• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Benzinat lirohen për gjysmë denarë për litër

Benzinat lirohen për gjysmë denarë për litër

Shkup, 30 shtator 2024 (MIA) - Benzinat nga sonte në mesnatë do të lirohen për gjysmë denarë për litër, ndërsa çmimi i dizelit mbetet i njëjtë, ka vendosur sot Komisioni rregullator për energjetikë, shërbime të ujit dhe shërbime për menaxhim të mbeturinave komunale (KRRE). Me vendimin në fjalë, çmimet me pakicë të derivateve të naftës ulen mesatarisht për 0.19 për qind.

Çmimi i ri me pakicë i EUROSUPER BS - 95 do të jetë 74,5 denarë për litër, ndërsa EUROSUPER BS - 98 do të shitet për 76,5 denarë për litër. Çmimi i EURODIZEL BS (D-E V) mbetet në nivelin 67,5 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) shtrenjtohet për gjysmë denarë dhe do të kushtojë 67 denarë.

Me vendimin e KRRE-së për 0.155 denarë për kilogram ulet çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS dhe të jetë 41,672 denarë.

Nga KRRE bëjnë të ditur se çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, krahasuar me llogaritjen e mëparshme, tregojnë rënie të benzinës për një mesatare prej 0,339 për qind, te dizeli ka rritje prej 0,612 për qind, për vajin ekstra të lehtë 2,039 për qind, ndërsa për mazutin ka rënie prej 0.206 për qind. Kursi i denarit kundrejt dollarit në krahasim me llogaritjen e mëparshme është më i ulët për 0,2553 për qind.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR