• e premte, 27 dhjetor 2024

Bekteshi: Pritet stabilizim i tregut, nuk do të ketë goditje të re të çmimeve

Bekteshi: Pritet stabilizim i tregut, nuk do të ketë goditje të re të çmimeve
Shkup, 23 shkurt 2022 (MIA) - Prej 1 marsit kur do të hyjë në fuqi vendimi për kufizim të marzheve, pritjet janë se tregu do të stabilizohet, deklaroi sonte ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili nuk beson se do të ketë goditje të re çmimesh. "Ne nuk presim ulje të madhe të çmimeve. Nëse në rast mbeten të njejta çmimet e lëndëve të para, atëherë në pajtim me vendimin, presim të ketë ulje prej pesë deri 10 për qind të çmimeve ekzistuese. Nëse në rast rritet çmimi i lëndëve të para, atëherë minimumi që mund të bëjmë është të kemi stabilizim të çmimeve", tha Bekteshi në emisionin "Top tema" në Televizionin Telma. Ai theksoi se nga masa për ngrirje të çmimeve të produkteve themelore ushqimore barra më e madhe ka rënë mbi prodhuesit, se sa mbi tregtarët me shumicë dhe pakicë. Në kohë të pandemisë, më saktësisht në vitin 2020, siç kumtoi ministri, disa supermarkete në vend kanë pasur neto përfitim i cili ka lëvizur prej tre deri 8,5 milionë euro. "Duhet të kihet parasysh se në kohë të pandemisë, të gjithë ata drejtpërdrejtë u mbështetën nga ana e shtetit. Ne çdoherë bëjmë thirrje për solidaritet - jo çdoherë barra të bie mbi qytetarët dhe ata të paguajnë çmime më të larta, ndërsa disa kompani të caktuara të mos ulin asnjë përqindje të marzheve. Plotësisht kësaj, në barrë të prodhuesve, në njëfarë mënyre artificialisht t'i shpien në pozitën të mund t'i rrisin shpenzimet", theksoi Bekteshi. Vendimi për kufizim të marzheve vlen deri në fund të majit sepse deri atëherë, siç tha Bekteshi, pritet të sillet ligji për praktika jo të drejta tregtare me të cilin mes tjerash parashihet kategorizimi i supermarketeve. Ligji, sipas ministrit, do të sillet në konsultim me të gjitha palët e involvuara. Nga Oda e biznesit agrar kërkojnë subvencione për prodhuesit në pjesën e energjisë dhe aktivizim të rezervave të mallrave. Thonë se punojnë shumë dhe se fitimi i tyre është mezi pesë për qind. Ministri Bekteshi tha se planifikon aktivizim të rezervave të mallrave, por nuk deshi të saktësojë se kur do të ndodhë kjo. Lidhur me masën për ngrirjen e çmimeve të produkteve themelore ushqimore, nga Inspektorati i tregut thonë se në përgjithësi tregtarët e kanë respektuar këtë masë. Me vendimin për kufizim të marzheve caktohet marzhi më i lartë tregtar të jetë deri 5 për qind i çmimit shitës, llogaritur në tregtinë me shumicë, përkatësisht 10 për qind të çmimit shitës në tregtinë me pakicë tek buka, sheqeri, kripa, mielli - tipi 400, vaji i parafinuar i lulediellit dhe vaji i lulediellit për ushqim, qumështi i qëndrueshëm me yndyrë prej 2,8, 3,2 dhe 3,5, mishi i freskët dhe prodhimet e thata të mishit, djathi dhe gjiza, vezët, brumërat, gruri dhe pemët dhe perimet. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR