të mjedisit jetësor. Ato financohen nga burime të diversifikueshme, mjetet buxhetore, donacionet, kryesisht fondet IPA, si dhe nga huatë e institucioneve financiare ndërkombëtare/kreditorët bilateralë. Këtu përfshihen pjesët rrugore dhe linjat hekurudhore të Korridorit 8 dhe 10, gazifikimi, HEC “Çebren”, parqet e turbinave me erë dhe termocentralet fotovoltaike, impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup dhe stacionet e mbetjeve të ngurta, si dhe shumë projekte të tjera. Progresi i mëtejshëm në procesin e integrimit drejt BE-së, si dhe Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, të cilit do t'i referohem në fund të këtij teksti, do të kontribuojnë në përshpejtimin e rritjes ekonomike.

2. INFLACIONI: RIKTHIM NË MESATAREN HISTORIKE

Në nivel global, pas arritjes së normës më të lartë të inflacionit vitin e kaluar, që nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar e në vijim, inflacioni dhe pritshmëritë inflacioniste stabilizohen këtë vit. Inflacioni global pritet të shënojë rënie nga 8.7% në vitin 2022, në 6.9% në vitin 2023 dhe 5.8% në vitin 2024. Inflacioni në Eurozonë projektohet në 5.6% në vitin 2023 dhe 3.3% në vitin 2024. Në periudhën afatmesme, respektivisht në vitin 2025 pritet rikthim në normat e inflacionit historikisht të ulëta prej 2%. 

Edhe në vendin tonë, pasi inflacioni arriti nivelin më të lartë prej 19.8% në muajin tetor të vitit 2022, ai vijon të ulet dhe sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, inflacioni vjetor në muajin nëntor shënon 3.1%. Kumulativisht në periudhën janar-nëntor 2023, norma e inflacionit shënon 10.2%, ndërsa projeksioni ynë është që për të tërë vitin të rikthehemi në normë mesatare njëshifrore prej rreth 9%. Vitin e ardhshëm pritet ulje e mëtejshme e normës së inflacionit. Pritshmëritë për të në vitin 2024 janë 3.6% në kushtet e ruajtjes së nivelit të qëndrueshëm të çmimeve të energjensave dhe produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare, si dhe ngadalësimit të mëtejshëm të inflacionit bazë, ndërkohë që në periudhën afatmesme, respektivisht në vitin 2025, ato do të rikthehen në nivelet më të ulëta historike sa i përket normave prej 2%.

Tejkalim i hendekut ndërmjet normave të inflacionit të brendshëm dhe atij evropian

Masat e ndërmarra nga Qeveria, të kombinuara me politikën e shtrënguar monetare të Bankës Popullore dhanë rezultate, nëse merret parasysh trendi i zhvillimit të inflacionit vitin e kaluar dhe këtë vit, ku vërehet rënie e theksuar, si dhe tejkalim i hendekut që ekzistonte lidhur me normën mesatare të inflacionit në BE për shkak të diferencave strukturore të ekonomisë. Domethënë, nëse në muajin nëntor të vitit të kaluar në BE norma vjetore e inflacionit ishte 10.1%, kurse në vendin tonë 19.5%, respektivisht diferenca ishte 9.4 pikë përqindjeje në muajin nëntor 2023, si në vendin tonë ashtu edhe në BE norma e inflacionit shënon 3.1%. Pjesëmarrja e madhe e produkteve ushqimore në indeksin e çmimeve të konsumit dhe importit të energjensave ndikuan fuqishëm në inflacionin e brendshëm.

