• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bekteshi: Nesër do të publikohet shpallja për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e interkonjektorit të gazit me Greqinë

Bekteshi: Nesër do të publikohet shpallja për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e interkonjektorit të gazit me Greqinë

Shkup, 23 nëntor 2023 (MIA) - Tenderi për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e interkonjektorit të gazit natyror ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë do të shpallet nesër, njoftoi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Nesër do të shpallet tenderi për fillimin e ndërtimit të interkonjektorit të ri të gazit me Republikën e Greqisë, i cili do të na japë një mundësi të shkëlqyer si vend për të bërë gradualisht një tranzicion energjetik, veçanërisht në fushën e punës së REK Bitolës dhe REK Oslomejit. Gazi do të përdoret si energji në tranzicion deri në vitin 2040 dhe do të jetë projekti i fundit i karburanteve fosile i investuar nga BERZH-i dhe BEI”, tha Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp në prag të COP28.

Gjithashtu, shtoi ai, në specifikimin nga “Nomagas” parashikohet që në të ardhmen, pasi teknologjia të zhvillohet në vendin tonë, të dy termocentralet të shndërrohen në përdorimin  e hidrogjenit.

Interkonektori i gazit është planifikuar të jetë 123 kilometra i gjatë dhe do të shtrihet nga Nea Mesimvria për në Negotinë nëpërmjet Gjevgjelisë dhe do të lidhë dy sistemet kombëtare të transmetimit të gazit natyror. Ndërlidhësi i gazit duhet të përfundojë deri në mesin e vitit 2025.

Operatori grek i gazit natyror DESFA mori edhe menaxhimin e projektit për pjesën e gazsjellësit që do të kalojë përmes Maqedonisë së Veriut, pasi u përzgjodh në tenderin e publikuar nga kompania shtetërore “Nomagas”.

Siç theksoi Bekteshi, aktualisht kemi termocentrale fotovoltaike mbi 600 megavat të lidhur në rrjet, deri në muajin mars pritet të kyçen edhe 150 megavat të tjera nga centrale të erës.

“Me marrëveshjen me BERZH-in morëm detyrën që të mos hapen miniera të reja të qymyrit, të cilat do të kontribuojnë pozitivisht në mjedis dhe është e mundur që në rajonin e Shkupit të ketë një termocentral të ri të gazit për ngrohje ose kogjenerim që do të prodhojë të dyja edhe ngrohjen edhe energjinë elektrike”, tha Bekteshi.

Ai theksoi se tranzicioni energjetik në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme do të kushtojë disa miliardë euro. Këto, siç tha ai, nuk do të jenë fonde vetëm nga shteti por edhe nga sektori privat. Prandaj, siç shtoi ai, po e bëjmë të gjithë legjislacionin për të hapur tregun, veçanërisht në pjesën e ruajtjes së energjisë, pra me bateritë për energji elektrike dhe fuqizimin e rrjetit të transmisionit. Ai shtoi se në pesë vitet e ardhshme vendi do të duhet të ndërtojë një interkonektor shtesë në pjesën e rrjetit të transmisionit dhe të përfundojë interkonektorin me Shqipërinë që tashmë është nisur përmes MEPSO-s. Tashmë, siç tha ai, është duke u bërë plani për një interkonektor shtesë në pjesën e rrjetit të transmisionit me Greqinë, në mënyrë që të gjitha kapacitetet në pjesën e burimeve të rinovueshme të eksportohen në tregjet e huaja, e jo vetëm të shiten në tregun vendas.

"Tregu ynë, sipas dinamikës së rritjes së PBB-së dhe konsumit të energjisë elektrike, të cilin synojmë ta zvogëlojmë sa më shumë që të jetë e mundur, do të ketë një kapacitet më të madh se sa duhet të hidhet në tregun vendas", theksoi Bekteshi.

Nga maji deri në tetor, siç tha ai, konsumi i energjisë elektrike në vend nuk kalon më shumë se 700 megavat në orë dhe këtë mund ta ofrojnë vetëm termocentralet fotovoltaike nëse moti është i favorshëm për funksionimin e tyre. Në këtë mënyrë, për bilancin energjetik, do të na duhet vetëm një bllok I ESM-së, i cili do të ndikonte negativisht në efikasitetin dhe stabilitetin e ESM-së për të punuar në vitet e ardhshme.

Ai tha se deri në vitin 2030 do të bëhen investime mbi tre miliardë euro vetëm në sektorin e energjisë, në të cilin do të jetë i përfshirë edhe sektori privat.

“Katër miliardë euro ka paralajmëruar mbështetje nga Bashkimi Evropian për të larguar nga tregu qymyrin. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, sot ndodhet në Bruksel me një ekip nga institucione të ndryshme dhe po diskuton për dinamikën dhe fondet që do të përdoren për vendin tonë. Në përputhje me COP, ne do të mbështetemi drejtpërdrejt nga BERZH-i dhe Banka Botërore. Do të shqyrtojmë edhe mundësinë e tërheqjes së fondeve nga institucionet e tjera”, tha Bekteshi.

Ai theksoi se dokumentet strategjike që tashmë i kemi në vend do të vendosin se cilat janë projektet prioritare që do të realizohen për dekarbonizim.

“Strategjia për Zhvillimin e Energjisë deri në vitin 2040 parasheh një sërë masash që duhet të zbatohen përpara se të miratohet plani COP28. Të gjitha institucionet paraqitën prioritetet e tyre në përputhje me kornizën e miratuar nga BERZH-i dhe Banka Botërore në vlerën 85 milionë euro. Një pjesë e madhe e atyre fondeve do të jenë në formë granti, një pjesë do të jenë në formë kredie të favorshme”, saktëson Bekteshi.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR