• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Besimi: FMN-ja ka rritur pritshmëritë mbi rritjen e ekonomisë së vendit për këtë vit

Besimi: FMN-ja ka rritur pritshmëritë mbi rritjen e ekonomisë së vendit për këtë vit

Shkup, 22 tetor 2023 (MIA)- Një hap i rëndësishëm përpara është bërë në marrëdhëniet e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Grupin e Bankës Botërore, me ç’rast u bë vend kontribuues (donator) i Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), fond i Bankës Botërore. Anëtarë të këtij fondi janë të gjitha vendet anëtare të Bankës Botërore dhe vetë fakti që kemi filluar të kontribuojmë në këtë fond do të thotë se ekonomia jonë ka arritur nivel më të lartë të zhvillimit, shkruan në kolumnën e fundit, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ku thekson se sinjalet e dhëna nga institucionet financiare ndërkombëtare për ekonominë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet projeksioneve të vjeshtës, kërkojnë vigjilencë, por gjithashtu presin që ekonomia jonë të zhvillohet dhe të japë rezultate. 

“Krijojmë rritje ekonomike në kushte stagnimi ekonomik te partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe në kushte të krizave që nuk zbuten. Zhvillojmë politikë fiskale prudente nëpërmjet uljes së deficitit buxhetor, duke siguruar mjete për përkrahjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë, përmes kredive të favorshme, duke mbrojtur standardin e qytetarëve nëpërmjet rritjes së pagave dhe pensioneve duke ulur kështu inflacionin (inflacioni nga 19.8% në muajin tetor të vitit 2022 u ul në 6.6 % në muajin shtator të vitit 2023 dhe do të vazhdojë me trendin rënës edhe më tej). Papunësia vijon të ulet edhe në muajin shkurt të vitit 2023, ku ajo u ul në 13.1% dhe para kovidit ishte 17.3%, pas tij, trendi i uljes së varfërisë vazhdon. Investimet janë në rritje dhe kanë arritur nivelin prej 35% të PBB-së në vitin 2022 (që është më i lartë se niveli para kovidit dhe në vitin 2020 shënoi rënie në 29%), me ç’rast vetëm investimet e huaja arritën nivelin prej 5.2% të PBB-së që paraqet rritje të konsiderueshme për tre vjet me radhë, respektivisht 1.4% dhe 3.3% në vitin 2020 dhe 2021. Gjithashtu, kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve kanë edhe investimet publike, të cilat këtë vit u planifikuan në nivel prej 5% të PBB-së, që është dy herë më shumë se mesatarja e dikurshme. Zhvillimet aktuale tregtare në vitin 2023 kontribuuan në ulje prej 30% të deficitit tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Zhvillimet e tilla, që janë rezultat i politikave dhe reformave ekonomike, kontribuuan në përmirësimin dhe më pas në ruajtjen e vlerësimit kreditor të vendit në vitet pas krizës së kovidit”, thekson Besimi.  

Ministri thekson se FMN-ja i rriti pritshmëritë sa i përket rritjes së ekonomisë së Maqedonisë së Veriut (me rritje të PBB-së prej 1.4% në 2.5% në vitin 2023) edhe pse në masë të madhe uli projeksionin për BE-në dhe Gjermaninë, si partnerë tanë tregtarë, me ç’rast prospektet për rritjen ekonomike janë duke u përmirësuar në periudhë afatmesme. Kjo theksohet edhe në Raportin ekonomik rajonal për Ballkanin Perëndimor, i publikuar këto ditë nga Banka Botërore (në periudhë afatmesme parashihet përshpejtimi i rritjes ekonomike), ku theksohet se, eurointegrimet do ta përshpejtojë procesin reformues dhe do ta përforcojnë kapacitetin për rritje të ekonomisë vendase. Gjithashtu, perspektivat për rritjen bazohen edhe në rritjen e investimeve dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Foto: Ministria e Financave

QËNDRONI TË LIDHUR