• e premte, 27 dhjetor 2024

Besimi: FMN-ja identifikoi politikat e Qeverisë, mjetet nga linja PLL janë konfirmim i kësaj

Besimi: FMN-ja identifikoi politikat e Qeverisë, mjetet nga linja PLL janë konfirmim i kësaj

Ushington, 15 tetor 2022 (MIA) - Republika e Maqedonisë së Veriut zbaton politika ekonomike të qëndrueshme dhe të përshtatshme. Kjo u konfirmua edhe nga negociatat tashmë të përfunduara për shfrytëzimin e Instrumentit për përkujdesje dhe likuiditet (PLL) të këtij institucioni financiar ndërkombëtar. E njëjta gjë u konstatua edhe në takimin e realizuar në selinë e FMN-së në Washington ndërmjet ministrit të Financave, Fatmir Besimi dhe zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të FMN-së, Bo Li.

"“Kjo krizë ka karakter global dhe ka ndikim serioz në ekonominë e Maqedonisë, e cila si ekonomi e vogël dhe e hapur varet shumë nga zhvillimet, veçanërisht në kontekstin evropian. Për ballafaqimin e sfidave nevojitet përkrahje edhe për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve dhe këtë po e realizon Qeveria me masat e miratuara antikrizë. Njëkohësisht, zbatohet politikë prudente fiskale, me kursime në shpenzime më pak prioritare dhe financim të mjeteve për mbulimin e deficitit të buxhetit në kushte optimale. Pikërisht politika të tilla u identifikuan nga FMN-ja dhe krijuan kushte që të mund ta shfrytëzojmë programin PLL nga FMN-ja”, theksoi ministri Besimi. Republika e Maqedonisë së Veriut mori akses për të shfrytëzuar 530 milionë euro nga Programi i FMN-së për përkujdesje dhe likuiditet, i cili mundëson shfrytëzimin e mjeteve me kushte dukshëm më të favorshme. “Keni zgjedhur instrumentin e duhur për kontrollimin e inflacionit, ballafaqimin e krizës energjetike dhe konsolidimin fiskal”, theksoi zëvendësdrejtori i përgjithshëm i FMN-së, Bo Li. Aranzhmani me FMN-në është sinjal i rëndësishëm për investitorët ndërkombëtarë, sepse ngjall besim shtesë në politikat e qëndrueshme të vendit. Njëkohësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut arriti ta përmbyllë financimin e buxhetit deri në fund të vitit me kosto më të ulëta edhe në kohë krize. Së bashku me mjetet e FMN-së, u finalizua financimi i programeve dhe masave të planifikuara në Buxhetin e vitit 2022, të cilat orientohen drejt furnizimit të sigurt me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë, si dhe zbutjes së ndikimit të inflacionit, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme. Gjithashtu, mjetet destinohen edhe për projekte dhe zbatim të reformave, të cilat në periudhë afatmesme dhe afatgjate do të nënkuptojnë rritje të përshpejtuar ekonomike dhe ngritje të standardit të qytetarëve. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, me takimin me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, përfundoi vizitën e tij në Washington, ku mori pjesë në Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore. Gjatë qëndrimit në Washington, ministri zhvilloi takime me përfaqësues së lartë të FMN-së, Bankës Botërore, BERZH-it, IFC-së, si dhe realizoi takim edhe në Thesarin e SHBA-së. Në këto takime, ministri tregoi impenjimin dhe prezantoi edhe masat e ndërmarra nga Qeveria për ballafaqimin e krizës energjetike dhe të çmimeve, si dhe për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në të njëjtin vend u mundësojnë ministrave të financave, guvernatorëve të bankave qendrore, përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, sektorit joqeveritar dhe ekspertëve që të diskutojnë rreth çështjeve aktuale dhe të kërkojnë mënyra për tejkalimin e tyre. ab/  

QËNDRONI TË LIDHUR