Do të theksoj se që nga fillimi i krizës energjetike, Qeveria ka miratuar tri pako masash për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve (së bashku me këto tri pako të masave, që nga fillimi i pandemisë, Qeveria ka miratuar gjithsej nëntë pako të masave antikrizë). Masat për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve fillimisht kishin për qëllim lehtësimin e goditjes së çmimeve nga rritja e çmimeve të energjensave mbi popullatën dhe kompanitë, përmes subvencionimit të çmimit të energjisë elektrike dhe normës preferenciale të TVSH-së për energjinë elektrike. Më tej, masat i destinuam në lehtësimin e pasojave të çmimeve të larta të produkteve ushqimore, përmes masave për fiksimin e produkteve bazë, rritjen e pagës minimale, pensionet, pagat në sektorin publik, si dhe shtesat financiare të njëhershme për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve. Masat që ndërmorëm bënë të mundur ngadalësimin e efektit të transmetimit të inflacionit të importuar dhe parandalimin e goditjeve më të larta të çmimeve. 

Vitin e ardhshëm njoftoj se do të vazhdojë zbatimi i masave antikrizë, përmes zbatimit të mëtejshëm të pakos së nëntë, që është në vlerë prej 662.4 milionë eurove. Dhjetë nga masat e parapara me pakon e nëntë do të zbatohen në vitin 2024 dhe me këtë do të vazhdohet me dhënien e përkrahjes së qytetarëve dhe ekonomisë në drejtim të mbrojtjes së tyre dhe nxitjes së konkurrencës.

3. PUNËSIM, PAGA, PENSIONE: RRITJE KËTË VIT DHE VITIN E TJETËR

Në vitin 2023 vazhdoi trendi i uljes së papunësisë dhe rritjes së punësimit. Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti është në nivel historik më të ulët prej 12.8% në kategorinë 15-74 vjeçare, me ç’rast është ulur prej 0.5 p.p. krahasuar me fillimin e vitit, respektivisht me tremujorin e parë. Norma e punësimit në kategorinë 15-89 vjeçare në tremujorin e tretë ishte 45.7% dhe krahasuar me tremujorin e parë është rritur për 0.6 p.p., gjithashtu, numri i përgjithshëm i të punësuarve nga tremujori i parë deri në tremujorin e tretë është rritur prej rreth 9.500 persona. Zhvillimet pozitive në tregun e punës pritet të vazhdojnë edhe në vitin 2024, si rezultat i rritjes së investimeve dhe nevojës për fuqi punëtore, masave dhe programeve aktive të punësimit dhe përkrahjes së ndërmarrjeve vendase dhe të huaja për hapjen e vendeve të reja të punës. Kështu, numri i të punësuarve pritet të rritet prej 2% vitin e ardhshëm, fakt ky që do të rezultojë në ulje të mëtejshme të papunësisë vitin e ardhshëm. 

Rritje të theksuar kishte edhe paga mesatare në vitin 2023, e cila sipas të dhënave të fundit në të muajit tetor tregon rritje vjetore prej rreth 17%, gjegjësisht paga mesatare neto ka arritur në 38.843 denarë, që paraqet rritje prej 66% në gjashtë vitet e fundit. Rritja e pagave në periudhën e kaluar ishte rezultat i masave të Qeverisë për rritjen e pagës minimale për mbi 100%. Këtu ndikoi edhe rritja e shumëfishtë e pagave në sektorin publik ndër vite, duke përfshirë edhe pagën e fundit për të gjithë sektorin publik prej 10%. Gjithashtu, Qeveria disa herë subvencionoi rritjen e pagave në sektorin privat, përmes përkrahjes financiare dhe lehtësimeve tatimore. Sa i përket pensioneve, trendi në rritje vijoi nëpërmjet harmonizimit të tyre, me rritje prej 21%. Rritja e pagës mesatare neto vitin e ardhshëm pritet të jetë 8.4% në bazë nominale. Gjithashtu, mungesa e fuqisë punëtore për disa pozita në sektorin privat kontribuon më tej në rritjen e pagave.

Masa sistemore të miratuara për pagat dhe punësimin në sektorin publik

Fakt shumë i rëndësishëm që duhet të theksohet është se në periudhën e kaluar u miratuan shumë zgjidhje sistemore në lidhje me përcaktimin e pagës minimale në përputhje me rritjen e kostove të jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, si dhe në rastin e pensioneve. Gjithashtu u dakordua edhe për zgjidhje sistemore për pagesën e pagave në sektorin publik sipas metodologjisë që do të hyjë në fuqi nga viti 2025, si dhe është rikthyer edhe pagesa e K-15.

Për sa i përket punësimit në sektorin publik u miratua rregulli për të mos punësuar persona të rinj, përveç plotësimit të vendeve të personave të pensionuar ose largimeve për arsye të tjera. Procesi i punësimit në administratën publike gjithashtu nga viti i ardhshëm do të jetë më pak i burokratizuar dhe me përgjegjësi më të madhe për personat kompetent të institucioneve, gjë që do të përmirësojë efikasitetin dhe efektivitetin. Ky aspekt paraqet ndryshim sistemor në procesin e punësimit në sektorin publik, ku do të realizohet në bazë të planit vjetor të miratuar të punësimit te shfrytëzusi buxhetor apo institucioni dhe në bazë të buxhetit të votuar në Kuvend, të plotësuar me deklaratën e personit udhëheqës të institucionit për mjetet e siguruara të punësimit, me ç’rast ai mban përgjegjësi.

4. REFORMA NË FINANCAT PUBLIKE

Sa i përket reformave në financat publike, këtë vit kishte progres drejt zbatimit të Ligjit të Buxheteve. Para së gjithash, do të theksoj se është përzgjedhur përbërja e Këshillit Fiskal, organ i pavarur, i cili tashmë është funksional dhe do të fillojë ta mbikëqyrë zbatimin e rregullave fiskale, dokumentet strategjike dhe raportet që i referohen politikave fiskale dhe makroekonomike.

Hapa të mëtejshëm janë ndërmarrë edhe drejt sigurimit të financimit dhe zbatimit të mëtejshëm të sistemeve të integruara në financat publike, respektivisht Sistemi i Integruar Informativ për Menaxhimin Financiar në Ministrinë e Financave - IFMIS, pastaj Sistemi Informativ për Menaxhimin e Ndihmës Shtetërore - SAMIS, si  sistem krejtësisht i ri, Sistemi për Menaxhimin e Ndihmës Shtetërore që do të vendoset në Kabinetin e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për çështjet ekonomike dhe koordinimin me resorët ekonomikë dhe investimet, si dhe Sistemi Informativ tërësisht i ri për Menaxhimin e të Hyrave Tatimore të Drejtorisë së të Hyrave Publike (IDIS). Nëpërmjet dixhitalizimit të financave publike, do të kontribuohet në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në menaxhimin e financave publike dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.

Dua të theksoj se me Ligjin e Buxheteve vendoset koncepti modern i planifikimit buxhetor afatmesëm, në përputhje me direktivat e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Ai vendos kornizë të politikës fiskale të qëndrueshme, disiplinë të lartë buxhetore dhe transparencë. Me këtë ligj, në periudhën e ardhshme afatmesme, politika fiskale pritet të destinohet drejt konsolidimit të shpenzimeve publike, nëpërmjet uljes graduale të nivelit të deficitit, në përputhje me rregullat e vendosura fiskale. Në periudhën e ardhshme, me përkrahjen ndërkombëtare, Ministria e Financave do të vazhdojë të punojë në hartimin e akteve nënligjore për operacionalizimin e këtij ligji.

5. STRATEGJI NACIONALE ZHVILLIMORE

Strategjia e zhvillimit nacional për periudhën 2024-2044 bazohet në këto fusha prioritare: 1. Ekonomi e qëndrueshme, inovative dhe konkurruese, 2. Zhvillim i qëndrueshëm lokal dhe rajonal, i cili siguron kohezionin, 3. Rivitalizim demografik, si dhe zhvillim social dhe kulturor, 4. Sundim i ligjit dhe mirëqeverisje, 5. Shoqëri e sigurt dhe rezistente dhe 6. Transformim i gjelbër.

Sipas skenarëve të rritjes së ekonomisë në njëzet vitet e ardhshme, rritja mesatare vjetore e PBB-së reale është projektuar për 2.6 sipas skenarit bazë dhe 4.7% sipas skenarit integral, respektivisht me zbatimin e reformave sipas fushave prioritare strategjike të strategjisë. Me skenarin integral si opsion i preferuar në vitin 2044 krahasuar me vitin 2024, do të arrijmë rritje më të shpejtë të standardit të jetesës (PBB-ja për banor do të jetë 70% më e lartë), niveli i varfërisë do të ulet dukshëm (nga 6.1% në 0.4% persona me të ardhura ditore prej 2.15 USD), të hyrat në buxhet do të arrijnë në nivel prej 43.5% të PBB-së, që është dukshëm më i lartë se projeksioni aktual për vitin 2024 në nivel prej 31.7% të PBB-së. Për arritjen e konvergjencës më të shpejtë me vendet e BE-së në raport me vendet e reja anëtare (Kroacia dhe vende të tjera), rritja jonë ekonomike do të duhet të jetë mbi 5%. Diçka më shumë që do të na sigurojë epitetin e “mrekullisë ekonomike të Ballkanit”.

Strategjitë dhe programet sektoriale, së bashku me planet aksionale janë gjithashtu të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të Strategjisë nacionale zhvillimore. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të ketë zbatimi i strategjive të reja sipas fushave dhe prioriteteve që janë rishikuar dhe hartuar gjatë dy viteve të fundit, respektivisht: Strategjia e zhvillimit të kapitalit njerëzor, Strategjia e specializimit të zgjuar, Strategjia e avancimit të eksportit, Strategjia e zhvillimit të qëndrueshëm, Strategjia e zhvillimit të energjetikës, Strategjia e dixhitalizimit dhe sigurisë kibernetike, Strategjia e zhvillimit lokal dhe rajonal, Strategjia e menaxhimit të financave publike, Strategjia e formalizimit të ekonomisë joformale, si dhe strategjitë në fushën e zhvillimit të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, strategjitë në fushën e mbrojtjes sociale, shëndetësisë, arsimit, kulturës, turizmit, përkrahjes së rinisë dhe sportit, sigurisë dhe mbrojtjes.

Në strategjitë e zhvillimit punojmë intensivisht në bashkëpunim me institucionet e tjera ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian, ndër të cilat do të veçoja: Planin e rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor 2024-2027 në vlerë prej 6 miliardë eurove për të gjithë rajonin, me ç’rast rreth 900 milionë euro do të jenë për ekonominë tonë, si dhe Kornizën e partneritetit me Bankën Botërore 2024-2028 e projektuar në vlerë prej rreth 900 milionë eurove për zhvillimin e ekonomisë sonë.

6. E ARDHME EVROPIANE DHE ME PROSPERITET

Dëshiroj t'i referohem veçanërisht Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili është mundësi e shkëlqyer e ofruar nga Bashkimi Evropian për vendet e rajonit për konvergjencë më të shpejtë dhe për t'u anëtarësuar në BE. Ky plan, praktikisht u mundëson vendeve të rajonit që t’i shfrytëzojnë një pjesë të përfitimeve të BE-së edhe para se të bëhen anëtarë të saj. Nëpërmjet zbatimit të tij synohet nxitja e rritjes ekonomike dhe përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, e në këtë mënyrë edhe anëtarësimi i tyre në BE. Plani përbëhet nga katër shtylla: 1) Rritja e integrimit ekonomik me Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian; 2) Nxitja e integrimit ekonomik rajonal të Ballkanit Perëndimor; 3) Përshpejtimi i reformave strukturore dhe përkrahja e procesit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, përmirësimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, tërheqja e investimeve të huaja dhe përforcimi i stabilitetit rajonal dhe 4) Rritja e përkrahjes financiare për reformat dhe rritjen e vendeve të rajonit nëpërmjet Fondit të Reformave dhe Rritjes.

Krahas përkrahjes së konsiderueshme financiare që ne si vend do ta sigurojmë nëpërmjet këtij plani, kemi gjithashtu mundësinë për ta përshpejtuar axhendën reformuese, për t'u përafruar me BE-në dhe siç shkruaj shpesh, “ta sjellim BE-në në shtëpi, para se të bëhemi pjesë e BE-së”. Zbatimi i planit, i cili zgjat katër vjet, duhet të fillojë vitin e ardhshëm dhe ne duhet të jemi gati për ta shfrytëzuar maksimalisht këtë dorë të zgjatur.

7. KONSENSUS DHE MARRËVESHJE SHOQËRORE

E ardhmja u përket brezave të ardhshëm dhe kjo varet nga vendimet tona në të tashmen. Mbijetesa e qenies sonë varet nga këto vendime. Kjo është arsyeja se pse është thelbësore që të ekzistojë marrëveshje shoqërore ndër breza. Në fakt, marrëveshja ka rezultuar të jetë forma më e avancuar e ndërgjegjes sociale si aspekt kryesor për zhvillimin e qytetërimit njerëzor dhe padyshim, ajo që e dallon njeriun nga të gjitha qeniet e tjera të gjalla në planetin tonë. Bartja e “stafetës së nivelit të arritur të dijes” nga një brez në tjetrin, na ka bërë krijesat më inteligjente që do të na kishin zili edhe bletët më punëtore që e dedikojnë gjithë jetën e tyre në harmoni me natyrën për të krijuar mjaltë për veten dhe të tjerët. Ato janë të programuara në mënyrë biologjike dhe jetëgjatësia e tyre është e njëjtë për çdo bletë dhe çdo brez. Cikli i tyre jetësor është identik për çdo brez. Sepse ata, për fat të keq, nuk kanë inteligjencën dhe vetëdijen kolektive që zotëron njeriu.

Që të njihemi si “mrekullia ekonomike e Ballkanit” na duhet konsensus shoqëror për prioritetet strategjike, dialog i hapur shoqëror për të gjitha çështjet kruciale. Duhet lidership që reflekton ndërgjegjësim kolektiv për një të ardhme më të mirë dhe marrëveshje ndër breza, që ky brez të sigurojë një të ardhme më të mirë për brezin e ardhshëm këtu në vend dhe që të vazhdojë dhe të mbetet pikërisht këtu, për t'ia përcjellë këtë amanet brezit të ardhshëm më tej, e kështu me radhë. Jam i bindur se kjo është e mundur. Me lidership dhe vizion të qartë për të ardhmen, le të shkojmë përtej dallimeve dhe besimeve afatshkurtra për të arritur marrëveshje për prioritetet strategjike. Konsensus dhe marrëveshje për prioritetet kryesore të zhvillimit, ekonomi më konkurruese, teknologji të avancuara, zhvillim të qëndrueshëm, standard dhe cilësi më të lartë jetese, mjedis të pastër, vend të sigurt dhe me prosperitet!

Në fund, dëshiroj të theksoj se nga natyra jam realist edhe edhe pse kjo kolumnë në përgjithësi përcjell pritshmëri pozitive për ekonominë, duhet ta theksoj faktin se rreziqet janë ende të pranishme. Prandaj duhet të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm, t’i shfrytëzojmë mundësitë dhe të ndërmarrim masa dhe politika të duhura për tejkalimin e tyre. Krijimi i një të ardhmeje me prosperitet për të gjithë ne bazohet në strategji adekuate, plan realizimi, konsekuencë dhe përkushtim ndaj këtij plani, si dhe konsensus shoqëror për prioritetet strategjike. Atëherë, rezultatet nuk do të mungojnë!

Ju uroj të gjithëve një Vit të Ri 2024, të gëzuar dhe të suksesshëm!

Ministria e Financave

____________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR