• e enjte, 26 dhjetor 2024

Besimi anëtar i ri i Koalicionit të ministrave të financave për aksione klimatike

Besimi anëtar i ri i Koalicionit të ministrave të financave për aksione klimatike

Shkup, 15 gusht 2023 (MIA) - Ministri i Financave, Fatmir Besimi sot, u përzgjodh anëtar me të drejta të plota në Koalicionin global të ministrave të Financave për aksione klimatike. Koalicioni është nismë globale, në të cilën si anëtarë janë ministrat e Financave të 90 vendeve dhe përfaqësues të 26 partnerëve institucionalë.

Koalicioni u themelua në muajin prill të vitit 2019 për koordinimin e aktiviteteve të ministrave të Financave, sa i përket respektimit të detyrimeve të ndërmarra nga Marrëveshja klimatike e Parisit, si dhe parimeve të Helsinkit për aksione klimatike.

"Misioni i koalicionit në tërësi është kompatibile me Planin e përshpejtimit të rritjes 2022-2026, ku një prej fushave prioritare është mbrojtja e mjedisit jetësor, së bashku me aksionet klimatike, Strategjinë fiskale 2023-2025 me perspektivë deri në vitin 2027, Programin e reformave ekonomike 2023-2025 dhe dokumentet e tjera strategjike të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave", theksoi Ministria e Financave.

Koalicioni ka për qëllim ta inkurajojë tranzicionin e gjelbër, ndër të tjera, edhe përmes shfrytëzimit më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtjes më të madhe të kategorive të qytetarëve dhe kompanive të prekura. Njëkohësisht, koalicioni është përgjegjës për të reaguar nga ana e ministrave të Financave në mënyrë të koordinuar, përmes investimeve më të mëdha publike dhe mobilizimit të kapitalit të konsiderueshëm privat për të rritur adaptimin dhe rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike. Shtetet anëtare të koalicionit marrin pjesë me 40 për qind në emetimin global të gazrave serrë dhe me 66 për qind në prodhimin e brendshëm bruto botëror. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR