• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bekteshi e vlerëson kallëzimin penal si përndjekje politike, publikon mesazhin që ka dërguar

Bekteshi e vlerëson kallëzimin penal si përndjekje politike, publikon mesazhin që ka dërguar

Shkup, 29 korrik 2024 (MIA) - Ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi kundër të cilit SPB Ohër ka ngritur kallëzim penal për "pengimin e drejtësisë” ka reaguar përmes një postimi në “Fejsbuk” ku ka publikuar edhe mesazhin që i ka dërguar shefit të policisë.

"Me gjithë respektin. Jeni të fuqishëm. Duhet të keni turp që merreni me njerëz të rinj", thuhet në mesazh.

Kallëzimin penal kundër tij e vlerëson si përndjekje politike dhe frikësim. 

"Përndjekja politike, qëllimi i frikësimit nuk do t'ju kalojë! Më 7 maj, në cilësinë e koordinatorit të Frontit Evropian në Njësinë zgjedhore 5, nga Shtabi i Frontit Evropian në Ohër mora informacion se në ditën e heshtjes zgjedhore, kryetari i shtabit dhe anëtarët e shtabit janë kontrolluar nga SPB-Ohër e cila është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor nga SPB-Ohër", thekson Bekteshi në postim. 

Sipa Bekteshit, qëllimi i kësaj sjellje, siç thotë, është hakmarrje për disfatën që qytetarët i bënë pushtetit më 8 maj.

"Si Kreshnik Bekteshi, çdo herë do të kujdesem për qytetarët të cilët janë në tentim të përhershëm të majorizimit dhe frikësimit, siç janë bashkatdhetarët e mi në Ohër, Resnjë, Krushevë, Dollnen etj. Dhe në këtë, asgjë përveç Zotit nuk mund të më ndaloj", tha Bektrshi. 

 Më herët ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim e cila i cilëson si të pabaza akuzat ndaj Bekteshit.

"Bashkimi Demokratik për Integrim dënon “gjuetinë politike të shtrigave” të motivuar politikisht që ka në shënjestër ish ministrin tonë të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe BDI-në si organizatë politike. Akuzat e pabaza për “pengim të drejtësisë” të ngritura kundër tij janë të fundit në një seri akuzash dhe kërcënimesh të pabazuara që synojnë diskreditimin e partisë sonë dhe përfaqësuesve të saj. Gjatë muajit të kaluar, jemi përballur me kërcënime të shumta për jetët e deputetëve dhe eksponentëve tanë partiak, përveç shpifjeve të rreme të përditshme", thuhet në reagimin e BDI-së. 

Në buletinin e MPB-së të datës 25 korrik, thuhet se SPB Ohër ka paraqitur kallëzim penal kundër një 39-vjeçari nga Kërçova për veprën penale “pengim të drejtësisë”. Në Buletin figurojnë inicialet, ndërsa një pjesë e mediave bënë të ditur se bëhet fjalë për ish ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR