• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bekteshi: Nëse ka nevojë do të vazhdohet masa për ngrirjen e çmimeve

Bekteshi: Nëse ka nevojë do të vazhdohet masa për ngrirjen e çmimeve

Shkup, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Masat i japin rezultatet e tyre në pjesën e ruajtjes së standardit jetësor. Në rast se keqpërdoret ndonjë masë jo vetëm që do ta vazhdojmë, por edhe do t'i fuqizojmë kapacitetet inspektuese, deklaroi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Theksoi se nëse ka nevojë do të vazhdojë masa për ngrirjen e çmimeve dhe produkteve ushqimore edhe pas 1 janarit. Kjo, siç tha, do të varet nga analizat të cilat do t'i bëjë Ministria e Ekonomisë deri në fund të vitit. 

"Në përgjithësi industria ushqimore veçanërisht tregtia me pakicë me ushqim dhe pije tashmë e dinë leksionin se nga ana e Ministrisë së Ekonomisë nuk do të lejohen keqpërdorime", tha Bekteshi në përgjigjen e pyetjeve në konferencën e përbashkët të sotme për media me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

I pyetur pse ishte e nevojshme pako e madhe e ndihmës për qytetarët vetëm disa muaj para zgjedhjeve, Bekteshi tha se masat janë paralajmëruar nga fillimi i vitit dhe nuk janë masa të cilat nuk i kanë pritur qytetarët. 

"Ne premtuam se asnjë qytetar nuk do ta ndiejë barrën e krizës energjetike dhe ekonomike dhe se si shtet do të mbulojmë dallimin për të kompensuar atë që është humbur në të kaluarën në drejtim të rritjes së inflacionit dhe ndikimit të krizës energjetike në pjesën e familjeve. Masat iu premtuan familjeve që realisht kishin vështirësi në përballjen e inflacionit dhe krizës energjetike. Mbi 7 mijë amvisëri në ditët në vijim do të marrin subvencionim direkt si kategori vulnerabël nga Ministria e Ekonomisë për pagesën e faturave të tyre për energjinë elektrike të shpenzuar", tha Bekteshi dhe shtoi se kjo masë është zbatuar që nga fillimi i vitit.

Theksoi se duke filluar nga shtatori i këtij viti paga mesatare rritet më shumë se sa inflacioni.

"Për inflacionin ka të dhëna nga tetori dhe nëntori të cilat janë më të ulëta se 5 për qind edhe pse edhe premtimi im dhe i kryeministrit Kovaçevski ishte që inflacioni në dhjetor do të jetë nën 5 për qind", theksoi Bekteshi.

Precizoi se fillimisht merreshin vendime për përballje me goditjet e çmimeve, ndërsa pastaj për pakot antikrizë.

"Nëse mjetet do të injektoheshin gjatë periudhës kur ka pasur rritje të inflacionit, ato mund të ndikonin negativisht në pjesën e inflacionit sepse mund të nxisnin konsumin dhe në këtë mënyrë palët në tregti mund të rrisin çmimet. Prandaj fillimisht morëm vendim për ngrirjen e çmimeve dhe më pas promovuam masat që do të zbatohen sipas pakos së nëntë", tha Bekteshi.

Për kërkesën e opozitës për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike prej 18 në 5 të parashtruar në mbledhjen e sotme të Komisionit për Financim dhe Buxhet në të cilën shqyrtohet buxheti shtetëror për vitin e ardhshëm tha se nuk është në rrjedha dhe shtoi se nuk do tu ndihmojë në zgjedhje. 

"Opozita sipas gjitha gjasave po përgatitet për zgjedhje. Asnjë propozim nuk do tu ndihmojë në pjesën e zgjedhjeve për shkak të asaj se qytetarët janë përcaktuar për të ardhmen e shtetit, ndërsa ajo është e ardhmja evropiane", potencoi Bekteshi. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR